NOSTALGJIA

Nostalgjia për sistemin e kaluar, për socializmin titist, për fat të keq, po rritet prej dite në ditë. Dhe, jo vetëm te maqedonasit. Për maqedonasit kjo nostalgji i ka arsyet e veta. Pjesa dërmuese e tyre i zgjidhën problemet e banimit, ishin të barabartë me serbët, kroatët, sllovenët etj. Ishin shtet në shtet në federatën jugosllave. Po ç’i shtyn shqiptarët të jenë nostalgjikë, kur gjithmonë janë trajtuar si qytetarë të rendit të dytë.

Pse si trajtohen sot?

Në këto ditë të “bombave” të opozitës maqedonase dhe “kontrabombave” të partisë maqedonase në pushtet, nostalgjia po merr forcë edhe më shumë. Në atë kohë vendi ishte më i industrializuar, punësimi, po ashtu, kishte shpresë për njerëzit se mund ta fitojnë një kulm mbi kokë. Atëherë, kishte disa projekte shtetërore (me gjithë frenimet që i bënin disa qarqe serbomëdha) për zhvillimin e viseve më të pazhvilluara dhe të Kosovës. Kjo do të thotë se de jure bëhej diçka për shqiptarët.

Po tash?Tash asgjë.

Shqiptarët, vërtet i bënin punët më të rënda e më pak të paguara, por si do që të jetë kishin një punë. Madje edhe në bujqësi e siguronin njëfarë jetese.

Do si do, më të mirë se sot.

Pastaj, u krijua edhe një mundësi tjetër: punësimi në vendet e Evropës Perëndimore. U hapën kështu dyert e një zhvillimi të hovshëm të fshatrave shqiptare, u bë edhe një transformim i madh i jetës ekonomike në këto anë. Për një kohë të shkurtër në fshatrat shqiptare, që dikur dukeshin si vendbanime mesjetare të rënduara nga mjerimi, nisën të ngrihen shtëpi moderne sipas modeleve të vendeve të zhvilluara të Evropës. Herë pas here edhe ndonjë shqiptar vinte në rend për të marrë banesë solidare ose të paraparë për kuadrot që punonin në administratë ose në ndërmarrjet shtetërore të asaj kohe. Në atë kohë kishte më pak shkolla të mesme shqipe dhe një Universitet në Prishtinë, mirëpo cilësia e mësimit ishte i një niveli më të lartë dhe, çka është më kryesore ai ishte universitet që e integroi rininë e atëhershme shqiptare duke e ngritur lartë vetëdijen kombëtare dhe dashurinë për gjuhën shqipe

Tash për zhvillimin e fshatrave shqiptare nuk di të ketë ndonjë projekt, shëndetësia nuk është falas, punësimi është njëfarë lotoje, një fat i madh që realizohet vetëm përmes lidhjeve të forta partiake, klanore etj. Studentët që i mbarojnë studimet nuk kanë ndonjë shpresë se mund të punësohen, po zgjidhjen shumica e kërkojnë në të ashtuquajturat martesa me letra nëpër vendet perëndimore.

Shteti i sotëm partishëm ose partia e shtetëzuar nuk kërkon shtigje për të gjithë qytetarët njësoj. Ai nuk ka kohë të merret me Marrëveshjen e Ohrit e në këtë kontekst me të drejtat e shqiptarëve në të gjitha fushat e jetës. Projekte të dorës së parë janë përmendoret që duan të lidhin një të shkuar antike me një realitet të sotëm që nuk lidhet me atë kohë, pastaj objekte të kultit, të cilat bëhen ose me para të buxhetit o të donatorëve të cilët janë pasuruar me bekimin e pushtetit. Për çerdhe të fëmijëve, ku duhet të edukohen fëmijët, për shkolla ose për përmirësimin e kushteve të studentëve të Universitetit të Tetovës, për pozitën e femrës shqiptare, për mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare që po rrënohen nga shkaku i ndikimeve çoroditëse, askush nuk mendon.

Shqiptarë thuajse nuk janë të përfshirë në sektorin civil, nuk kanë organizata të mjaftueshme që i përcjellin ecuritë e realizimit të të drejtave të shqiptarëve sipas Marrëveshjes së Ohrit, kurse kjo marrëveshje keqpërdoret nga oratorët vetëm si justifikim, si arsyetim i zbehtë se – ja diçka po bëhet. E në fakt nuk bëhet asgjë.

E tërë energjia e partisë shqiptare në pushtet është përqendruar vetëm te disa pak punësime në administratë dhe së fundi te problemi i emrit të vendit që lidhet me pengesat e njohura që i bën Greqia. Deri më tash partitë tona silleshin sikur problemi i emrit u përket vetëm partive maqedonase dhe tash përnjëherë na doli se BDI-ja si prioritet të prioriteteve e paska emrin e vendit.

Pse ndodhin këto ndryshime të menjëhershme?

Tashmë kur kanë filluar kontaktet e para të pozitës dhe të opozitës maqedonase në Bruksel për krizën e thellë që ka përfshirë vendin me “bombat” e LSDM-së dhe me “kundërbombat” e kryeministrit, kur këtu hetohen lëvizje populliste dhe mobilizim të mediave proqeveritare e angazhimi i veçantë i presidentit të shtetit (të cilin BDI-ja nuk e pranon për përfaqësues të shqiptarëve) për zgjidhje të krizës sipas masës së tyre, partitë shqiptare nuk janë askund. BDI-ja, madje deklaroi se do të kyçet në bisedime në raundin e dytë.

A për ta dëshmuar të qenët i rendit të dytë?

Në kohë të Jugosllavisë, herë pas here ka pasur aksione kundër devijimeve. Dhe, për zgjidhjen e shumë çështjeve. Përveç se për çështjen shqiptare.

Pse sot a mos ndryshoi diçka? Le të përgjigjemi se – jo. Asgjë nuk ka ndryshuar.

Sot barrën më të madhe të tranzicionit dhe të krizës politike e ekonomike e mbajnë shqiptarët. Shqiptarëve nuk u jepet mundësia ta dëshmojnë rolin e tyre historik për zhvillimin e këtij vendi. Shqiptarët nuk janë në ato institucione që e bëjnë kurrizin e shtetit.

Në projektet e Ministrisë së kulturës ne jemi në ndonjë fusnotë diku. Dhe, çudi si s’e mori guximin asnjë politikan i këtij vendi që të thoshte se, në mos tjetër, pranë përmendores së carave dhe komitëve të vendoset edhe një përmendore e një punëtori shqiptar të ndërtimtarisë, me krahët e të cilit janë ngritur shumica e godinave të Shkupit.

Ndoshta këto janë punë të vështira për partitë tona që vullnetarisht e kanë pranuar pozitën inferiore, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë. E meqë partive tona u duket çështja shqiptare punë inferiore, e vogël ose e rendit të dytë, atëherë, ta merr mendja, nostalgjia për kohën e Titos do të rritet.

Ku ta dish, ndoshta është më mirë të jesh i vetëdijshëm se je qytetar i rendit të dytë se sa të dëgjosh “bomba” e “kundërbomba” ku ti nuk paraqet ndonjë faktor, ku ty s’të bën hesap kush,  dhe përsëri përfaqësuesi i partisë shqiptare thotë vendosmërisht se do të mbeten në këtë qeveri. E kotë është të pyetet: po pse vëlla? A s’e sheh se po rritet nostalgjia për kohën e Titos?

Ndoshta kjo nostalgji i ka arsyet e veta? Nuk thotë kot ky populli ynë: ka keq e më keq.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button