Profil: Tenori shqiptar i skenave botërore, Ramë Lahaj

Kur flasim për arritje të mëdha botërore në fusha të ndryshme të artit, shkencës, muzikës dhe fushave tjera më të gjëra, patjetër se dëgjojmë edhe emra të shqiptarëve  dhe kjo na bën që të ndihemi shumë krenarë. I tillë është emri i të riut nga Istogu i Kosovës që arriti drejt skenave botërore të operas, fushë e cila, për dallim nga Tirana, e deri diku edhe Prishtina, për ne, shqiptarët e Maqedonisë, është pak e njohur dhe shumë pak i kushtohet rëndësi. Gjithësesi, talentët si ai nuk humbin shkëlqimin asnjëherë dhe për këtë periudhë të shkurtër, katër vite, të veprimtarisë së tij si tenor, ai u vlerësua nga artistë dhe pedagogë të mëdhenjë botërorë, duke marrë kështu edhe epitete superlative. Ky yll shqiptar shëndrit nëpër skena botërore dhe ky shkëlqim vezullues shprehet me zërin e tij briliant dhe aftësinë e fuqishme komunikuese me publikun.

Nëqoftëse e ndiqni vebfaqen e tij profesionale apo profilin e tij në Facebook, do vëreni jetën, ta quajmë, nomade të këtij tenori. Një ditë në Budapest, pastaj në Hamburg, më pas në Varshavë e Londër, e herë në vendlindjen e tij. Vet Lahaj, në një intervistë të dhënë për portalin “Zëri” thotë që depërtimi dhe suksesi që e ai e ka arritur shumë shpejtë nuk e ka habitur fare, pasi që në vitet e studimit si pikësynim i ka patur skenat e mëdhaja botërore, si atë të Royal Albert Hall Londrës dhe skena të ngjashme, pikësynim të cilin ai e bëri realitet.

I lindur në Istog të Kosovës, në vitin 1983, Ramë Lahaj, aktivitetin e tij profesional  muzikor e filloi në moshën 21 vjeçare, atëherë kur u regjistrua në Akademinë e Arteve të Tiranës, në klasën e profesorit, baritonit shqiptar Burhan Spahiut dhe me konsultime të herë pas hershme me sopranon Suzana Frashëri. Pasi që ka patur shumë mendime rreth llojit të zërit të tij, gjatë studimeve atë e kanë trajtuar si tenor dramatik, por në të vërtetë, gjatë bashkëpunimit me muzicient botëror kanë gjetur natyrën e zërit të tij që është tipik lirik. Pas mbarimit të studimeve, Lahaj punësohet si Drejtues Artistik në Televizionin 21 të Kosovës. Por, moment shumë i rëndësishëm për veprimtarinë e Ramë Lahaj-t si tenor, është pjesëmarrja e tij në një koncert të mbajtur në Akademinë e Arteve të Tiranës nga Radio Televizioni Shqiptar. Në këtë koncert, ashtu si pohon Lahaj në një intervistë të dhënë për emisionin Rubikon të KohaTv të Kosovës, Ermonela Jaho, sopranoja shqiptare me famë botërore, mbetet shumë e kënaqur nga këndimi i Ramës dhe në një bashkëbisedim të sajin me fotografin Fadil Berisha i rrëfehet për këtë talent të ri operistik. Pas kësaj, këtë bisedë F. Berisha e vazhdon me tenorin Saimir Pirgu, i cili pasi e dëgjon Lahajn i shkruan në një mesazh që puna të cilën e bën në televizion është gabim dhe përkushtimi dhe talenti i tij duhej të shprehej në audicione të skenave evropiane operistike. Kështu, Pirgu e njohton Ramën edhe me pedagogun e tij dhe me njërin prej agjentëve. Për këtë arsye Lahaj e quan Saimir Pirgun si dora e tij e artë, një personalitet i cili ia hapi dyert realizimit të idealit profesional të një tenori të ri.

