Ky është rreziku më i madh për Tokën

Rreziku më i madh që i kanoset Tokës është një asteroid i madh që në të ardhmen do të përplaset me planetin tonë? Nuk është e vërtetë. Sipas një studimi të universiteteve më prestigjoze të botës, Oxford, Imperial College, Harvard dhe Berkeley, rreziku më i madh për Tokën vjen nga vetë njerëzit.

David Spiegelhalter, një nga 27 ekspertët që kanë kryer studimin, thotë se rreziku më i madh për planetin tonë vjen nga stili i jetësës së njeriut.

“Asteroidet që bien mbi Tokë janë një kërcënim real, por në realitet ne nuk mund të bëjmë shumë për ta ndalur këtë rrezik. Ajo për të cilën nuk jemi të vetëdijshëm janë rreziqet që vijnë nga teknologjia. Sot përdorim sisteme të ndërlidhura për çdo gjë dhe kjo e bën shoqërinë tonë më të cënueshme në rast se sisteme të tilla funksionojnë keq apo sabotohen për qëllime terroriste”, deklaron Spiegelhalter.

Ja dhe 9 skenaret e mundshme apokaliptike të konstatuara nga studiuesit:

1. Teknologjia inteligjente. Një rrjet kompjuteri mund të zhvillojë një tru përkatës dhe të përdorë kështu burime për qëllimet e tij, në kurriz të nevojave të njerëzimit.

2. Sulmet informatike. Bota moderne bazohet dhe menaxhohet falë një sistemi interkonjeksionesh dhe nëse këto do të binin për shkak të një sulmi terrorist, atëherë paraliza do të ishte totale.

3. Bioterrorizmi. Nëse një supervirus ose një bakter për të cilin nuk ka antibiotik do të dilte nga kontrolli i një laboratori apo do të shpërndahej nga terroristët, ai do të çonte në vdekjen e miliona njerëzve.

4. Sabotimi i rezervave ushqimore. Sot nuk ekziston më tendenca për të pasur rezerva ushqimore dhe nëse do të kishte probleme me rrjetet që kontrollojnë shpërndarjen e ushqimeve, atëherë do të shpërthenin kriza në mbarë botën brenda 48 orëve.

5. Kushtet klimaterike. Toka vazhdon të nxehet dhe ekspertët druhen se shumë shpejt situata do të mbërrijë në pikën ku nuk mund të ketë kthim pas, me pasoja katastrofike.

6. Epidemitë. Udhëtimet ajrore gjithmonë e më të shpeshta rrezikojnë të shkaktojnë një përhapje të shpejtë të viruseve të reja vrasëse, të dala nga kafshët, që mund t’u marrin jetën miliona personave para se të zbulohet një vaksinë për t’i ndalur.

7. Lufta. Rritja demografike ka vënë në rrezik burimet e ushqimit dhe ujit dhe kështu, në dhjetëvjeçarët e ardhshëm kombet do të hyjnë në luftë për t’i mbrojtur apo për t’i kontrolluar.

8. Apokalipsi bërthamor. Vendet që zotërojnë bombën atomike mund të bëjnë sulme të shënjestruara, që mund të sjellin miliona viktima. Ndërsa një tjetër rrezik përbëhet nga fakti se shumë armë bërthamore mund të përfundojnë në duart e terroristëve.

9. Impakti i një asteroidi. Një asteroid gjigand konsiderohet si shkaktari i zhdukjes së dinosaurëve në Tokë dhe edhe lloji i njeriut mund të përfundojë në të njëjtën mënyrë.(TCH)

Lajme të ngjashme

Back to top button