ANALIZË: Premtime të shtrenjta qeveritare apo populizëm i pavlerë?

Rroga më të larta, rritje e dyfishtë e ndihmës sociale, tablet-kompjuterë për studentët, bursa më të larta për studentët dhe nxënësit. Vetëm për disa ditë, kryeministri Nikolla Gruevski, në kulmin e fushatës politike të VMRO-DPMNE-së, qytetarëve u dha premtime të reja që duhet të financohen me para nga buxheti. Pas kësaj pakoje të re të premtimeve, qeveria tani duhet të përgjigjet se prej ku, si dhe me çfarë parash do t’i financojë këto harxhime – vlerësojnë ekonomistët. A do të shkurtojë prej ndonjë projekti, që të realizojë projekte të tjera, a do të ketë nevojë të merren kredi të reja, dhe sa të gjitha këto paralajmërime, në mes të krizës politike, praktikisht kanë dimension politik, nëpërmjet të të cilit qeveria aktuale kërkon mënyrë për të mbetur në pushtet?

Prej ku para për rroga, ndihma sociale dhe bursa më të larta

Në vend të rritjes së rrogave për 5%, siç ishte planifikuar fillimisht, për ata që i marrin rrogat nga buxheti, rrogat e rreth 10.100 të punësuarve në polici, deri në vitin 2017 do të rriten edhe deri në 20%. Në vend të rritjes së ndihmës sociale për 5%, ajo tani do të rritet për 10%. Edhe pse nuk ishte e planifikuar, qeveria vendosi t’i rrisë edhe bursat studentore. Nëse analizohen këto premtime, ato do të ishin lajm i mirë për qytetarët, veçanërisht për ata që marrin rroga nga buxheti, mirëpo këto paralajmërime kanë prapavijë serioze ekonomike dhe politike, vlerësojnë ekonomistët.

Që të mund t’i financojë këto harxhime të paparapara dhe të paplanifikuara, qeveria do të duhet të bëjë rebalanc të buxhetit, thotë profesori universitar Predrag Tërpeski.

“Në buxhetin e planifikuar aktual është paraparë rritje e rrogave për 5%, tani u paralajmërua rritje e rrogave për policinë deri në 20%. Edhe ndihmat sociale do të rriten dyfish nga ajo që ishte planifikuar. E gjithë kjo paraqet edhe ngarkesë plotësuese për buxhetin, gjë që nuk është planifikuar. Mendoj se diku në maj, qershor, qeveria do të duhet të bëjë rebalanc të buxhetit që të mund të sigurojë para për këto harxhime të paplanifikuara. Me rebalancin, së pari ka mundësi për rishpërndarje të parave, gjegjësisht ridestinim të parave nga projektet që nuk realizohen, për zërat që do të rriten tani. Mirëpo, megjithatë edhe përkundër ridestinimeve të mundshme të këtilla, që të financohen këto harxhime të reja, e pashmangshme do të jetë marrja e huave të reja”, vlerëson profesori Tërpeski.

Para do kohësh, në pyetjen se “Prej ku do të sigurohen para për rroga më të larta për administratën”, ministresha për punë të brendshme, Gordana Jankullovska, u përgjigj shkurt:

“Nga të ardhurat e rregullta të buxhetit”.

Sipas ministreshës, që të realizohet paralajmërimi për rroga më të larta, këtë vit do të nevojiten rreth 4 milionë euro.

“Me pagesën e rrogës së prillit të punësuarit në MPB do të marrin rroga që do të jenë për 5 për qind më të larta në krahasim me rrogën e marsit. Kjo do të thotë se për këtë qëllim qeveria do të duhet të sigurojë edhe 250 milionë denarë të tjera deri në fund të vitit, duke shtuar se harmonizimi do të vazhdojë edhe në 2 vitet e ardhshme”, deklaroi ministresha Jankullovska.

Pas kësaj deklarate mbeten të paqarta disa gjëra. E para, a do të sigurohen këto të ardhura nga të ardhurat aktuale të rregullta buxhetore, të cilat këtë vit do të jenë 2,65 miliardë euro dhe që janë destinuar deri në euron e fundit? Nëse rritja e rrogave financohet nga të ardhurat e rregullta aktuale, atëherë duhet të bëhet ridestinim i mjeteve nga zëra të tjerë. Në qoftë se kjo nuk është ashtu, atëherë, duhet të sigurohen mjete të reja, gjegjësisht hua, të cilat njësoj, si të ardhura buxhetore, do të përfundojnë për rroga më të larta, komentojnë ekonomistët.

