REGJIMI KOMPLEKS

Në Maqedoni kemi një regjim kompleks me elemente regjimesh totalitare, autoritare, autokratike dhe më shumë se sa kaq. Portretizimi i këtij regjimi është proces kompleks dhe duhet thellim më i madh, por mund të paraqesim disa veçanti të tij.

Regjimet totalitare synojnë kontrollin ndaj çdo aktiviteti politik, ekonomik, kulturor, qytetar, sepse udhëhiqen sipas kryefjalës: “gjithçka për shtetin, asgjë kundër shtetit, asgjë përtej shtetit”. Ndonëse synojnë të kontrollojnë çdo sferë shoqërore, qëllim kryesor e kanë kontrollin ndaj mendimit të njerëzve. Më shumë se sa nënshtrimi, synohet adhurimi i tyre. Sikurse thotë Konradi, nuk kërkohet vetëm heshtja dhe nënshtrimi, por edhe ta lavdërosh regjimin.

Nëpërmjet frikës tentohet shuarja e personalitetit dhe krijimi i një qenie kolektive, e cila duhet të mendojë me mendime të gatshme dhe të ndjejë me ndjenja të gatshme, pa mundësinë e të qenit ndryshe. Prandaj, një regjim i këtillë është kundër “madhështisë së veçantisë”.

Në Maqedoni sundon frika. Kemi kontroll ndaj sferave të shoqërisë. Shteti është mbi gjithçka. Shoqëria civile është e ngulfatur. Bisedat e përgjuara telefonike dëshmojnë se krahas kontrollit ndaj sferës publike është synuar edhe kontrolli ndaj sferës private.

Qytetarët nën trysninë e frikës e kanë humbur aftësinë për të qenë të lirë në veprimet sipas vullnetit të tyre. Kështu, gradualisht, i janë nënshtruar vullnetit të regjimit. Nënshtrimi ndaj këtij vullneti, do të thotë humbje e personalitetit dhe veprim brenda kornizave të paracaktuara nga regjimi. Njerëzit, pra, duhet të besojnë në një ideologji – atë zyrtare, të pakontestueshme – në shërbimin e të cilës është i gjithë aparati shtetëror.

Në Maqedoni ka dominuar ideologjia e VMRO-DPMNE-së, e konsideruar si e vetmja ideologji e duhur dhe e pakontestueshme. Aparati shtetëror, përfshirë edhe institucionet që duhet të jenë të pavarura, janë në shërbim të jetësimit të kësaj ideologjie. Kështu, shteti synon të bëhet edhe pronari i shpirtit të njerëzve.

Në regjimet e këtilla “tjetri” gjithmonë është armiku. Dallimet konsiderohen të rrezikshme. “Tjetri” mund të jetë kundërshtari politik, kombi tjetër, kultura tjetër, gjuha tjetër, feja tjetër. Kjo ndodh për shkakun se dominon kryefjala “ne dhe askush tjetër”. Kështu pluraliteti ngulfatet nga njëmendësia, shumëllojshmëria nga uniformiteti dhe kreativiteti ngulfatet nga trivialiteti.

Kjo logjikë funksionon edhe këtu: “ai që nuk është si ne është kundër nesh”; “ai që nuk është me ne, është kundër nesh”. Ai që është “kundër nesh” duhet të eliminohet nga sfera politike.

Ndonëse i luftojnë, regjimet e këtilla nuk munden pa “armiqtë”. Prandaj shpiket “armiku i jashtëm” ose “i brendshëm”. Kështu krijohet atmosfera e “rrezikut të përhershëm”, me qëllim që shteti të imponohet si shpëtimtar. Nëpërmjet kësaj atmosfere synohet homogjenizimi dhe mobilizimi i nënshtetasve, të cilët, nga frika e rrezikut imagjinar, kërkojnë shpëtim te regjimi. Jo rastësisht gjatë gjithë këtyre viteve janë shpikur “armiq të jashtëm” dhe “të brendshëm”, për qëllimet që i përmendëm më lartë.

Një tjetër karakteristikë është thirrja në histori. Megjithatë regjimet e këtilla janë kundër historisë. Me instalimin e regjimi të ri, fillon të shkruhet edhe historia e re. E kaluara “e papërshtatshme” korrigjohet. Në Maqedoni kemi orientim drejt historisë, ndërkohë është shkruar historia e re, sipas dëshirës së fituesit. I gjithë procesi është shoqëruar me ndryshime të shpejta në kulturë, që zakonisht ndodhin kur duhet të krijohet një identitet i ri.

Veçanti tjetër është reduktimi i gjuhës. Gjuha mund të ngjall një botë tjetër, një horizont të ri shikimi, prandaj “zhveshët” dhe bëhet gjuhë milenkosh e jankosh…

Në regjimet autoritare, sipas përkufizimit, pushteti është në dorë të pakicës, që vendos prapa dyerve të mbyllura. Ky krahasim mund të na hyjë në punë kundrejt atyre që thonë se jo gjithçka është nën kontrollin e “njëshit”. Nëse jo i “njëshit” atëherë është i një pakice, e cila për gjithçka vendos prapa dyerve të mbyllura, kurse mendimi opozitar ekziston “sa për të thënë”, sepse ka hapësirë të kufizuar veprimi. Siç dihet, opozita në Maqedoni ka qenë e dobët dhe shpesh e trazuar nga çarjet e brendshme. Opozitarët, të joshur nga interesa të ndryshme ose të shantazhuar, më shumë kanë bërë beteja brenda llojit, gjithnjë me nxitje të pushtetit.

Për sa u takon zgjedhjeve ato kanë qenë me manipulime, kurse pushteti qendror, pra qeveria, në vend se të ishte nën kontrollin e parlamentit, ka ndodhur e kundërta – vendimet prej “lart” janë votuar nga deputetët.

Ne themi se kemi edhe elemente të regjimit autokratik, ku ata që votojnë nuk kanë ndikim në proceset politike, ndryshe sikurse ndodh në demokraci, si “sundim i popullit” ose më saktë si “sundim për popullin”, ku pushteti shtetëror e shpreh vullnetin e shumicës.

Në demokraci të gjithëve u mundësohet të kenë kushte dhe shanse të njëjta dhe çdo qytetari i lejohet të jetë disident.

Demokracia nënkupton: autonomi sferash shoqërore, shoqëri të lirë qytetare, sundim të së drejtës, ndarje pushteti, respektim të të drejtave njerëzore e qytetare dhe ku sfera publike dhe private janë të ndara etj. Diçka që nuk e hasim në Maqedoni.

Një regjim i këtillë kompleks edhe gjatë kohë do të reflektojë në botën tonë, sepse gjithë vitet sa është i instaluar nuk bëhen hasha shumë shpejt.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button