Rruga e depërtimit në skenat operistike evropiane filloi në vitet 2010/2011 me konkurimet në audicione të shumta operistike, ku afërsisht në 90 përqind të këtyre konkurimeve ka qenë fitues. Pas debutimit dhe realizimit të suksesshëm të rolit sfidues të Alfredo Germontit në operën “La Traviata” të Verdit, të realizuar në Gjermani në Festivalin Eutin, Lahaj me të njëjtin rol merr pjesë në Lybeck të Gjermanisë, me çka morri kritika të shkëlqyera nga shtypi gjerman, ku e cilësuan si “zbulimi më i mirë i skenës operistike gjermane”. Në vitin 2012 ai bëri një tjetër debutim në rolin e Rodolfos në “La Boheme” në teatrin e Dortmundit dhe më vonë ai interpretoi të njejtin rol në operën nacionale të Montepellierit në Francë. Gjatë vitit 2013/2014 kishte një sukses të madh në Sempre Opera të Dresdenit në rolin e Duka di Mantova në operën “Rigoleto” dhe në Royal Albert Hall të Londrës këndoi  Rodolfon nga “La Boheme”. Në mars/prill të vitit 2014 “La Traviata” do të magjepste publikun e operës shtetërore të Hamburgut. Po të njëjtin vit, në Festivalin Puçini në Itali, ky tenor u shfaq në operën “Madam Baterflaj” dhe në Central Park të Stokholmit në koncertin memorial për  nder të Jussi Bjorling. Vitin 2014, Lahaj e mbyll me rolin e Duka di Mantova të operës “Rigoleto” në Teatrin e Operës së Salzburgut. Kurse, roli i tij i fundit, në mars të vitit 2015, ishte përsëri ai i Dukës, në Operën Nacionale Polake në Varshavë.

Si ç’e shohim në këtë rradhitje të mësipërme të roleve, operave, teatrove dhe qyteteve, nuk hasim ndonjë emër të qytetit apo institucionit muzikor shqiptar në Kosovë. Për çdo lexues kjo mungesë do ngjallte kurreshtje dhe në fakt, përgjigjen për këtë ia ka dhënë vet Lahaj publikut në një intervistë, ku pohon: “Realisht nuk kam qenë asnjëherë i ftuar zyrtarisht për ndonjë koncert apo ndonjë mundësi bashkëpunimi me Filharmoninë e Kosovës, që në fakt do ishte kënaqësi për mua të vi e të performoj për disa njerëz që e di se vërtetë kanë dëshirë të më dëgjojnë e takojnë atje. Unë para një kohe kam bërë një koncert intim të vogël në “Swiss Diamond” në Prishtinë, ku të pranishëm kanë qenë ata që vërtetë e duan artin e mirëfilltë. Besoj se shumë shpejt do të vi prap për një koncert të vogël për hir të atyre që mendoj se ja vlen vërtetë.”

Gjithësesi, arritjet e Lahaj-t drejt skenave të mëdha operistike botërore kanë ardhur si rezultat i punës dhe dashurisë për kanton: “Nuk i dua sukseset që vijnë shpejt e pa bazë, kam punuar shumë dhe vazhdoj ta bëj, sepse vetëm ajo vijë është e sigurtë dhe jetë gjatë” – shprehet Rama në një intervistë të dhënë për gazetën Zëri.

Të tjerët për Ramën…

Sabine Eschwege (shefe e KKB-Semperoper, Dresden)

Rama është shumë kolegë i dashur dhe i hareshëm. Puna me të është e lehtë dhe shumë shpejt ai arriti të krijojë atmosferë pune të këndshme, si për veten, ashtu edhe për stafin. Ne e takuam atë në performancën e tij të fundit “Tag der offene opern”. Ai performoi disa pjesë të shkurtëra prej “La Boheme” si Rodolfo, dhe bashkëpunimi jonë filloi prej performancës të tij të parë. Performanca e madhe triumfuese e tij e parë ishte interpretimi i Dukës në “Rigoleton” e Verdit. Ai është një djalë i ri mendjehapur dhe me një zë të jashtëzakonshëm. Rodolfo ka qenë shfaqja e parë e suksesshme e tij në shtëpinë tonë operistike.

Unë jamë shumë e emocionuar dhe me të vërtetë nga ai pres që të tregojë nga vetja edhe shumë gjëra të bukura në të ardhmen. Ne gjithashtu, dëshirojmë që ai të vazhdojë të jetë pjesë e ekipës sonë edhe ne vitet e ardhshme. 

