Dua ujë!

Ende e mbaj mend përmbytjen e parë, madje edhe në ëndërra vjen e sillet nëpër kokën time, si një kokë që i ka frikë, fobi përmbytjet. Jo, kjo nuk ishte e vetmja përmbytje që përjetova në jetë, madje këto të ditëve të sotme janë edhe më të rënda, valë uji  në momentin që të përpralsen në fytyrë, të ikën fryma, të shtanget trupi, zverdhohet lëkura, mbetesh gojë hapur sepse nuk nxjerr as edhe një A e as edhe një B, çudi ndoshta. Ndoshta pse që në vegjëli prindërit nuk më mësuan not prandaj dhe u fundosa një herë, por edhe ndoshta se po këta prindër nuk më kishin thurr në vesh shumë gjëra tjera, ujëra e valë nga më të ndryshmet, atëherë kur me të cilet u takova u shtanga, mbeta pa jetë si herën e parë të përmbytjes.

E di çfarë ujëra janë ata? Me shumë ngjyra, të zi, të njomë, të dërmuar nga zalli i tepërt i xhelozisë, ia ka nxirë xhelozia atë kaltërsi. Shpesh kam hasur situata kur ca ujëra të nxehtë të përvëlonin trupin. Pa mëshirë fare të hedhnin në fytyrë mijëra kova ujë, një pas një duke harruar se mund të mbysin një njeri. Pastaj aso sjellje nga më të egrat rrugës, në ndërtesën shumë katëshe, në fakultet, në autobus, në mesin e shoqërisë, sjellje të egra që as kafshët nuk i posedojnë kur gjenden në mesin e kafshëve të njohura. Keqardhje.  Uji i tyre ka fillu me u bë i zi. Në fillim mendoja se të gjithë ujrat janë të kaltërt, aso e kaltërte që e pikturoj në kokën time, por ç’ngjyra gjeta. Në mesin e shumë lumenjëve gjeta edhe ca këneta, të cilat mezi merrnin frymë, të cilat injoranca i kishte mbuluar me myshqe, e di çfarë uji më përplasnin para fytyrës, ujë që qelbej erë edukate të ulët, urrejtje, inat, mllef, e më shumti përqeshje për lumenjtë që kishin ngjyrë të kaltërt.

Më ka marrë kohë kjo puna e ujit me e kuptu, ndoshta pse unë notin se kisha mundur ende apo prindërit nuk më kishin mësuar ligësi. Apo ndoshta do duhej të vrapoja dhe besoja atë ëndërrën prej pilote, e ndoshta atëherë do shihja nga lartë ngjyrat e vërteta. Por jo, sepse i pashë edhe këtu, këtu pra në tokë. E din për çfarë uji më është djegur fyti ditë me radhë? Aso uji që sa hapë derën të gjuan një mijë përshëndetje të mira, te bardha, të buta. Më merr malli të pi ujë të sinqertë, ujë ku dashnia vlonë pandërprerë, aty ku dashnia i then kufijtë, barrierat i zhdukë sepse para vë guximin prej çeliku. Më merr malli të pi ujë të kaltërt që ti dalloj ngjyrat edhe më mirë e mos ti vërejë fare ato të nxirat.

Dua ujë të pastërt që kur derdhet nga gryka të nxjerrë fjalët më të mira që egzistojnë, sepse në fund të ditës e jetës gjithkush do mbajë në mend fjalën e mirë, si e ke bërë të ndihesh, çfarë i ke servuar, si e ke lënduar gjithçka. Fundja të gjithë paraqesim veten në çdo aspekt të jetës, si nga noti, si nga uji. Fundja të sillemi mirë e kemi në besim, pamvarsisht ujërave që na bien në fytyrë duke ditur se nuk dijmë not. Fundja ne jemi ne, neve na takon të themi edhe për ujërat e zi se duken të kaltërt. Fundja kur nuk kemi të themi diçka të mirë për ngjyrat e një uji, më mirë është të heshtim. Duaj ujë, atë ujë që më ka mbajtur gjallë, atë ujë sot e përgjithmonë e shpërndaj, sepse fundja unë jam personalitet në vete e askush nuk brengoset nëse notin nuk di. Dua ujë, shumë ujë të pi.

Lajme të ngjashme

Back to top button