Si (nuk) u intervenua në Siri

Ngjarjet e fundit rreth krizës në Siri në pamje të parë dukej sikur e kishin kthyer përsëri botën në epokën e Luftës së Ftohtë. Në një vend të botës së tretë po zhvillohet një luftë dyvjeçare qytetare, ku SHBA-të indirekt përkrahin njërën palë, ndërsa Rusia palën tjetër. Njëra fuqi, në këtë rast Shtetet e Bashkuara, reagon ndaj përdorimit të supozuar të armëve kimike duke kërcënuar pushtetin sirian me intervenim ushtarak dhe fillon të lëvizë flotën e saj drejt Sirisë. Si kundërpërgjigje të njëjtën gjë tenton të bëjë edhe Rusia me ato pak anije që ka në Mesdhe. Paralelisht me këtë, të dy vendet vazhdojnë aktivitetin e tyre diplomatik për të bërë për vete sa më shumë shtete tjera të botës. Në fund, me anë të një manovre diplomatike ruse, gjendet një formulë kompromisi që shmang intervenimin ushtarak amerikan. Për dallim nga krizat tjera të dy dekadave të fundit, si Bosnja, Kosova, Iraku ose Libia, ku Perëndimi intervenoi edhe pa dritë të gjelbër nga OKB dhe përkundër mospajtimit rus e kinez, tani “detyrohet” të tërhiqet, të paktën përkohësisht. Duket pra sikur jemi kthyer në Luftën e Ftohtë, epokë kur Amerika nuk ishte e vetmja superfuqi globale dhe kur duhej gjithmonë të merrej parasysh edhe reagimi eventual i Bashkimit Sovjetik.

Interpretimi i këtillë i ngjarjeve gjithsesi kënaq ata qarqe që në këtë krizë shohin fillimin e fundit të dominimit të pakontestueshëm amerikan dhe perëndimor në botë. Fryma e këtillë ju ka dhënë shpresë të rrejshme edhe atyre qarqeve anti-amerikane në Maqedoni, një grushti të vogël shqiptarësh që shohin te Amerika një demon global anti-islamik dhe një pjese të madhe të maqedonasve që shohin te Vladimir Putin mbretin dhe mbrojtësin e botës sllave e ortodokse, i vetmi që ju bën ballë “imperialistëve amerikanë”. Megjithatë, fjala kyçe në gjithë këtë rrëfim ngelet fjala “në pamje të parë”, sepse në të vërtetë shkak për ngurrimin amerikan fare nuk ka qenë faktori Rusi. Shtetet e Bashkuara thjeshtë nuk kishin vullnet, as dëshirë për të sulmuar Sirinë dhe çka është më me rëndësi, ky lloj intervenimi kundërshtohej gjerësisht në gjithë botën perëndimore.

Gjatë luftës qytetare dyvjeçare regjimi sirian i ka dhënë disa herë shkas për intervenim NATO-s, pa patur nevojë për komplikime të mëtutjeshme nëpër organizata tjera ndërkombëtare si OKB-ja. Në ndjekje të “rebelëve” ushtria siriane dy vitet e fundit disa herë ka shkelur kufirin turk, ndërsa vjet madje rrëzoi një aeroplan turk në hapësirë ndërkombëtare. Nëse SHBA vërtetë do të kishte dashur të intervenojë në Siri, në NATO qysh atëherë mund të përdorej kapitulli 5 i traktatit i cili obligon vendet anëtare që në rast sulmi t’i vijnë në ndihmë njëra tjetrës. Në mungesë të këtij vullneti për involvim direkt në këtë luftë qytetare dhe duke u mjaftuar me përkrahje logjistike të rebelëve sirianë, ndoshta me shpresë se ata do të arrijnë të rrëzojnë Asadin me forcat e veta, këto incidente disi u arsyetuan dhe u mbyllën pa reagim adekuat. I zgjedhur dy herë nga elektorati amerikan me një platformë çështjesh të brendshme dhe kundërshtimi të politikës hiperaktive ushtarake të neokonzervativëve të Bushit, presidenti Obama nuk ka patur dhe nuk ka dëshirë për t’u hyrë avanturave të reja ushtarake. I mbështetur për muri nga dhuna në rritje në Siri, ai vitin e kaluar tërhoqi disa vija të kuqe për regjimin sirian që nuk besonte se do të kaloheshin, ndër të cilat kryesori ishte përdorimi i armëve kimike.

