KA QEJFIN E VET DHE S’PYET ASNJERI

Ai e ka harruar kohën e botimit të shkrimit të tij të parë. Dyzet e ca vite e ndajnë nga klasa e katërt apo e pestë e fillores, kur debutoi me një anekdotë ngucavece në faqet e të përjavshmes lokale “Pollogu”, që kishte për bashkëpunëtor mësuesin e tij të vyeshëm të Gjuhës shqipe.

Më pas botoi vargje e shkrime në faqet e gazetës “Flaka e vëllazërimit”, në faqet e revistës letrare “Jehona”, “Zëri i rinisë”… dhe pothuajse në të gjitha të përditshmet dhe të përkohshmet gjithandej trojeve shqiptare.

Përgjatë shumë vitesh drejtoi një magazin kulture të panatyrshëm për përcëllima saharashë, gërvishti kulte dhe theu sa mundi tabu zgjebarakësh të Emil Sioranit, shkeli gjarpërin në bisht dhe mbajti anën e së mires, që shkon takam me statusin social të atij që ngjyen bukën me djersë, la sytë në faqe librash të shumëllojshëm, shkruajti disa vepra dhe përktheu do të tjera…, por, për një kategori lexuesish: nuk mësoi se nuk mësoi të shkruajë. Të paktën jo trapa-trupa dhe pa asnjë kod, siç dëshirojnë ata.

E habitshme! 100 vite më pas ai po ndeshet me të njëjtit shkëmbinj të palëvrueshëm të Konicës, po ballafaqohet me turli kufr-ash, po i paguan tagër stilit vesvese t’vilatit: hyp se t’vrava – zdryp se t’vrava!   

Madje, në dallim nga e djeshmja, kur nasihat-dhënësit ishin më të rrallë, mjetet e sotme të komunikimit ia kanë mundësuar gjithkujt të aktrojë ekspertin, analistin, hamamin…, të marë rolin e mentorit të gjithdijshëm, të të mësojë të shkruash ashtu si i shkon për hoshafi, të të diktojë kë të sfidosh e kë të kursesh, si t’i përjetosh disa gjëra e si të heshtish izmeqarshëm për vakitë që mund t’na detyrojnë të vjellim lukthet.

Dakord! Gjithë ata që shpalosin publikisht bindjet lidhur me ngjarjet që ndikojnë në të tashmen dhe të ardhmen tonë, e kanë vënë veten në vitrinë dhe duhet të jenë të gatshëm të presin më shumë se kurora lulesh. Megjithatë, ai do të donte që në kësi zamanesh të mjegullta të ketë pak më shumë korrektësie për opinionistët, për ata që gjithsesi i paguajnë tagre guximit qytetar dhe shpirtit prometean, për ata që kanë vendosur të mos aktrojnë të mirin me të gjithë…

Nuk mund të thuhet se përzierjet në punën e shkrimeve të tij e lënë indiferent, por koha e ka kalitur dhe e ka bërë më pak të ndjeshëm, veçmas ndaj atyre që e kritikojnë me pseudonime; interesaxhinjëve që ia adhurojnë shkrimet vetëm nëse thumbojnë kundërshtarët politikë të partive të konceptuara si nëna dhe liderëve të konceptuar si baballarë; trazavaçëve të rremë që qesin gurë me duart e të tjerëve; atyre që nuk kanë mendim, po që mençurohen në çast nga mendimet e të tjerëve; konformistëve që kanë mendim, po nuk e shprehin atë nga tuta e keqkuptimit prej njerëzish me pushtet e hajt bir.

Të vetmit që i japin kurajo të mos katandiset në gjethnajë për ta ngrënë dhitë janë miqtë e tij të mirëfilltë – ata të cilët i çmojnë flatrat e shpirtit të lirë në kohëra shën dexhallësh, ata që e dinë se “zotrat” kurdo dhe kudo i kursejnë të përunjurit dhe i vrasin krenarët.

Të tillët i pranon edhe për korrektues eventualë, sepse të gjithë jemi mëkatarë. Për të tjerët, ndërkaq, është Luis Ljak, që: ka qejfin e vet dhe s’pyet asnjeri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button