MBI STEVON, BDI-në, MANIFESTIN SHQIPTAR

Stevo Pendarovski dhe liderët largpamës të BDI-së

Të fuqishme deklaratat e Stevo Pendarovskit lidhur me rolin që duhet të luajnë BDI-ja dhe Ali Ahmeti në bisedimet “paqësore” mes qeverisë dhe opozitës në Bruksel. Teza e tij që BDI nuk e ka vendin në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, përderisa qëndrimi i saj në një qeveri kaq të korruptuar amneston dhe justifikon tendencat diktatoriale të vazhdueshme të kryeministrit, është simptomatike. Është një thirrje për zgjim të BDI-së, që i bëhet nga selia e “puçistëve”. Mesazhi është që nëse BDI ishte ajo e cila e para kërkoi ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, sot duhet të bëjë hapin e parë për të nisur një zhvillim të ri ndryshim-sjellës në vend. Liderët vizionarë dhe largpamës të kësaj partie ishin të parët që bënë thirrje për ndërhyrje të Evropës në krizën politike sic e quajtën atëherë. Ndërsa tani, kur erdh momenti i të vërtetës nuk marrin rolin e paqebërësit që aq shumë e kanë predikuar, të nisur nga pseudo neutraliteti i tyre kur flitet për cështjet demokratike dhe euro-integruese të këtij vendi. Shtroj pyetjen, nëse deri tani kjo parti ka krijuar imazhin e saj të një të përkedhelure të BE-së dhe SHBA-ve, pse nuk po e jetëson qëllimin e vet të fasilitatorit të komunikimit me ndërkombëtarët.

A po bën BDI lojë të dyfishtë në këtë krizë demokratike dhe politike në vend?

Nuk gaboj fare nëse them që cilido që të jetë rezultati i bisedimeve në Bruksel, BDI-ja do të dalë fitimtare në këtë lojë politike. Loja e tyre e dyfishtë, megjithëse një manovër shumë dinake politike, sepse neutraliteti i tyre ju garanton të drejtën që të jenë pjesë e një qeverie të ardhshme pa marrë parasysh partnerin maqedon në të. Ajo fatkeqësisht është edhe demaskuese e pozitës së tyre reale të dobët në qeverisjen e këtij vendi. Një lojë të dyfishtë në kështu situata të tensionuara politike mund të bëjë vetëm një parti e cila është e bindur në sintagmën që për të mbajtur pushtetin, ia vlen gjithcka bile edhe sakrifikimi i influencës reale politike në këtë pushtet. Në një situatë të këtillë, të vetmit të humbur do të jenë shqiptarët. Partia e tyre më e fortë me zgjedhjen e neutralitetit, humbën vlerën në sytë e secilit partner të një qeverie të ardhshme. Rrjedhimisht kërkesat e shqiptarëve për një jetë më të mirë, për një barazi më të madhe, për një përfaqësim më të denjë në aparatin shtetëror do të jenë të lëna anash, ambicje dhe ideale të sakrifikuarat të këtij neutraliteti.

Shqiptarët dhe e ardhmja e tyre

Ajo që ne nuk po arrijmë të kuptojmë si qytetarë shqiptarë të këtij vendi është që të drejtat, liritë, barazinë dhe fuqinë nuk duhet ta kërkojmë të na e japin të tjerët. Atë duhet ta fitojmë vetë. Nëse ne, si popull kuptojmë që vlera jonë është shumë më e madhe sesa interesat individuale dhe klanore të një partie apo dy, nëse ne koncentrohemi të realizojmë projektin madhor të fuqisë dhe ndikimit përmes patriotizmit ekonomik, atëherë do të arrijmë dy efekte pozitive për veten: të kuptuarit që partitë janë kanceri i interesave tona si popull (mirëqenia ekonomike, liria e të shprehurit dhe të vepruarit, barazia dhe mosdiskriminimi) dhe e dyta që nëse këto parti politike duhet të mbijetojnë, ato duhet të vihen në shërbim tonin dhe jo anasjelltas: që nëpërmjet manipulimit të votës dhe idealeve tona, të realizojnë interesat e tyre të ngushta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button