Vrasja në Tetovë, dëshmitarët për Portalb: Gjithçka ndodhi papritur! (FOTO)

Ndonëse dielli shkëlqente fuqishëm sot në Tetovë, të trishta dukeshin fytyrat e banorëve të këtij qyteti, të tronditur nga ngjarjet e mbrëmshme. Në një incident të armatosur në lokalin më të frekuentuar në qytet “Barcode” mbeti i vdekur i riu 22 vjeçar Altrim A. si dhe 9 të tjerë u plagosën. Gazetarja e Portalbit ishte në vendin e ngjarjes ku kishin mbetur vetëm gjurmë në kujtesën e dëshmitarëve por jo edhe ato fizike pasi që lokali kishte pastruar të njëjtat dhe ishte i hapur.
Vrasja Tetove

Askush nuk i di motivet, por të gjithë i panë pasojat. Për personin e dyshuar për vrasje për Portalb thonë se ka qenë problematik që më herët por edhe për viktimën thonë që shpesh është përfshirë në zënka.
Flitet se zënka mes tyre ka filluar më herët diku jashtë lokalit, ndërsa personi i dyshuar për vrasje është kthyer më vonë për të qëruar hesapet me viktimën. Ai ka kërkuar që të del jashtë viktima por ky ka refuzuar dhe në atë moment ai nga jashtë ka gjuajtur me armën, sipas policisë – pistoletë me kalibër 9 milimetra, në drejtim të tavolinës ku ka qenë viktima dhe shokët e tij të cilët gjithashtu mbetën të plagosur. Pas kryerjes së aktit, gjithnjë sipas dëshmitarëve i dyshuari nga fshati Reçicë e Vogël ka mbetur i plagosur në kraharor dhe tani gjendet në spital në Shkup jashtë rrezikut të jetës. Policia nuk zbulon detaje por thotë që ka kapur të  dyshuarin. Nga raporti policor marrim vesh se personi që dyshohet se i ka ndihmuar atij është në ikje dhe për të është lëshuar fletë-arrest.
Vrasja Tetove

Të punësuarit në këtë lokal thonë se gjithçka ka ndodhur papritur në ora 22 e 5 minuta kur kanë dëgjuar krismat.

“Isha duke dërguar pijet deri te klientët. Papritmas dëgjova dy krisma, më pas edhe tre ose katër të tjera. Të gjithë në panik në lokal filluan të ikin, disa të hynë brenda. Një i plagosur madje erdhi deri te bari. Nuk e dinim çka ndodh, shumica u shtrinëm përtokë mos të na kap ndonjë plumb. ”thotë për Portalb kamerieri që ka punuar mbrëmë kur ka ndodhur vrasja. Ai thotë që në mes të shokëve të viktimës që u plagos në këmbë është edhe djali i liderit të PDSH-së, Menduh Thaçi.

Më tej, Portalb bisedoi me një dëshmitar që kishte pësuar në krah nga përmbysja e tavolinës.

“Atmosfera ishte e bukur deri në atë çast kur dëgjuam krismat. Filluam të ikim jo nga jashtë por të hymë brenda, instinktivisht, edhe pse nuk e pamë nga erdhën të krismat. U tmerruam, nuk e mbaj dhe mend mirë si dolëm nga lokali, mua një tavolinë e përmbysur më lëndoi dorën dhe isha në spital” u shpreh dëshmitari.
Vrasja Tetove

Portalb bisedoi edhe me njërin nga pronarët e lokalit, Armend Zeqiri.
“Nuk kemi asnjë lidhje me personat që kanë kryer këtë akt makabër. Isha në orar punë por nuk pash saktë cka ndodhi në moment. Policia tani merret me rastin. Na vjen keq shumë për këtë. “ shprehet pronari. Në pyetjen a ka qenë sigurimi prezent, ai tha që lokali siguron vendin kur ka ndonjë mbrëmje të organizuar. Ai apeloi që të zgjidhet rasti sa më shpejtë duke shprehur ngushëllimin për fëmijën e viktimave.

Vrasja Tetove

Dielli vazhdoi të shkëlqejë, por jo dhe fytyrat që panë tmerrin e mbrëmshëm. Portalb u largua nga lokali me shpresë që asnjëherë mos të ndodhin gjëra të tilla.

LEXO: Policia zbardhi versionin e tyre për vrasjen në “Barcode” në Tetovë
LEXO: Versioni zyrtar nga spitali i Tetovës për incidentin e mbrëmshëm

Lajme të ngjashme

Back to top button