I PËRJASHTUAR

Nga turma, nëpër një shi të imët, e shikonte liderin në tribunë duke folur me të ngritura të dorës dhe me grusht përpjetë. Mbi qytet shtrihej një atmosferë e plumbtë, në kuptimin e ngjyrës. Sheshi i mbushur me gropa e gropat me ujë, balta, tymi i makinave të vjetra që parkoheshin nëpër birucat me mbeturina e lluca duke e plotësuar dhe duke i dhënë identitetin e mjerimit të qytetit. E dëgjonte liderin që i jepte zor duke rrahur gjoks se ai me njerëzit e tij kishin bërë të pamundshmen për ta çuar vendin përpara. Ai, luftëtari i UÇK-së, i mbetur diku në skaj të grumbullit të njerëzve iu hidhte një sy herë pas here kontejnerëve të stërngarkuar, qeseve të najlonit që i kishte hedhur era nëpër degë e nëpër telat e rrymës elektrike apo të telefonit, mobileve të vjetra që kalbeshin në shi, pllakave të thyera të banjove që njerëzit i kishin hedhur, bashkë me mbeturinat tjera, të cilave as shiu nuk ua largonte dot erën e rëndë. Si fliste lideri, pra sa më shumë që e zgjaste fjalën e tij për ta bindur turmën se ai ishte më i miri, aq më e padurueshme bëhej era. Luftëtari i dikurshëm, me gjithë faktin se nuk u besonte fjalëve, donte ta dëgjojë se çfarë thotë lideri, ku ta dish pse. Përnjëherë e mblodhi veten e mori të largohej, sepse s’e duronte erën e rëndë. Nuk mund të dalë se turma prapa tij ishte shtuar shumë. Megjithatë u përpoq. Kot. Kur u kthye të dalë i pa fytyrat e njerëzve në të cilat herë lexohej një indiferencë e herë një shprehje që thotë se s’do të kisha ndenjur këtu, por e kam me domosdo, jam i detyruar, se syri i partisë është i madh, më sheh e o mbetem pa punë o, ku ta dish… Dhe, njerëzit, disa me çadra, të tjerët pa to, qëndronin në këmbë ku fjala e liderit dominonte me jehonë në hapësirën e mjerimit, me shtëpi të filluara, po të pambaruara, me ndërtesa të ngritura në zgrip të asfaltit, pa fasada. Luftëtari vazhdoi të qëndrojë në këmbë duke e qortuar kureshtjen e tij që e mbajti aty midis turmës ta dëgjojë një tregim të përsëritur e të stërpërsëritur, një tregim nga ata, tajfa e liderit, që ka për qëllim t’i vërë në gjumë njerëzit.

Pastaj mbaroi fjalimi i liderit. Edhe fjalimet e anëtarëve të tajfës. Bashkë me ta pushoi edhe shiu. Turma nisi të shpërndahet thuajse në heshtje dhe luftëtari e ndjeu të lagëtin në trup. Ndërkohë, nisi të bjerë terri. Reflektorët që ishin vendosur për ta shndritur tribunën e vendosur në sheshin e zymtë tashmë i kishte gëlltitur nata. Këmbët e tij thuajse dikush “i porosiste” të shkonin e të binin nëpër gropat e mbushura me baltë. Ai u mundua të kërkonte shpëtim nga dritat e zbehta të vitrinave të dyqaneve të vogla, por pa sukses. Në fund i ra për midisi. Nëpër hurdha e nëpër lluca.

Ka disa vite që luftëtari i kishte ndenjur besnik partisë dhe kishte marrë pjesë nëpër tubimet e saj. Ngashënjehej nga fjala e liderit dhe nga ata pak që e rrethojnë. Më vonë, nisi t’i pengonte pak se kur flitnin krerët tjerë partiakë e imitonin liderin dhe s’bënin fare përpjekje që ta ndërtojnë personalitetin e vet politik, të bëhen vetvetja, por mendonte se ata janë të rinj me kohë do të vijnë në vete. Kaluan vite, kurse ata nga kreu insistonin të bëhen fotokopje e liderit. Dikur kjo në një anë dhe shndërrimi i politikës në një ujë amull, në llucë dhe amullia e përgjithshme në popull, ia fshiu si me gomë shpresat nga politika. Sa shumë kishte pritur se partitë politike do t’i sillnin ndryshimet e ëndërruara, ato ndryshime që do ta shpinin vendin drejt Evropës me zhvillim dhe me mënyrë të qeverisjes demokratike të vendit e kuptohet – larg gënjeshtrës, mashtrimit, manipulimeve, korrupsionit e manipulimeve, asgjë nuk doli. Kot, tha.

E lëvari kokën dhe iu drejtua shtëpisë. Pesë fëmijët që kishte, të vegjël, më i madhi në klasën e gjashtë, kurse i pesti foshnjë, e prisnin me shpresë mos u ka sjellë ndonjë bonbone, por në të shumtën e herëve e merrnin përgjigjen si një dush të ftohtë: herën tjetër, babi do t’ju sjell… Ata pastaj lëshonin pas një kompjuteri të vjetër të cilin ua kishin falur për sevap – lojëra agresive e kështu me radhë. Luftëtari pikëllohej, por ishte i bindur se do të vinte një ditë me një strajcë plot çokollata për pesë fëmijët e tij.

