Renovës i takoi derbi i Pollogut

Edhe një herë Shkëndija i ka zhgënjyer tifozët e saj, duke pësuar edhe një disfatë në derbin lokal të qytetit, kësaj radhe më e suksesshme para kuqezinjve është treguar Renova e cila më këtë fitore është afruar vetëm një pikë ndaj Shkëndijës. Kuqezinjtë përveç disfatës që pësuan tani më e kanë të pamundur të luftojnë për titullin kampion, ndërsa e kanë vështirësuar edhe daljen në arenën ndërkombëtare.

Goli i vetëm në këtë ndeshje është shënuar në minutën e 50-të nga Ramadani i cili shfrytëzoi një gabim të Berishës dhe portierit Jovanovski.
Pjesa e dytë e ndeshjes ishte e kobshme për kuqezinjtë, që i vështirësoi edhe më shumë punën për të barazuar rezultatin, pasi me kartonë të kuq u ndëshkuan Artim Pollozhani dhe Sedat Berisha.

Në takimin tjetër Vardari mundi Teteksin me rezultat 2-0 dhe tani sërish kryeson renditjen me 52 pikë, një më shumë se Rabotniçki.
Në kuadër të xhiros së 24-të, Renova luan të shtunën ndaj Rabotniçkit, ndërsa Shkëndija do të luajë të martën ndaj Metalurgut. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button