Gafë e madhe në Samit, zbulohen të dhënat personale të liderëve të G20-s

Një seri gafash janë bërë nga Ministria e Emigracionit në Australi, kur në këtë vend mbahej samiti i liderëve të vendeve të grupit G20.  Kjo, pasi të dhënat personale të liderëve botërorë janë publikuar gabimisht nga ky institucion, që nuk e ka konsideruar të nevojshme të njoftonte krerët e shteteve për shkelje të privatësisë, transmeton TCH.

Lajmin e bën të ditur britanikja “The Guardian”, sipas të cilës mes “viktimave” të gafës së qeverisë australiane janë presidenti amerikan Barack Obama, ai rus Vladimir Putin, kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri britanik David Cameron.

Një punonjës i ministrisë ka publikuar gjithashtu të dhënat e pasaportave, vizave dhe dokumenteve të tjera, duke u dërguar gabimisht të dhënat me email organizatorëve të Kupës së Azisë në futboll, të mbajtur në janar.

Nga “The Guardian” mësohet se punonjësi i ministrisë ka gabuar adresë kur ka dërguar mesazhin elektronik, marrësi i saktë i të cilit duhet të ishte shefja e tij, konkretisht drejtoresha e seksionit të vizave në Ministrinë e Emigracionit.

Një zyrtar i dikasterit, në përpjekje për të qetësuar situatën, ka deklaruar se e gjitha kjo ka qenë një gabim njerëzor, duke mohuar mundësinë që të ketë qenë e qëllimshme.

Ai ka theksuar se, mungesa e elementëve të identifikimit personal të liderëve botërorë kufizon ndjeshëm rrezikun e shkeljes. Nga ana tjetër, marrësi i paautorizuar i email-it e ka fshirë atë dhe më pas ka boshatisur “koshin” e dokumenteve të eleminuara.

Zyrtari i Emigracionit kishte rekomanduar pas ngjarjes që liderët botërorë të mos viheshin në dijeni për këtë shkelje të të dhënave personale, duke parë se rreziqet për rrjedhje të të dhënave ishin të ulëta.

Lajme të ngjashme

Back to top button