Një shoqe

Shoqja ime duket më e re se mosha e vet, posaçërisht kur bisedon hareshëm, kur qeshet pa arsye “të fortë”. Ajo flet dhe sillet me butësi, se femra kur ndihet e fuqishme dhe e realizuar nuk ka nevojë të marrë gardin e mashkullit për të demonstruar forcën e vet. Në çdo kohë dhe në çdo kulturë e bukur quhet vetëm femra e buzëqeshur që reflekton feminitetin në kuptimin klasik të fjalës.

Shoqja ime jeton ashtu si i vjen “prej brenda”. Secili ka një zë të tillë, por me kohë duke mos i bërë hyzmet, ai vjen duke u dobësuar, atrofuar, bëhet i pazëshëm. Fëmijët, për shembull, kanë një lloj ecje instinktive sipas diktatit të brendshëm, prandaj ashtu kënaqen me qejfet e veta, qejfet i kanë ligj; dhe me sa përqëndrim i aviten lojës dhe i gëzohen çastit. Kur rritemi mandej, dashurinë për veten dhe ecjen sipas tekave tona gabimisht e barazojmë me egoizëm.

Shoqja ime më shumë se gjithkend e do veten, e merr me të mirë veten dhe pikërisht këtu buron dashuria e saj për të tjerët.

Jetën e ka të definuar përmes dy lloj fazash, diametralisht të kundërta, por harmonike pasi i bën natyrshëm.

Ngaherë fort i pëlqen të jetë e rrethuar me njerëz, ashtu e përthith Frymën e kohës, kjo mandej e ndihmon në punën e saj. Bashkëbiseduesit hapen pa drojë para saj pasi është si e trajnuar që të dëgjojë aktivisht (duke qenë plotësisht aty)  dhe mandej të mbajë nën dry rrëfimet e të tjerëve. E mprehtë dhe llafazane, ajo di të gjejë rrugë e rrugica që çojnë në njerëz dhe botëra tjera, ndërton dhe vlerëson besimin, master per komunikim. Njerëzit kanë nevojë dikush t’i dëgjojë me vëmendje veçanërisht kur shumica janë të fokusuar në hallet e veta, pa kohë dhe pa vesh për tjetrin.

(Njoh një plakë që thotë “t’kem ta baj ni insan pi lloçi”: ai të rrijë ulur e kjo ti flasë sa herë që ka nevojë pasi s’ka njeri të ulet ta dëgjojë në shtëpinë e saj me djem, nuse e nipër. Ose, siq thotë një anegdotë vakti “kur isha e vogël – s’ma merrte kush fjalën, kur u bëra nuse – nuset nuk përziheshin në muhabet, tash u plaka e s’merrkam vesh gjë…erdha e do shkoj nga kjo dynja nuk më erdhi rradha të flas”).

Shoqes sime i pëlqen edhe vetmia, ka periudha kur më së mirë ndihet mes mureve të veta. Kryesisht nuk përgjigjet në thirrje, as në porosi, aq më pak në zilen e shtëpisë. Ia dijmë tabijatin, e lëmë të qetë atyre ditëve kur merret me teket e veta, ditët ndonjëherë zgjaten në javë. Atëherë lexon me orë ndër qebe, çohet vetëm sa për të ngrënë diçka me ngut. Shikon nuk e di sa filma, i qepet nje autori që i ka lënë përshtypje dhe s’ndalet derisa nuk ia shterr krejt filmografinë.

Kështu kënaqet vetë, plot udhëtime pa lëvizur vendit.

Dhe kur del mandej ndër njerëz na duket sikur posa është kthyer nga një rrugë e gjatë e bukur.

Për shoqen time koha është kapitali më i çmuar që duhet harxhuar sa me mend aq dhe me qejf.

Ashtu si bën ajo vetë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button