Kosovë, opozita diskuton detajet e protestës

Liderët e partive të opozitës në Kosovë janë takuar sërish këtë të hënë në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje, për të diskutuar mbi protestën e paralajmëruar të 18 prillit.

Në përfundim të takimit, me mediat komunikoi nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti, i cili bëri të ditur itinerarin e manifestimit të fundjavës së ardhshme.

“Protestuesit do të mblidhen në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ dhe do të marshojnë drejt KEDS-it, pastaj pranë Gjykatës Kushtetuese, për të përfunduar para televizionit publik”, saktësoi Ahmeti.

Ai theksoi qëndrimin e përbashkët të liderëve të opozitës, Haradinaj, Ymeri dhe Limaj, se çmimi i lartë i energjisë elektrike, vendimet politike të gjykatave dhe ngjarjet e fundit në RTK e kanë bërë situatën në Kosovë të papranueshme.

“Çmimi i shtrenjtë i energjisë elektrike, vendimet e Gjykatës Kushtetuese të marra mbi interesa personale e politike, si dhe ngjarjet e fundit në RTK, kanë bërë që përmes protestës t’u thuhet institucioneve të vendit mjaft më këto politika”, deklaroi Ahmeti.

Ai bëri gjithashtu të ditur se gjatë javës do të ketë edhe dy takime të tjera mes liderëve të opozitës, në mënyrë që të koordinohen sa më mirë për mbarëvajtjen e protestës.

“Protesta do të jetë paqësore dhe organet e rendit janë njoftuar përmes mediave për mbajtjen e saj”, shtoi nënkryetari i Vetëvendosjes. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button