Strategji mbi përfaqësimin e administratorëve shqiptarë

Vlerësoj se ka ardhur koha që për t’ju ikur akuzave të pa argumentuara dhe jo reale të palës maqedonase, Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit duhet të hartoj strategji për përfaqësimin e drejtë të administratorëve shqiptarë, si në nivelin vertikal po ashtu edhe në atë horizontal.  Shtetformësia nuk mund të arrihet duke qenë vetëm “shërbotor” i shtetit por edhe drejtues i shtetit, në të gjitha nivelet e tij!

Si pasojë e stërzgjatjes së tranzicionit, Maqedonia po përballet me probleme të vazhdueshme socio-ekonomike dhe politike. Mungesa e zhvillimit ekonomik, zbatimi i reformave dhe niveli i ulët i vetëdijes kolektive të shoqërisë, në vazhdimësi po e dëmtojnë procesin euro-integrues dhe po krijohet një imazh i zymtë dhe negativ i vendit përball faktorit ndërkombëtar.

Sipas raporteve të Komisionit Europian mbi progresin e vendit dhe analizat e shumë ekspertëve, flasin se mbingarkimi dhe partizimi i administratës, janë probleme që po e definojnë vendin si shtet partiak me demokraci disfunksionale dhe administratë jo-efikase.

Për hirë të sinqeritetit, problemi i administratës është problem gjithëpërfshirës i vendit dhe nuk duhet të njohë ndasi etnike dhe politike, por ja që një fjalë popullore thotë se ku dhemb dhëmbi shkon gjuha! Andaj, kjo analizë do të fokusohet në përfaqësimin e drejtë dhe cilësor në institucionet e sistemit sipas kritereve të dala nga Marrëveshja e Ohrit.

Në bazë të analizave statistikore të publikuara nga Enti shtetëror për statistikë dhe Avokati i popullit, përfaqësimi i shqiptarëve në administratë kap shifrën 19%, çka dmth se ka ende për tu bërë. Bile nëse thellohemi edhe më tepër në studimin e kësaj problematike mund të konstatojmë se kemi institucione shtetërore dhe publike, thuajse me asnjë të punësuar shqiptarë, e ku më të arrihet përqindja e përfaqësimit 25%, p.sh: Banka Maqedonase për Zhvillim, Komisioni për letrat me vlerë, etj. Gjithësesi, do të ishte tepër naive nëse nuk do të pranohej fakti që, me arritjen e “Marrëveshjes së Ohrit”, si Institucion, përfaqësimi adekuat i shqiptarëve të Maqedonisë në administratën shtetërore dhe publike është përmirësuar ndjeshëm. A ka për t’u bërë akoma! Gjithësesi që po! Të paktën, pikënisja është përmirësuar për disa shkallë dhe çdo lëvizje e më tejme nuk do të startonte nga pika zero.

Kohëve të fundit janë shtuar akuzat e disa politikanëve dhe ekspertëve maqedonas me ide dhe mendime të pareformuara nga sistemi i kaluar, se punësimi i administratorëve nga nacionalitetet jo-shumicë, veçanërisht i atyre shqiptarë e  dëmton buxhetin e shtetit dhe se ky proces në përgjithësi është i dëmshëm për vendin për shumë arsye, e si arsye kryesore sipas atyre është edhe “mungesa” e kuadrove profesionale për t’u punësuar në institucionet e sistemit! Konstatimi i tillë, mbi të gjitha shovinist, del nga njëmendësia politike e kaluar e cila shqiptarët i trajtonte si qytetarë të rendit të dytë, të cilët duhet të paguajnë taksa “për mirësinë e shtetit që i lejon të jetojnë këtu dhe nuk i dëbon”! Kuadri profesionist, për hirë të së vërtetës, nuk mungon më. Me hapjen e dy universiteteve shqiptare tashmë kuadër ka me bollëk! Mbase mund të pajtohemi me një gjë: nuk kemi ende kuadër me përvojë. Kjo përvojë vështirë se do të arrihet nëpër disa institucione shtetërore pa një strategji të mirëfilltë kombëtare, respektivisht të Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit!

Mendoj se është koha që bashkëkombasit tanë ta kenë të qartë një herë e përgjithmonë se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është katagori kushtetuese që duhet të përmbushet dhe njëkohësisht paraqet respektim të të drejtave të qytetarëve, për arsye se çdo qytetarë gjatë kontaktit apo komunikimit me organet e administratës, ndihet dhe shprehet më lirë me një administratorë të nacionalitetit të njejtë.

Andaj, është koha që Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit të hartoj një strategji për përfaqësim të drejtë në institucionet e vendit, si në aspektin vertikal edhe në atë horizontal. Mbajtja e nëpunësve shtetërorë nëpër shtëpi të siguron “stazh” por jo dhe përvojë pune. Pa përvojë është i vështire avansimi i kuadrit nëpër vendet udhëheqëse të sektoreve dhe njësive të ndryshme. Udhëheqësit e sektoreve dhe njësive nganjëherë kryejnë punë më të mëdha se udhëheqësit politik të digastereve të ndryshme.

Përfundimisht po vërtetohet se, pa një përfaqësim adekuat të shqiptarëve në vertikalen e administratës shtetërore, realizimi i politikave kombëtare në sferën e përfaqësimit adekuat është jo i realtë. Avansimi i shqiptarëve në vertikalen e administratës shtetërore e publike nuk duhet të jetë “nën mëshirën” e udhëheqësit të digasterit përkatës por, duhet të jetë obligim i dalur nga një strategji e thuktë mbi përfaqësimin e shqiptarëve në të gjitha sferat e pushtetit qendror e lokal. Fundja, kjo përfshirje vertikale e administratorëve shqiptarë duhet të kuptohet si detyrim kushtetutar që bazohet mbi të gjitha në respektimin e të drejtave kolektive të një etnie. Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit duhet të ketë fillimisht strategjinë nacionale nga e cila do të dilnin programet dhe platformat e shumta që garantojnë të drejta dhe mirëqenie për të gjithë, duke i thyer të gjitha perceptimet se këtu dikush mund të jetë qytetar i rendit të parë e dikush në të dytin e tutje. Andaj, shtetformësia nuk mund të arrihet duke qenë vetëm “shërbotor” i shtetit por edhe drejtues i shtetit, në të gjitha nivelet e tij!

Lajme të ngjashme

Back to top button