“Eyes wide shut” vjen si libër (VIDEO)

Novela “Ëndërr” ka frymëzuar regjisorin e njohur Stanley Kubrick për të realizuar filmin e bujshëm Eyes wide shut me aktorët Nicole Kidman dhe Tom Cruise, shkruan Kultplus.

Ëndrra dhe realiteti pështjellohen në këtë novelë enigmatike, e përqendruar në misteret e erosit dhe të kërkimit të kënaqësisë së kulluar. Pasi e shoqja i rrëfen fantazitë e saj seksuale me një tjetër burrë, doktor Fridolini, personazhi kryesor, endet nëpër rrugët e Vjenës e bëhet pre ngjarjesh gati të pabesueshme që ndodhin jashtë vullnetit të tij, thuajse si në zhgjëndërr. Historia kulminon në një ballo me maska, një situatë e mistershme ku përzihen individualizmi i fshehur, seksi dhe rreziku.

Schnitzler-i, i përcaktuar edhe si “Frojdi i letërsisë”, rrëmon në psikologjinë e personazheve të veta duke u prirë atyre udhën drejt një hapësire ku mendimet më të fshehta, dëshirat dhe ankthet gjejnë shtegun për t’u shpalosur tërësisht e paturpshmërisht. Duket se autori pyet veten se si dy njerëz të zgjuar, tërheqës dhe të ndjeshëm mund të ndajnë një shtrat, një fëmijë dhe një jetë për vite me radhë kur dëshirat e zjarrta erotike, të drejtuara tjetërkund, janë të pashmangshme. Ndoshta përgjigjja qëndron te gënjeshtra, në një balancë sekretesh midis dy të huajsh; e megjithatë vullneti i tyre për të hetuar fantazitë e kaluara dhe të tashme të njëri-tjetrit e bën martesën e tyre të pazakontë. Nëse ky origjinalitet e afron apo jo shkatërrimin e çiftit, kjo mbetet për t’u zbuluar.

Novela “Ëndërr” ka frymëzuar regjisorin e njohur Stanley Kubrick për të realizuar filmin e bujshëm Eyes wide shut me aktorët Nicole Kidman dhe Tom Cruise.

Lajme të ngjashme

Back to top button