Blendi Fevziu: Kënaqësia nga profesioni më e madhe se sakrifica (Intervistë)

Blendi Fevziu, drejtues i emisionit Opinion në TV Klan, analist, moderator dhe autor i disa veprave të botuara. Intervistë me “njeriun e medias”.

Intervistoi: Dijana Gj. Dukaj

Portalb: Si ndjehet B.Fevziu, në fillim të bisedës në rolin e të intervistuarit, për dallim prej punës së përditshme që bën?   

B.Fevziu: I pyetur apo pyetës, për mua është  thuajse e njëjta gjë. Në thelb qëndrojmë tek roli i gazetarit. Besoj se ai që di të pyesë  di edhe të përgjigjet! Ndaj jam komod. 

Portalb: Ju, gjithnjë e përsëritni se gazetaria ishte ëndrra juaj dhe e cila në realitetin e vet kaloi një rrugë të gjatë dhe po aq të suksesshme. Si ju duket kjo nga këndvështrimi i sotëm kohor? 

B.Fevziu: Besoj se kam qenë njeri me fat në  këtë drejtim. Ka pak njerëz  në  botë që ushtrojnë  profesionin që do kishin ëndërruar. Unë  ushtroj pikërisht këtë  profesion. Ka ditë  që ngrihem i lodhur, ka ditë që puna zgjat pa fund dhe më  duket sikur s’do mbarojë asnjëherë. Por kënaqësia që më jep në fund sigla e  emisionit  është e papërshkrueshme. Ndaj uroj që ky ritual të mos ndalë asnjëherë…

Portalb: Emisioni Opinion, në TV Klan, i cili jeton dhe vazhdon gjithnjë, madje, tashmë i përditësuar, a i ka plotësuar pritjet tuaja nga ideja fillestare, deri tek jetësimi dhe realizimi në përgjithësi?     

B.Fevziu: I ka tejkaluar. Kur nisa emisionin nuk mendoja që ai do zgjaste gjatë. Nuk e mendoja që emisioni do ishte kaq i rëndësishëm. Atëherë mendoja se gazetaria e shkruar ishte gazetaria e vërtetë dhe televizioni  vetëm diçka më popullore. E nisa me bindjen që s’do të zgjasë shumë. Tani jam në vitin e 18 dhe kam kaluar mbi 2500 edicione. Njeriu nuk di asgjë  në  botë, thotë Borhesi, sepse nuk di të ardhmen e tij. Dhe unë  besoj se ai ka të drejtë dhe këtu është edhe bukuria.

Portalb: Sipas vlerësimeve, emisioni Opinion, në TV Klan, vazhdon me interesimin  gjithnjë në rritje të shikuesve të vet. Kjo, sipas mendimit tuaj, për nga temat e trajtuara me të ftuar në studio, mënyra e drejtimit të tij nga ju, apo diçka tjetër?  

B.Fevziu: Besoj se është  një miksim i të gjithave. Kur nisi, sekreti i tij ishte formula ndryshe dhe e pa aplikuar ndonjëherë. Një model ndryshe në  TV. Më pas, suksesi qe tek debati dhe ballafaqimi politik. Në 2008 kur vendosa ta vijoja të përditshëm besoj se bëra zgjedhjen e duhur. Ideja e një emisioni që dilte nga politika dhe shkonte në gjithë fushat e tjera, sociale apo politike, i jepte një tjetër dimension emisionit. Ishte me rrezik por me gjasë  kjo u pëlqye nga publiku. Në fakt këtë vit, kam vënë  re se temat e ditës janë  më të rëndësishme se sa debatet konceptuale. Ndaj ne jemi fokusuar tek temat e ditës.

Portalb: Njëra ndër temat më të përfolura lidhur me të sotmen e mediave është liria e tyre, liria e fjalës, pavarësia e mediave dhe gazetarëve. Cili është opinioni juaj lidhur me nivelin e arritur në këtë drejtim?

B.Fevziu: Vijon të mbetet problematike, madje më shumë se problematike, por unë personalisht, për hir të rrethanave, nuk e kam ndjerë mbi vete këtë gjë. Ky nuk ka qenë një problem për mua. Deri më sot, askush nuk më  ka kërkuar të bëj diçka që nuk dua ta bëj.

