Deponia në Kërçovë, gërmadhë plehrash afër shtëpive

Shtëpitë e  vendbanimeve rreth  deponisë së mbeturinave në Kërçovë, jetojnë me erën e tymit nga djegia e mbeturinave. Fare pranë mbeturinave të bëra gërmadhë jetojnë shumë familje, të cilët ndihen të kërcënuar nga pasojat që mund të sjellë kjo deponi. 

 “Jemi ankuar edhe te institucionet por kjo nuk është diçka e re. Tashmë jemi mësuar. Para disa muajve mbeturinat ndizeshin dhe kjo ishte keq për gjithë qytetin e jo më për ne që jetojmë shumë afër. Këtë vit nuk i kanë ndezur por përsëri na pengon era e keqe me të cilën përballemi çdo ditë.” – tha një banorë i afërt i zonës ku ndodhet deponia.

“Nuk jeni të vetmit ju që vini të interesoheni për deponinë. Edhe përpara jush kanë ardhur shumë të tjerë dhe asgjë, asnjëherë nuk është zgjidhur. Deponia këtu do të mbetet dhe kjo nuk do të ndryshojë sepse askujt nuk i intereson për ne që jetojmë këtu afër.” – shtoi një banorë tjetër.

Drejtori i NP “Komunalec”, Zenel Jonuzi, tha që është i vetëdijshëm që kjo është çështje shumë e ndjeshme sidomos kur merret parasysh që hapësira rreth deponisë është një zonë e banueshme.

“Problemi i deponisë së mbeturinave në Kërçovë është problem i trashëguar me dekada. Andaj unë si drejtor i sapo emëruar nuk mund të them shumë në lidhje më këtë. Në bashkëpunim me Komunën e Kërçovës mundohemi të gjejmë një zgjidhje ose më saktë një hapësirë tjetër për deponinë,  sepse jemi të vetëdijshëm që zona afër saj është një zonë e banueshme dhe kjo është e rrezikshme për ato banorë dhe për shëndetin e tyre.

Ekziston mundësia edhe e një deponie të përbashkët me disa qytete të tjera por nuk është arritur një marrëveshje sepse secili qytet, për shkak të shpenzimeve të transportit, dëshiron që ta ketë më afër atë. Aktualisht kemi disa opsione tjera për të cilat jemi duke biseduar me komunën por ajo është më kompetente për këtë. Andaj fjala e fundit i takon komunës.” – shtoi Jonuzi.

Vjollca Abazi, nga sektori për urbanizëm i Komunës së Kërçovës, tha që aktualisht janë duke u realizuar diskutime sistematike në lidhje me gjetjen e një zgjidhje të mundshme por akoma nuk është sjellë ndonjë përfundim konkret.

Gjithsesi, derisa të gjendet një zgjidhje, këtyre banorëve ju duhet të vazhdojnë të jetojnë mes mbeturinave dhe mes dhjetëra qenve endacakë që kanë pushtuar zonën duke shfrytëzuar deponinë si burim të ushqimit të tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button