Walther tifozëve “kuq e zi”: “Do ta zhvillojmë klubin e zemrës”

Shkëndija sot luan ndeshjen e Kupës së Maqedonisë, ndërsa në kampionat pas shtatë xhirove të zhvilluara ka mbledh vetëm shtatë pikë, me vetëm një fitore, 4 barazime dhe 2 humbje, një bilanc që padyshim nuk kënaq tifozët dhe kryesinë e kuqezinjve. Mirëpo drejtori i klubit Mathias Walther është munduar të qetësoj tifozët kuqezinj me deklaratë përmes medieve. 

“Para afër gjashtë javëve ne me një entuziazëm të veçantë i thamë PO Shkëndijës. Marrëveshja jonë ishte të mirëkuptojmë dhe të ndihmojmë njëri tjetrin, të kemi durim. Ne që në fillim e kemi ditur se javët dhe muajt e parë te këtij projekti madhështor do të kemi edhe momente të vështira. Dhe pikërisht në kohë të tilla shihet se kush me të vërtet e mbështet këtë projekt dhe kush ia kthen shpinën mbas një stuhie të vogël”, thotë Wallther, duke shtuar “Të dashur Ballistë, të dashur Tifozë, ne do ta zhvillojmë Klubin e Zemrës sonë në një klub të madh me të cilin të gjithë do të mburremi, dhe këtë premtim ua shpreh edhe një herë. Por i lejoni ekipit, trajnerëve, menaxhmentit dhe sponzorit tonë fantastik kohën e nevojshme që t‘i përshtaten njëri tjetrit, të zhvillohen, të stabilizohen dhe të vendosin gjërat nëpër vendet e tyre. Mendojeni ju lutem prej çfarë situate u krijua kjo lidhje madhështore dhe ku kemi qenë para 6 Javësh. Përmbani Klubin e zemrës dhe njerëzit që qëndrojnë pas këtij projekti madhështor, mos nxitoni shumë me komente të panevojshme, nënçmuese dhe destruktive.

Kjo dukuri e dëmton projektin dhe sjell vetëm shqetësime të panevojshme. Mos e mendoni vetëm atë çfarë duhet të bëjë Shkëndija për ju por mendoni më mirë çfarë të mire mund të bëni ju për Shkëndijën në momente të tilla. Nënkuptohet se ju gjithmonë mund të shprehni komentet dhe kritikat tuaja konstruktive nëpër mediat elektronike, por ju lutem, JO nënçmime dhe sharje të ulëta personale”, pohon drejtori Mathias Walther, duke shtuar “Të gjithë duam bashkë të fitojmë, dhe do të triumfojmë të gjithë bashkë.

Të jeni të sigurt se të hënën, pas lojës së fundit, ekipit dhe stafit të trajnerëve shumë qartë ua kemi shpjeguar se kemi mirëkuptim të plotë në qoftë se gjërat akoma nuk funksionojnë 100%. Por ajo çka ne të gjithë kërkojmë prej skuadrës dhe çdo bashkëpunëtori të ngushtë të saj, është një kërkesë shumë e drejtë dhe legjitime duke filluar prej sponsorit tonë deri tek fansat fantastik, është kërkesë që çdo njëri të jap 100%, nëse ka nevojë edhe të “çahet” me angazhimin e tij. Ekipi tanimë e ka shumë të qartë këtë kërkesë, edhe konsekuencat i dinë shumë qartë,dhe ma se voni në dimër do t‘i ndjejnë ata të cilët nuk do të përmbushim kërkesat dhe dëshirat tona. Pikërisht për ketë arsye tani unë dhe skuadra jonë presim prej jush, Ballistëve dhe të gjithë Fansave tonë një përmbajtje të pakufizueshme, qëndrim të pa kushtëzuar pas ekipit tonë”, përfundoi Wallther.

Lajme të ngjashme

Back to top button