Portalb: Ju, jeni profesionist në punën tuaj  të përditshme. Çfarë nënkupton kjo? Aq më parë pasi fjala është për një profesion me interesin më të gjerë publik?

B.Fevziu: Këtë nuk e di! Më thjeshtë, mund të ma thoni ju!

Portalb: Unë, jam rritur në familje gazetareske dhe e di mjaft mirë me sa sakrifica duhet kryer kjo punë. Si ia arrini ju, të harmonizoni të gjitha obligimet, përgatitjet për emisione, udhëtime, kontakte, gjurmime e kështu me radhë dhe, në anën tjetër, familja, miqtë…? 

B.Fevziu: Meqenëse jeni rritur në një familje gazetarësh ju besoj se e dini mirë se çfarë duhet të sakrifikojë një gazetar për të mbajtur në këmbë karrierën e tij. Ka shumë gjëra që nuk i bëj dot. Ime bijë më thotë gjithnjë që është vajza e një njeriu që s’ka asnjëherë kohë me bollëk, por unë i falem Zotit për gjithë këtë kohë që më ka dhënë dhe mundohem ta shpenzoj atë me shumë kujdes. Deri tani besoj se ja kam dalë. Asnjë sakrificë nuk është më e madhe se kënaqësia që  më jep profesioni që bëj.

Portalb: Të shkëputemi pak nga tema e gazetarisë dhe të flasim për një lëmi tjetër, për ju, po ashtu, shumë të ,dashur. Librat, respektivisht veprat që ju kini shkruar. Duke filluar nga viti 1992, me librin “100 ushtarë” dhe deri te libri më i ri “Ahmet Zogu”, botuar vitin e kaluar. Si ia arrini të jeni kaq i frytshëm edhe në lëmin e veprimtarisë letrare, publicistike…?

B.Fevziu: Letërsia ka qenë dashuria ime e parë. Pasioni dhe sfida ime. Gazetaria erdhi mbrapa. Edhe pse kjo e fundit  ja ka zënë sot vendin letërsisë, pasioni i të shkruarit ka mbetur i patjetërsuar.  Ndihem mirë në të dhe shpresoj që kam ende tituj dhe libra të tjerë përpara.

Portalb: Bashkëpunimi i njerëzve të profesionit është i domosdoshëm për të avancuar punën dhe pikësynimet e përbashkëta në të mirë të profesionit. Sa jeni ju i kënaqur me bashkëpunimin dhe raportet e përgjithshme me kolegët në mediat tjera? 

B.Fevziu: Mjaftueshëm i kënaqur. Edhe pse s’kam ndonjë bashkëpunim kaq konkret. Di të  them vetëm që shumica e gazetarëve të njohur në Shqipëri, janë miq të mi që përpara se sa të angazhoheshin  në gazetari. Miq të vjetër. Disa shokë klase, disa miq udhëtimesh apo të darkave nëpër restorante.

Portalb: Ju, i jeni përkushtuar gazetarisë nga ditët studentore. Ndërkohë, kini punuar si gazetar në mediat e shkruara,  themelues, redaktor, kryeredaktor, e kështu me radhë. Gazetaria shqiptare sot, krahasuar me atë të para dy dekadave, ka ndryshuar dhe evoluar shumë. Cili është mendimi juaj? 

B.Fevziu: Është një gjë krejt tjetër, e ndryshme. S’di të them më e mirë apo më e keqe, në raport me gjithë shoqërinë, por di të them me siguri që çdo ditë që kalon sofistikohemi më shumë. Gazetaria sot s’ka asnjë lidhje me atë të dy dekadave më parë.

Portalb: Gazetarët e rinj, të etshëm të mësojnë dhe punojnë në media, përherë janë kurioz  të dëgjojnë mesazhet e duhura nga kolegët me përvojë. Çfarë është porosia juaj? 

B.Fevziu: Vetëm një. T’i besojnë dhe të ndjekin instiktin e tyre!

Lajme të ngjashme

Back to top button