HAJGARE INDIANËSH

Në vazhdën e hajgareve të pajustifikueshme politike, kryetari i parlamentit dhe ministrja e punëve të brendshme i quajtën indianë deputetët shqiptarë. Dhe: kurkujt kurgjë!?

Të painformuarit mund ta relativizojnë këtë kastrabythje tamamile indianësh të gjendur në postet kyçe të pushtetit, të cilët po e rrotullojnë qorras timonin orientues të shkretëtirës, duke dizajnuar ardhmërinë tonë prej shkretasish, siç do të shprehej shkrimtari Ahmet Selmani. Por, përçmimin e përsëritur ndaj nesh nuk e hollon as për një qime madje edhe e dhëna se ata i pagëzuan me të njëjtën nofkë edhe kolëgët e tyre maqedonas, sepse na i kujton ulërimat histrerike të brohoritura në gjithë ato protesta, të organizuara tash e sa vite, kundër të drejtave njerëzore, kombëtare e qytetare të etnisë më autoktone të shkretishtes, në veçanti kundër shkollimit dhe arsimimit të  fëmijëve tanë, të maskuara herë si çapkanllëqe spontane nxënësish e studentësh axhami, herë si teke tifozësh të zjarrtë të skuadrave sportive. Ka ndodhur që këta të fundit, edhe kur janë organizuar dhe kanë shkuar me para shteti për të bërë tifozllëk në ndeshjet me ekipe sportive vendesh të tjera, të kërkojnë ulërimshëm komora gazi dhe vdekjen e bashkëvendasve të tyre të konceptuar për indianë. Kjo nxitje kujtese e formëson mozaikun e urrejtjes së orkestruar ndaj shqiptarëve, i bën të dukshme raportet e vërteta ndëretnike të zullullandit, e jep në pëllëmbë të dorës respektin zyrtar ndaj nesh.

E keqja është se këlbazat e pështyra në dinjitetin e një etnie të tërë kalojnë pa reagimin e pritshëm dhe të domosdoshëm qytetar, pa dënimin e këlbazaxhinjëve.

Në një vend normal, i pari që do të duhej të reagonte për kësi budallallëqesh do të ishte kryeministri i vendit, duke kërkuar ngulmësisht largimin e bushmanëve të papërgjegjshëm nga kreu i shtetit. Mjerisht, shteti ynë i dashur nuk është i tillë, ndaj dhe marshon drejt theqafjes. Ai ka një kryeministër, i cili ligjet që nuk i shkojnë për hoshafi i bën në silin okolu pa u }o{e. Këtë shembull qeverisjeje jep burrështetasi i luajve të antikitetit, sa herë që duhet të votojë ligje që mund t’i kontribuojnë stabilitetit të brishtë të vendit, si puna e ligjit për 4 rastet e kthyera të Hagës, duke qenë se nuk kishte bazë gjykimi në tribunalin e ngritur enkas për krimet e ndodhura në luftërat e fundit ndëretnike në vilajetet ish-jugosllave.

Njeriu që i ka të qarta këto vaki, ai që e kupton se çdo e drejtë e tij varet nga mëshira inekzistente e tjetrit, gjë që dëshmohet mirëfilli nga diskursi i kryepolisec së vendit, e cila: hem duhet t’na japë diçka që nuk dëshiron t’na e japë, hem nuk jemi mirënjohës për ato që na i jep…, lirisht mund t’ia vëndojë pikën rritës dhe perspektivës së avulluar në hajgare indianësh.

Sa gjynaf për vartësit e drejtësisë dhe lirive të dhuruara me këste të kërmillta kërkushësh!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button