Tragjikomikja e Gordanës, Trajçes, Indianëve dhe të tjerëve

Nuk e dij cila është më tragjike: të të quajnë indian apo të hidhërohesh që të kanë mveshur një mbiemër të tillë. E kam fjalën për bisedat famëkeqe mes ministres së policisë dhe kryetarit të parlamentit, të cilat kishim të gjithë “kënaqësinë” të dëgjojmë. Jam në dilemën cili mbiemër është më prekës, më ofendues ta them më mirë: ai i indianit apo ky tjetri i “shiptar”.

Secili prej tyre në mënyrën e vet është indikativ për marrëdhëniet ndërnjerëzore së pari përbrenda instancave më të larta të aparatit shtetëror, dhe së dyti ndërmjet qytetarëve të etnive të ndryshme që jetojnë në këtë vend. Janë epitete si këto që reflektojnë flakën urrejtëse mes maqedonasve dhe shqiptarëve të këtij vendi që me aq shumë bindje mundohemi t’ia mohojmë vetes dhe njëri-tjetrit, dhe që në mënyrën më të pastër reflektojnë marrëdhëniet ndëretnike të këtij vendi. Mbi të gjitha reflektojnë hipokrizinë e  madhe që mbizotëron në këto territore, sidomos në rangjet e atyre që duheshte të udhëheqin këto qytetarë drejt një pajtimi të madh dhe drejt një shteti demokratik të përfaqësimit proporcional dhe të drejtë në të gjitha fushat e qytetarisë.

Te ne mungon dialogu i vërtetë. Nuk dua të tingëllojë si klishe, por kemi të bëjmë me një sindrom ballkanik. Dialogun e vërtetë që duhet të jetë simbol i një shteti multikulturor ne nuk e kemi patur kurrë. Më kot synojmë idealin e një Belgjike apo një Zvicre të Ballkanit; është ide e bukur, por jo reale. Epitetet e këtilla janë fryt i retorikës politike ekskluzive dhe përjashtuese që mbizotëron botën politike të këtyre viseve dhe si të tilla ata pengojnë zhvillimin e demokracisë së mirëfilltë në këtë vend. Gjegjësish na pengojnë drejt rrugës tonë ideale drejt një “Zvicre” apo një “Belgjike” të Ballkanit.

Duke qenë në dijeni të këtyre realiteteve, e kam të vështirë ta përcaktoj se a duhet apo jo të hidhërohem ose të ofendohem nga këto fjalë që kanë qëllime fyese ndaj kombit tim. Nëse pyetem si Parim Marku atëherë them që këto fjalë më vrasin veshin, por jo më shumë sepse në këtë formë i has shumë shpesh në komunikimin tim profesional dhe jo vetëm. Nëse flas në emër të kombit tim shqiptar, kjo retorikë fyese është simptomatike për qasjen që kanë patur popujt tjerë të Ballkanit ndaj shqiptarëve që nga fillimi i kohës; me këtë jemi mësuar më, bile edhe kemi fituar një frikë paksa servile ndaj këtyre fjalëve, gjë që pasqyrohet tek liderët tanë dhe qasja e tyre me shumë pak vetëbesim çështjeve të mëdha. Por, të flasësh në aspektin politik në konstelacionin e sotëm mendoj që këto epitete nuk mund të shokojnë përfaqësuesit politikë shqiptarë më shumë sesa pyetja nëse do e pijnë kafen turke apo espresso, si rrjedhojë e këtij vetëbesimi të humbur dhe nisur nga vetvetja. Aq më pak mund të inicojnë ndonjë veprimtari revolucionare dhe reformatore politike.

Pse ndodh kjo? Arsyeja është shumë e thjeshtë. Sepse këta përfaqësues politikë çështjen e mirëqenies së popullit të vet, barazisë, lirisë, frymën demokratike dhe shtyrjen përpara të bashkëpunimit ndëretnik nuk e kanë të rëndësishme. Për ta, fatkeqësisht duhet të them, këto pyetje dhe këto ideale janë më shumë retorikë dhe demagogji sesa ndonjë program mbi të cilin bazojnë politikëbërjen e tyre të përditshme.

Përfundimisht: The joke is on us!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button