Strehë të pastrehëve!

Shteti që eksiston për të siguruar mirëqenien e qytetarëve të vetë, në veçanti të të pafuqishmëve, duhet të jetë shtet social e bartësit e pushtetit të jenë realizues të platformave popullore! Shteti i popullit nuk duhet të lejojë “Të jesh apo të mos jesh?!”-in shekspirian në realitetin e qytetarëve, por t’u bëhet strehë të pastrehëve!

Sepse të mos kesh ‘kulm mbi kokë’ është shumë më e vështirë se sa që mund të imagjinohet: Të pastrehët janë të privuar nga gjumi, të ftohur, të lagur e të sëmurë. Të rraskapitur janë trupat e shpirtërat që bredhin tërë ditën për të gjetur pakëz bukë dhe një vend për të fjetur natën! E ndonëse nuk ka statistika që do të mund t’i regjistronin objektivisht të gjithë të pastrehët, bindshëm në RM numri i tyre është shumë i madh dhe në rritje të vazhdueshme.

Ashtuqë të pastrehë janë shumë qytetarë të varfër, të papunë, të varur nga alkooli a droga, të sëmurë mental, që ndahen nga bashkëshortët a prindërit, ata që shpërngulen shkaku i dhunës në familje, që dëmtohen nga ndonjë katastrofë (zjarre apo përmbysje)… Sigurisht është e dhimbshme pamja e fëmijëve të pafajshëm romë duke lypur rrugëve, duke mbledhur kuti kartoni e shishe plastike që t’i shesin e të ushqehen. Por ata nuk janë vetëm: të paktën në emisionin “Lot dhe gëzim” deri tani janë paraqitur dhjetëra familje shqiptare që jetojnë në mjerim e pothuajse për çdo ditë lajmërohemi për djegie të shtëpive në qytete të ndryshme. Çka dmth se të pastrehët nuk janë vetëm pjesëtarët e një etnie të caktuar, por në këtë shtet multietnik problemi i të pastrehëve është i përbashkët, është problem qytetar.

Pa dyshim nga keqardhja, empatia, apo ndonjë motiv tjetër bashkëqytetarët solidarizohen. Por as ndihmat individuale të paorganizuara nuk janë në vullnetin e tyre, sepse kufizohen nga të ardhurat e ulëta; e as organizatat humanitare nuk janë mjaftueshëm të fuqishme për t’u siguruar nevojtarëve shtëpi, të paktën jo shumicës prej tyre. Prandaj thirrjes urgjente për ndihmë duhet t’i përgjigjet shteti jo vetëm me miratim të Strategjisë për strehim, Strategjisë për zvogëlimin e varfërisë, por me realizim të tyre në praktikë; të shtojë jo vetëm projektet por edhe ndërtimet e strehimoreve; pse jo edhe të sigurojë mënyra për integrimin e qytetarëve, qoftë kjo me reforma në sistemin arsimor, duke krijuar hapësirë për profesionalizime në zeje profitabile si dhe duke u siguruar punë të papunëve.

Fundja përkundër ndërtimit të përmendoreve, kjo do të ishte vetëm një mënyrë tjetër e shpërndarjes së buxhetit shtetëror, sepse siç thoshte Migjeni ‘Varfëria nuk do mëshirë, por drejtësi’! E do të ishte mirë sikur të kuptohej drejtë ky propozim konstruktiv nga grupe individësh që duan ta fitojnë besimin e shumicës!

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button