“Qeveria as që ka para, e as që krijon para. Qeveria, gjegjësisht kryeministri, kur paralajmëron rritje të të gjitha llojeve të shpenzimeve nga buxheti, në fakt paralajmëron se ato do t’i marrë prej disa qytetarëve dhe do t’ua japë qytetarëve të tjerë. Jemi dëshmitarë për menaxhimin e keq të financave publike, gjegjësisht të buxheteve të Maqedonisë. Nëse diku jepet, kjo do të thotë se prej diku ajo duhet të merret, e në qoftë se atje prej ku duhet të merret nuk ka para, atëherë duhet të merret hua, brenda vendit ose nga burime të jashtme. Mënyrë tjetër për mbulimin e rrogave, ndihmave sociale dhe bursave më të larta – nuk ka”, thotë njëri nga ish-ministrat për financa, Xhevdet Hajredini.

Sipas projektimeve aktuale buxhetore, për këtë vit vetëm për rroga dhe kompensime për ata që marrin rrogë nga buxheti janë paraparë pothuajse 400 milionë euro, shumë kjo në të cilën tashmë është planifikuar rritja e rrogave për administratën për 5%. Mirëpo, që të realizohen edhe planet aktuale të harxhimeve, së pari duhet të realizohen projektimet për të ardhurat buxhetore, thonë ekonomistët. Poashtu, sipas tyre, këto paralajmërime bëhen në një periudhë kur qeveria me të madhe merr hua nga kreditorët e brendshëm, që tregon se ka rrezik për mosrealizimin e të ardhurave të planifikuara. Në fakt, vetëm muajin e kaluar, shteti në terrenin vendor mori hua prej 241 milionë euro, dyfish më tepër se sa që ishte planifikuar. Muajin e njëjtë, për shkak obligimeve për kthim të borxheve, qeveria ktheu 178 milionë euro, me çka në vend që borxhi të zvogëlohet, ai, në muajin mars u rrit për 63 milionë euro. Ky trend i marsit, sipas ekonomistëve mund të jetë sinjal se buxheti ballafaqohet me probleme të likuditetit.

“Nëse analizohen të ardhurat, mendoj se ato stagnojnë gjatë këtyre muajve të parë të vitit. Nga ana tjetër, sipas meje, debakël përjetoi edhe obligimi ligjor për pagesën e të dhënave për honoraret. Mendoj se ky obligim, i cili duheshte të sigurojë të ardhura plotësuese në buxhet, nuk i dha efektet e pritura, gjegjësisht të planifikuara. Ajo që është me rëndësi është se në muajin mars pati një huamarrje të madhe nga kreditorët e vendit, gjegjësisht qeveria mori hua dyfish më të madhe se sa që kishte planifikuar, që tregon se ndoshta ka probleme me të ardhurat buxhetore”, thotë profesori Tërpevski.

Përveç asaj se këto paralajmërime mund të kenë dimension problematik sa i përket likuiditetit të buxhetit, ato kanë edhe dimension politik, duke pasur parasysh se publikohen në mes të krizës politike, thonë analistët.

“Nga njëra anë, në raportet për përparimin e Maqedonisë, për çdo vit konstatohet se menaxhimi i financave është me kualitet të keq, mirëpo ne jemi edhe shembuj flagrantë, ku vetë ministri për financa, sipas materialeve të përgjuara, të cilat i publikon lideri opozitar, Zoran Zaev, tregon se gjendja me ekonominë është katastrofale. Këto masa për rritjen e harxhimeve janë në funksion të propagandës partiake-politike”, thotë Hajredini.

Sipas konturave aktuale buxhetore, këtë vit qeveria planifikon të mbledhë 2,6 miliardë euro, kurse të harxhojë 2,9 miliardë euro, me ç’rast deficiti buxhetor duhet të jetë 300 milionë euro, ose 3,5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sa paralajmërimet për shpenzime më të mëdha do t’i ndryshojnë këto plane ekonomike, do të shihet në të ardhmen, mirëpo sipas njohësve të rrethanave, është e qartë se arka buxhetore do të duhet të rishqyrtohet që të sigurohen mjete për realizimin e premtimeve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button