Oliver Gooch (Dirigjent)

Rama është këngëtar shumë i mirë. Ai është shumë i ri, por e këndon repertorin Italian shkëlqyeshëm. Mund ta dallosh me ngjyrën dhe tingullin e zërit të tij që repertori Italian është vërtet ambienti i tij natyral. Po kështu, ai është i pashëm, karizmatik dhe ka brenda tij zjarrin shqiptar që shfaqet haptaz kur ai këndon. Rama është një djalosh i cili parapëlqen ndoshta 10.000 herë më shumë shfaqjen se sa provat. Mendoj se ai ndoshta, jo mërzitet, por nuk i shijon aq shumë provat se sa shfaqjet, por kur vjen koha e shfaqjes ai është si ndezja e një bombe, ndizet fitili dhe Rama kthehet papritur në një personalitet dhe këngëtar mahnitës në skenë. Ai ka, gjithashtu, edhe një qasje të mrekullueshme të pafajsisë rinore në të kënduar.

Të mundësosh ardhjen e dikujt me aftësitë e Ramës në Mbretërinë e Bashkuar, është shumë e dobishme për ne dhe në të vërtetë mes tenorëve me të cilët kam punuar mendoj se ai ka një cilësi të veçantë të zërit; cilësi të dhënë nga Zoti, talent për notat e larta pa marrë parasysh se sa trajnime ai mund të ketë bërë.  Pavarësisht sa ushtrohet ai, këndimi i tij ka një cilësi që ju bën ta dëgjoni. 

Alyson Cambridge (Soprano)

Është hera e parë që e takoj Ramën, dhe mund të them se ai si kolegë është shumë argëtues dhe energjik. Ne argëtohemi pa masë në skenë dhe ai mbart shumë pasion, entuziazëm dhe argëtim në rolin e Rodolfos. Ishte mrekullueshëm të ndaja skenën me të. Pasi u njohëm me Ramën më tregoi se në të vërtetë ky ishte vetëm viti i tretë që ai performonte si këngëtar profesionist operistik. Unë kam pothuajse të njëjtën moshë me Ramën dhe kam shumë kohë në këtë profesion, gati në vitin e dhjetë të karrierës sime profesionale. Më duhet ta pranoj se kur më tregoi që është relativisht fillestar në opera, u befasova sepse ka zë të mrekullueshëm dhe është këngëtarë i mrekullueshëm. Mendoj që e presin ngjarje të mëdha në karrierën e tij.

Paul Carr (Drejtor dhe Kompozitor)

Rama është i këndshëm. Është i ri, shumë entuziast, ndonjëherë i paduruar, me një fjalë i përkryer për rolin e Rodolfos, poetit të ri. Ai është dashnor i ri që të bën të të rrahë zemra fort, pra si të mos dashurohesh me Ramë Lahajn! Ka prezencë të mrekullueshme në skenë, aktron mirë e natyrshëm dhe këndon shumë bukur. Ai ka gjithçka që i nevojitet një këngëtari, arrin nota mahnitshëm të larta, mund të këndojë frazat muzikore në mënyrë perfekte dhe është shumë melodioz. Mendoj se nga të gjithë Rodolfot me të cilët kam punuar edhe më parë gjatë këtyre viteve në profesion, a është kohë mjaft e gjatë, ai është një nga të parapëlqyerit e mi dhe një nga më të mirët.

Merkel (Platforma Kulturore Ndërkombëtare për Teatër muzikor, Koncerte, Spektakle, Literaturë, Media, Ekspozita në Austri dhe në gjithë botën) në një recenzion mbi premierën e operës “Rigoleto” të Verdit në Teatrin Shtetëror të Salzburgut kur shkruhet për Ramë Lahaj theksohet “diksioni jashtëzakonisht i mirë” dhe “karakteristika muzikore dhe fizike, të cilat të rikujtojnë një përzierje midis Mario Lanza dhe Mario del Monaco”.

Muzikologu Daniel Url shkruan po ashtu recenzion mbi shfaqjen e operës “Rigoleto” në Teatrin e Salzburgut dhe thekson “Ramë Lahaj, i cili e portretizoi rolin e Dukës, ka një zë të mrekullueshëm me një ton të bukur dhe regjistër mjaft të mirë të sipërm (gjë që është shumë e rëndësishme për këtë rol). Ai këndoi me një lehtësi të paparë dhe në asnjë moment nuk tregoi shenjë lodhjeje. Gjithashtu, aktrimi i tij dhe fiziku u përshtatën në mënyrë të përkryer me rolin dhe kështu, performanca e tij reflektoi në përshtypjen e mirë të përgjithshme”.

Fisnik Haziri, student i vitit te pare ne drejtimin muzikologji, Fakulteti i Arteve, USHT.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button