“Bashkimi emocional” i shqiptarëve në Europën e Bashkuar

Po a ky asht’ shenjt’ i qytetnisë,
me da tokën e Shqipnisë për me mbajt’ klyshët e Rusisë?1)
 
Këto vargje të shkruara nga poeti kombëtar Gjergj Fishta, konsideruar “Homeri shqiptar”, janë sa rrënqethëse, aq edhe zëri i një të vërtete të madhe për realitetin e kohës, kur jetoi poeti. Të shkruara në një kohë të vështirë për Shqipërinë dhe shqiptarët, këto vargje shprehin mllefin e kohës kundër Serbisë dhe Greqisë , padrejtësinë e Evropës në zemër të Ballkanit e cila copëtoi tokat shqiptare në kurriz të fqinjëve tanë të këtij gadishulli armiqësor, të mbushur me tinëzi politike dhe ku Evropa, e konsideruar se mbron parimet njerëzore dhe drejtësinë, i shkeli me dy këmbë parimet e saj. Fishta, si një prift françeskan i dinte ndoshta më mirë se kushdo parimet që trumpentonte Evropa dhe nga ana tjetër pa fytyrën e saj që dëshmoi kundër shqiptarëve. Fishta goditi në ballë standardet e dyfishta me të cilat luante Evropa, që nuk ngurroi ta shante me fjalët më fyese në vrrullin poetik të tij. Megjithatë, vargjet janë shumë të forta dhe shkojnë për shtat me realitetin e asaj kohe.
Evropa dikur, Evropa sot
 
Evropa e dikurshme luajti me fatin e shqiptarëve dhe i copëtoi ata në katër shtete të Ballkanit. Shqiptarët nuk u ndanë në disa shtete për çështje ideologjike, sikundër mund të hamendësohet, por ata u ndanë nga padrejtësia historike e vitit 1913-të. Politikat e Evropës dhe të Rusisë së dikurshme me influencë më së shumti filo-ruse në Ballkan vulosën padrejtësinë e shekullit, Kosovën nën Serbi. Ideologjia euro-ruse e disa popujve në një konfederatë, e këtyre popujve që jetonin së bashku jo nga dëshira, por nga dhuna, e zaptoi çështjen shqiptare.
 
Lidhjet e forta të lobeve serbe në Evropë, (sidomos me Francën), por edhe me Rusinë nga ana tjetër, legjitimuan Jugosllavinë dhe shtypjen e popujve brenda saj. Sot, Evropa sillet e dyzuar në politikën e saj, por se duket të ketë bërë njëfarë progresi për të vendosur drejtësinë në vend. Një kthesë historike ndodhi në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi Beograd. Një nga aleancat historike që kjo kohë e ngarkuar e shembi përdhe ishte ajo franko – serbe. Një grup të rinjsh serbë dhunuan përmendoren e ish-Jugosllavisë së parë, përmendore që i kushtohet traktatit të Versajës dhe zakonisht njihet edhe me emrin “monumenti i Francës”. Me këtë akt u shënua ndoshta dhe fundi i një miqësie dhe një aleance që shpesh herë ka ndikuar raportet politike në Ballkan. Veç Francës, me vullnetin e saj për të krijuar lehtësira për një ndërhyrje në ish-Jugosllavi, një nga aleatët e rinj të NATO-s, Bullgaria i dha fund një aleance që historikisht e ka kushtëzuar të ketë orientim në zonën ruse të ndikimit. 2)
 
Shqiptarët nuk u ndanë vetë, por i ndanë të tjerët. Kufiri i sotëm i Shqipërisë nuk rrjedh nga ndarja e botës në Lindje dhe Perëndim, në kapitalizëm dhe komunizëm. Konferenca e Parisit rikonfirmoi atë ndarje që ishte trashëguar, duke e lënë Shqipërinë dhe shqiptarët nën peshën e vendimeve të së kaluarës. Kur u morën vendimet e para kundër të drejtës së tyre për të patur shtet kombëtar, si të gjithë të tjerët, nuk kishte as komunistë dhe as antikomunistë. Prej asaj kohe kanë ndryshuar shumë gjëra, por njëra prej tyre ka mbetur. Edhe atëherë, sikundër edhe sot, kishte fuqi të mëdha, të cilët ndërtonin gjeopolitika botërore.
 
Politikat e BE-së për shqiptarët
 
Çështja shqiptare nuk zgjidhet me politikat e Bashkimit Evropian. BE-ja sot bën thirrje vetëm që Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor ta përafrojnë legjislacionin e vendit me legjislacionin e BE-së. Bashkimi Evropian nuk bën thirrje vetëm për përafrimin, por edhe për zbatim të legjislacionit të politikave të saj. BE-ja i bashkon shqiptarët emocionalisht, por se kufijtë mbeten si të tillë.
 
Historianë dhe publicistë, shqiptarë dhe të huaj vlerësojnë se në kohët moderne që jetojmë, nuk merret parasysh e drejta historike, por të drejtat e individit në atë shtet ku ai jeton aktualisht. Tjetër tezë e mendimtarëve të kohës është se nuk jetojmë në kohën e shtet-kombeve, por në ato shtete ku mund të ketë etni të ndryshme, mjaft që të ketë ligj, drejtësi dhe qytetari të mund të bëjë jetë të denjë.
 
Në rastin e shqiptarëve, e drejta historike është shpërfillur. Ndërkaq, “bashkimi emocional” i tyre ka nisur që tanimë. Një shqiptar i Shqipërisë ikën në Kosovë për dy orë e pak dhe anasjelltas, një shqiptar i Kosovës ikën në Shqipëri për po kaq kohë. Njëjtë, edhe shqiptarët e Maqedonisë mund të shkojnë në Kosovë dhe në Shqipëri për shumë pak kohë. Kufijtë ekzistojnë dhe si kufij shtetesh, por edhe për atë se një qytetar i Shqipërisë duhet ti përgjigjet ligjeve të shtetit shqiptar, një qytetar i Kosovës duhet ti bindet ligjeve të shtetit të Kosovës, e një qytetar i Maqedonisë duhet ti bindet ligjeve të shtetit të Maqedonisë.
 
Po njëjtë vlen edhe për shqiptarët e Malit të Zi, që duhet ti binden ligjeve të shtetit malazez dhe për shqiptarët në Luginë të Preshevës, që duhet tiu binden ligjeve të shtetit serb.
 
Bashkimi Evropian, ku po përgatitemi të shkojmë ofron vetëm “bashkimin emocional” por edhe shkëmbimet tregtare, informative apo të formave të tjera. Së paku, kjo është rruga ku po na dërgojnë politikaët shqiptarë në Tiranë, Shkup dhe në Prishtinë.

Lajme të ngjashme

Back to top button