Për fat të keq Asadi vendosi të kalojë këtë vijë të kuqe muajin e kaluar. Me këtë çështja e intervenimit amerikan nuk ishte më çështje marrje anësh apo rrëzimi të një regjimi autoritar, sa çështje e ruajtjes së kredibilitetit amerikan në botë. Pra më tepër se një qëndrim agresiv ushtarak, qëndrimi amerikan ndaj Sirisë ishte ai i një luftëtari në mëdyshje që detyrohet t’i futet luftës për të rruajtur renomenë e tij dhe që do të evitonte intervenimin nëse gjendej mënyrë që kjo renome të rruhet edhe pa luftë. Në këso rrethanash erdhi edhe propozimi rus, i cili të paktën përkohësisht i ofroi mu këtë lloj rrugëdaljeje Obamës. Kjo dhe jo frika nga ndonjë kundërpërgjigje eventuale ushtarake siriane apo ruse, ishte njëri nga faktorët kyç për tërheqjen amerikane.

Faktor edhe më i rëndësishëm ishte opinioni amerikan. Anketat e bëra në ndërkohë në mënyrë konsistente tregonin se mbi 60% të qytetarëve amerikanë janë kundër çfarëdo lloj intervenimi, të çfarëdolloj intensiteti në Siri. Duke dashur të ndajë përgjegjësinë për një hap të tillë tejet jopopullor Obama vendosi të kërkojë mbështetje për intervenim edhe nga Kongresi amerikan, megjithëse nuk ishte i detyruar të bëjë një gjë të tillë. Mirëpo edhe në Kongres ai do të ndeshej me një kundërshtim të proporcioneve të ngjashme, siç tregonin një numër analizash nga “insajderë” të Uashingtonit. Për më tepër kundërshtimi vinte nga i gjithë spektri politik amerikan dhe përfshinte një numër të konsiderueshëm demokratësh të partisë së tij. Sipas të gjitha gjasave Obamën e priste një votë kundër, edhe më e rëndë se ajo që iu servua kryeministrit Kameron nga parlamenti anglez. Edhe në këtë rast propozimi rus erdhi në momentin e duhur, një ditë para se të votohej në Kongres.

Pra sado që të duket se ngjarjet e deritashme shënojnë një rrënie të fuqisë amerikane dhe demokracive tjera perëndimore, ato në të vërtetë më tepër flasin për nivelin e lartë të demokracisë në këto vende. Pa marrë parasysh se ka fituar dy herë në zgjedhje Obama, e as Kameron, nuk e ka interpretuar këtë si vizë blanko për të bërë ç‘të dojë brenda katër viteve, ashtu siç e kuptojnë këtë gjë pushtetarët tanë. Sigurisht as këtu në Maqedoni votuesit nuk aprovojnë projekte si Shkupi 2014, mbyllje mediumesh, burgosje gazetarësh, bllokada kufijsh, ligje diskriminuese e të tjera, pa marrë parasysh se në zgjedhje kanë mbështetur partitë në pushtet. Dhe në secilin rast alibija e vetme e këtyre partive, për çfarëdo veprimi jopopullor është se “populli na ka dhënë neve votën”, athua se me këtë janë bërë të dërguar të Zotit e jo përfaqësues të thjeshtë të popullit. E demokracia nuk funksionon kështu!

Sa i përket Sirisë, çështja e intervenimit eventual ushtarak është shtyrë vetëm përkohësisht. Disa hapa tjerë të gabuar nga Asadi mund të shtyjnë opinion perëndimor, e sidomos amerikan, në favor të intervenimit. Në një klimë të atillë të vullnetit për të ndëshkuar padrejtësitë nëpër botë, Amerika lehtë mund të rimarrë rolin e policit global dhe në atë rast Asadin nuk do të mund t’a shpëtojë as Kina, as Irani, as Rusia, as Putini, as “Shën Putini”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button