BAJRUSHIT

Përshëndetje miku,

Nuk më kujtohet saktësisht, ty sigurisht ende më pak, kur dhe si u njohëm.
Mund të kishte qenë në përgatitjet e shfaqes për Dervish Carën para nja njëzet vitesh në Tetovë, kur vija pothuaj në të gjitha provat? Uleshim afër afër me skenografin. siq ulen të dashuruarit, edhe regjisori Abazi, një Skender, ndoshta dhe dikush tjetër…shikoja si e stepisur ngjarjen, sidomos ty…as flisja as nuk doja t’më flisnin. Në errësirën e sallës së ftohtë të Pallatit atë periudhë vjeshte nisa të zbuloj magjinë e skenës…kur më vonë vazhdova të përcjell Teatrin shqiptar, shfaqet që më dukeshin të nevojshme i shikoja shpesh më shumë se sa nga njëherë…kjo që do ta them Bajrush s’ka lidhje me përvjetorin tënd, as me miqësinë: në shumicën e dramave referenciale për mua në rolet kryesore, pavarësisht skenarit,  ishe ti.. U tha edhe në promovimin e librit Ditari i një të çmenduri, se kur del në skenë Birinxhiu, tjerët përreth, kushdoqofshin dhe sidoqofshin, rradhiten vetëm pas Tij. Kjo mund atyre mos t’ua përkëdhel sedrën, ama në art si dhe në jetë përgjithësisht të vërtetat i zbulojmë pas kohës së tyre reale: privilegji të bashkëluajnë me më të mirin përbën shkollë teatrore në vete dhe ndërton biografinë, pasi një ditë, ama vetëm një ditë dhe jo sot, edhe Bajrushi do jetë i zëvendësueshëm…

…në Verën e Ohrit 2008 ndër ngjarjet kryesore ishte një shfaqe në regji të Piter Bruk, “u fikën dritat, nisi loja…”, salla e mbushur fund e majë, të gjithë të heshtur dhe seriozë, regjisori i famshëm. Ishte monodramë, pra gjithë përgjegjësia mbi një palë supe, kurse ajo, aktorja shtatshkurtër, zezake, humbej fare në skenë dhe skena dukej boshe sikur ngjarja henëz përgatitet të ndodhë. Hajde, i thoja vetes, durohu, ndoshta bëhet më mirë, mandej enkas isha nisur, ishte pak dhe punë inati…ama qejfi me inat s’bëhet. Mandej kush më ka faj që reperi im për monodramë ishte pikërisht Ditari i një të çmenduri, s’di sa herë e kisha parë…njëherë bile edhe në televizion, anise mendoj se teatri nuk është për ekran ose kërkon ndonjë mjeshtri produkcioni që ne ende nuk e kemi. Edhe kjo: kur filloi formati televiziv i Ditarit ishim më Barletin, atëherë as dhjetë vjeç s’ishte, kishte qepur sytë dhe shikonte thuaja pa fjalë, ashtu deri në fund! Kur një fëmijë përcjell më kujdes, mjafton t’i ketë paak shqisat e zhvilluara, ky është parametër i saktë dhe flet për cilësinë e përformimit ndoshta më mirë se sa një kritik që mund të thurr lavde profesionale, ngase ata ndonjëherë dijnë të bëjnë edhe qejfe, apo janë konjukturalë, kurse fëmijët dihet se si janë… 

…atë mbrëmje në Ohër, në monodramën e regjisorit të madh nuk durova as gjysëm ore. S’kishte energji aktorja, ndërsa unë, për bela, e krahasoja me Barjushin…as para as pas monodramës së Mikut, asnjë aktor nuk më është dukur me potencë të mbush skenën në mënyrën në të cilën ai e bëri këtë. Jo rastësisht shumica e konsiderojnë për majën e karrierës së tij, jo rastësisht gjithë ajo kilometrazhë e prezantimeve të Ditarit nëpër festivale kurorëzuar me shumë shpërblime, jo rastësisht libri dedikuar shfaqes dhe shumë gjërave joteatrore rreth veprës dhe jetës së aktorit, e që ndonjëherë janë më teatrore dhe dramatike se sa ngjarja skenike ngase flasin për jetën këtu, dhe për mentalitetin, për atë se si jemi ne dhe pse jemi në këtë derexhe. Ama, tjetërherë për kolektivet shqiptare brenda të cilëve kam qenë vetë, tjetërherë për teatrin për të cilin di mjaft nga kafetë e gjata me Bajrushin në Çarshi, si dhe nga rrëfimet me humor të zi të Kikit për periudhën sa ka punuar në disa projekte teatrore… 

…isha gazetare kur Bajrushi u kthye nga festivali i Kajros, më kujtohet fjala e bukur e rastit, e ngjeshur sa edhe e ngrohtë, që e mbajti i riu Ivan Dodovski, por vetëm këto ditë kuptova për profesionalizmin e aktorit i cili nuk ka pranuar t’a luajë shfaqen me skenografi të improvizuar, prandaj janë nisur me kamion të ngarkuar me skenografinë e plotë, rruga e gjatë 8.000 kilometra…sa veta njihni që e bëjnë këtë? kështu “të qepur pas profesionit” që mendoj se shpesh barazohet me “të dhënë pas jetës”: prandaj njerëzit e mëdhenj kanë sedrën e vogël, prandaj i mbështesin të talentuarit tjerë, dhe janë me difolt miq të mirë. Rrugëtimi drejt ëndrrës, po, është i gjatë (“…të pathënën e fsheh ndër alga zhgënjimi…) dhe as që matet me kilometra, por me, siq e thotë fjala: punë, talent, sakrificë dhe gjithsesi me familjen që të qëndron pas se atëherë nisesh në rrugëtim më kollaj, me më pak brengë – e din se gjithçka në shtëpi, edhe pa ty, funkcionon si duhet. Prandaj me të drejtë dje u përrmend bashkëshortja e artistit, ajo që e din edhe anën më pak të bukur të një karriere 40 vjeçare dhe të suksesshme, të cilën karrierë e ndërtojnë vetëm ata që, siq u tha në promovim, ecin nëpër autostradë të vetmuar, sovranë, pa konkurrencë, duke anashkaluar autostradën tjetër me kallaballëk ku njerëzit shtyhen, u bien me bryla njëri-tjetrit duke krijuar hapësirë për vete, me atë gërçin tipik të të dobëtit. 

…ai mbetet pubertetliu që nuk stepet para asnjë pengese qoftë kjo edhe pritje saorëshe për takim me ndonjë nëpunës injorant në Pallatin e ëndërrave në Ilindenska; djaloshi entuziast që kur të flet për ndonjë ëndërr të re teatrore “ti mbyll kufjen dhe nisesh drejt tij, sado larg që të ndodhesh”(D.Mustafiq), pasi, ëndrrat, po, realizohen, mjafton të besojmë dhe të lëvizim drejt tyre; ai mbetet I sinqerti se arti skenik, si gjithë artet tjera, s’e duron gënjeshtrën, improvizimin, imitimin.

Bajrush miku, me sytë që flasin ngrohtë e shikojnë larg dhe arrijnë Atje ku neve tjerëve nuk na lejohet…
Ose ndoshta po, s’i dihet, në ndonjë Ditë të bukur me diell…   

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes ndërmjet tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button