Netanjahu: Irani kërkon të zhdukë hebrenjtë

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu ka kritikuar sërish marrëveshjen mes Iranit dhe 6 fuqive botërore për programin bërthamor, duke thënë se perëndimi nuk ka mësuar asgjë nga historia e saj.

Netanjahu ka shfrytëzuar ceremoninë përkujtimorë të viktimave të Holokaustit për t’iu kundërvënë edhe njëherë Iranit.

“Perëndimi nuk ka mësuar nga historia, nuk ka mësuar nga Lufta e Dytë Botërore”, tha Netanjahu.

“Marrëveshja e keqe mes Iranit dhe 6 fuqive botërore tregon se historia nuk ka shërbyer si leksion. Perëndimi është përfshirë në veprimet agresive të Iranit. Ashtu si nazistët që u përpoqën të shkatërrojnë civilizimin duke eliminuar popullsinë hebreje, edhe Irani po përpiqet të marrë statusin e drejtuesit të rajonit, me qëllimin e deklaruar asgjësimin e popullit tonë”, tha ai.

Me herët presidenti Obama ka deklaruar disa herë se qëndron në krah të Izraelit dhe ka kujdes të veçantë për sigurinë e tij, por kjo nuk e ka kënaqur aspak liderin e vendit hebraik.

Sot Izraeli kujton Holokaustin, me ceremoni të ndryshme, ku kumbimi i sirenave për dy minuta në të gjithë vendin dhe heshtja totale nderojnë të gjithë të vrarët në kampet naziste./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button