Letër e hapur për Ali Ahmetin!

z. Ali Ahmeti, kjo është një letër e hapur-pubilke-e botuar, jo se nga që nuk ju a di adresën, po duke qenë se ju jeni person publik, mendova që letra të kishte këtë teknikë. z. Ahmeti, në Maqedoni ka plot probleme, ose më mirë të flas me një stil më popullor: nuk ka një mal me halle, po ka vargmale hallesh!
Zotni Ahmeti, një nga majat e mprehta që nuk po e kapërcejmë dot është Shkollimi.

Unë jam edhe profesor, kam një njohuri apriori se si duhet të jetë atmosfera në një Universitet, po këtu tek ne, po shkohet drejt disa vendeve afrikane të mbrojtur nga UNESCO, që rrojnë ende të organizuar në Fise ose Tribu!

Universiteti i Tetovës është fenomen në zhdukje z. Ali!
Po bëhet nga Universiteti i Tetovës në Marifeti i Tetovës!
Profesorët e çuditshëm, me të aftë dhe plot të paaftë!
Rroga të larta për të paaftët, rroga ofenduese e poshtëruese për të aftët!
Diplomat janë kthyer si letra higjenike!
Sot diploma është kthyer në çështje: ke para? Epo e gëzofsh diplomën!
Ata të Shkupit na tallin more z. Ahmeti!

Po ky ministri shqiptar i Arsimit duket se nuk i ka me qejf shqiptarët, se është evidente që ka filluar të asgjësojë Universitetin e Tetovës, po ju z. Ahmeti, ndoshta jeni më i kthjellët dhe bëni ndonjë lëvizje. Ju a drejtoj këtë letër pasi ju jeni pjesë e pushtetit, ju mund të bëni diçka!
Se ndershmërisht unë dhe ekipi im bëhemi gati të konkurojmë për pushtet, dhe në planin tonë kemi ca punë urgjente për të bërë si përdorimi i gjuhës shqipe për shembull, që ju nuk e arritët dot, po natyrisht çdo njeri bën aq sa mundet, dhe ju kuptojmë, por këtu është puna ndryshe!

Kjo punë është Urgjente! Se nuk mund të falet shuarja e një rinie të tërë z. Ahmeti!
Ne ishim mësuar prej vitesh ca të nënës e ca të njerkës, po mendojmë që nuk mund të jeni aq njerk kur vjen puna te gjaku juaj o z. Ahmeti!
Kjo letër është në emër të të gjithë shqiptarëve të ndershëm, dhe në mënyrë të veçantë nga Universitas Magistrorum et Scholarium.
Për t’a mbyllur z. Ahmeti kam shkëputur vetëm disa fjali që z. Abraham Lincoln shkruante për mësuesen e birit të tij: “Mësojini se në shkollë është shumë herë më e ndershme të gabosh sesa të mashtrosh. Mësojini të ketë besim në idetë e tij edhe pse të gjithë do t`i thonë që janë të gabuara. Mësojini të jetë i sjellshëm me njerëzit e sjellshëm dhe i ashpër me të këqinjtë. Mundohuni t`i mësoni fëmijës tim forcën për mos të ndjekur turmën edhe pse të gjithë hidhen mbi qerren e fituesit. Ështe një djalosh kaq i mirë, im bir! …”
Kështu z. Ali Ahmeti, janë kaq të mirë shqiptarët, dhe nuk dua të besoj se me të vërtetë janë kaq jetim…

Arben Taravari, Lëvizja për reforma të PDSH-së, mjek dhe mësues ne fakultetin e mjeksisë

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button