Gruaja e tij e dashur, që dikur ishte e shkathtë si vidër, tashmë ishte tjetërsuar. Nuk ishte ajo grua gazmore që krenohej me të shoqin – luftëtar të UÇK-së. Ajo e kishte humbur më herët krejt besimin te ata burra të UÇK-së që u bënë politikanë të UÇK-së. Sa herë që shfaqeshin në TV, gruaja menjëherë e ndërronte kanalin dhe kohën e treste duke ndjekur serialet turke, ku në mos tjetër, e harronte mjerimin në të cilin kishin rënë ata si një familje e një veterani të luftës me merita. Gruaja mendonte se shokët e kishin marrë në qafë burrin e saj, se e kishin harruar. Ndoshta me qëllim.

Ajo thuajse nuk komunikonte më as me të shoqin. E kishte pushtuar të gjorën një limonti e cila lehtë mund ta çonte në depresion.

Luftëtari hynte në shtëpi, rrinte pak, i përkëdhelte fëmijët dhe përsëri dilte. Para për kafene nuk kishte, kështu që shikonte të gjejë njerëz të njohur që bisedonin diku në udhëkryq, para ndonjë dyqani a para bastoreve të shumta ku mblidhen ata që aty e kërkojnë shpresën e humbur. Ndalej me ta, ndërronte ndonjë fjalë, por shpejt e shihte se edhe ata varfanjakë nuk e trajtonin si të barabartë, sepse ishte i papunë, me gjashtë gojë që presin bukë për çdo ditë.

Ai nuk u kishte zili atyre pse e mbanin veten më të veçantë, as nuk e lidhte fatkeqësinë e tij që e kishte hedhur në varfëri me ndonjë arsye të këtillë ose të atillë. Të tillë janë njerëzit e popullit. Mirëpo nuk e kishte njësoj kur dëgjonte se shumë shokë të tij të luftës ishin pasuruar brenda natës pa derdhur asnjë pikë të djersës. Habitej se si kalonin me vetura të shtrenjta pranë tij dhe bëheshin se nuk e shohin. Habitej se si i kishin shkelur idealet. Në luftë kishin shkuar për liri – jo për t’i mbushur arkat me lira. Kishin shkuar për barabarësi. Dhe, të kenë punë sa për kafshatën e gojës.

Por vitet kalonin. Luftëtari binte materialisht në humnerë, ndërsa shokët e tij që ishin ngjitur në tajfë notonin në detin e luksit.

Gjatë gjithë kohës i renditeshin mendime të ndryshe. Ëndërronte se një ditë, megjithatë, fëmijët e tij do të jenë të lumtur dhe gruaja e tij e dashur do të largohej nga serialet, të cilat kishin filluar t’ia topisin mendjemprehtësinë me të cilën ajo dikur dallohej.

Pastaj: kriza. “Bombat” e “kundërpërgjigjet”. Tajfa nuk merrte anë. As andej – as këndej. Luftëtari mendoi se i mbrojnë frytet materiale që u ka sjellë pozita. Pastaj – burgjet me të burgosur politikë shqiptarë… Papunësia e madhe e shqiptarëve. Ikja në masë e rinisë shqiptare nga fshatrat e qytetet.

Pastaj pikëllimi. Dhe, në përpjekjet për të dalë nga kjo krizë shqiptarët janë të përjashtuar. Të përjashtuar në këto bisedime, të përjashtuar nga bisedimet për emrin e vendit, të përjashtuar në projekte, të përjashtuar në programet mësimore, të përjashtuar në institucione dhe të getoizuar nëpër komuna që s’janë komuna, të fyer – “indianë”, “shqiptari”, të përjashtuar nga projektet e kulturës, të përjashtuar nga projektet e përmendoreve, të përjashtuar, të përjashtuar, të përjashtuar…

Gjatë këtyre përsiatjeve vazhdimisht në fund i dilte parasysh lideri me tajfën e tij. Dhe, një zë i bërtiste: të përjashtuar, të përjashtuar!

E kanë humbur torruan këta torrlues. Ne kemi mbetur të përjashtuar, mendoi.

U ngrit, shkoi me vrap në mashën, hallakati atje dhe e gjeti kursimin që e kishte fshehur për kohë të vështira. Do t’i marr grua e fëmijë e do t’ia mbath kah Evropa. Nuk mundem më të jetoj si i përjashtuar.

Nuk do të rri këtu të përpëlitem. Një herë jetoj. Dhe nuk do të lejoj ta çoj jetën në agoni me premtime boshe. Dhe, i përjashtuar. A të pres nga tajfa të cilës asnjë fjalë s’i del nga goja as në këtë krizë të thellë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button