Beteja në CAS, Serbia nis mbrojtjen e 3 pikëve

Sot fillojnë të hidhen hapat e parë drejt vendimit më i rëndësishëm për Shqipërinë e Futbollit, me Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë që do të vendosë fatin e ndeshjes Serbi-Shqipëri, të 14 tetorit, me kombëtaren që kërkon drejtësi pas ngjarjeve të ndeshjes së Beogradit. Dita e Gjykimit, ka nisur me palën serbe, për t’i lënë vendin më pas Shqipërisë këtë të premte që të paraqesë argumentat e saj.

Që në orët e para të mëngjesit, serbët të përfaqësuar nga një studio avokatie zvicerane do të kërkojnë të mbrojnë fitoren 3-0 në tavolinë por njëkohësisht do të synojnë që t’i hiqen 3 pikët penalitet të dhënë nga Komisioni i Disiplinës dhe ai i Apelit të qeverisë së futbollit kontinental.

Pala serbe pritet të mëshojë fortë te provokimi politik nëpërmjet dronit, teksa kanë përgatitur dhe një dëshmi të një ish-gjyqtari izraelit, i cili do mbështesë akuzën e tyre.

Qëllimi i tyre është që nëpërmjet kësaj dëshmie të “dredhojë” pushtimin e fushës nga tifozët e saj dhe ushtrimin e dhunës ndaj përfaqësueses kuqezi duke dashur të anashkalojë dhe faktin se Atkinson e ndërpreu ndeshjen për shkak të akteve vandale nga ana e tifozerisë vendase dhe jo për dronin e hyrë në fushë.

Pas dëgjimit të palës serbe, nesër do të jetë dhe radha e shqiptarëve, që do të përfaqësohen nga ekipi i avokatëve i kryesuar nga Artan Hajdari.

Seanca dëgjimore e Shqipërisë do të nisë që në orën 8 të mëngjesit ndërkohë që për vendimin nuk dihet ende sesa duhet pritur, me sekretarin e Federatës serbe që është shprehur se vendimi mund të jepet dhe pas 30 ditëve. /albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button