Shkëndija dënohet me 3.000 euro nga FFM

Shkëndija rrikthehet të bëhet ekipi që ‘mbush’ arkën e Federatës së futbollit të Maqedonisë, pasi së fundmi Komsioni për Diciplinë pranë FFM-së ka shqiptuar gjobë prej 3 000 eurove për Shkëndijën dhe një vit pezullim për Komesarin për Siguri të ‘kuqezinjëve’, Rexhep Lumën. Pasi vetëm vjeshtën e vitit 2014 Shkëndija në arkën e FFM-së pagoi mbi 10 000 euro si pasojë e sjelljes së tifozëve në tribuna, për të njëjtat arsye duket se ky avaz do të vazhdojë edhe në vitin 2015. Gjoba e fundit në vlerë prej 3 000 eurove vjen si pasojë e ngjarjeve në ndeshjen e xhiros së 21 të Ligës së Parë më 22 mars me Teteksin në Tetovë.

Ndezja e mjeteve piroteknike dhe hudhja e gjësendeve të forta në teren nga ana e grupit të tifozëve ‘Ballistët’ dhe publikut në përgjithsi, si dhe parullat dhe korret me përmbajtje nacionale dhe politike janë arsyeja që bën Shkëndijën të ‘sponsorizojë’ FFM-në me 3 000 euro. Ndërkohë po në të njëjtën ndeshje delegati ka paraqitur komesarin për siguri Rexhep Lumën, për sulm fizik ndaj shefit të stafit teknik të Teteksit, Gorazd Mihajllov dhe si pasojë vjen pezullimi i tij në kohëzgjatje prej 12-të muajve, periudhë gjatë së cilës Luma nuk ka të drejtë të kryejë kurfarë funksioni në lidhje me sportin e futbollit.

Lajme të ngjashme

Back to top button