Handanoviç me një këmbë në Romë

Bisedimet për zgjatjen e bashkëpunimit me zikalterit janë ndërprerë, pasi palët janë ende larg me pretendimet e tyre.
Samir Handanoviç i hap dyert Romës. Portieri slloven është treguar i gatshëm për t’u transferuar te verdhekuqtë në përfundim të sezonit, që do të thotë se është vënë në dyshim serioz rinovimi i kontratës me Interin. Bisedimet për zgjatjen e bashkëpunimit me zikalterit janë ndërprerë, pasi palët janë ende larg me pretendimet e tyre. Handanoviç ka kërkuar tre milionë euro në sezon, ndërsa aktualisht përfundon 2.2 milionë euro. Drejtuesit zikaltër nuk kanë ndërmend t’ia rrisin pagën, për të ruajtur bilancin në kuadër të “Fair-Play-t” financiar.

Nga kjo situatë kërkon të përfitojë Roma, që ka nisur kontaktet për ta bindur 30-vjecarin që të transferohet në kryeqytet. Handanoviç pëlqehet shumë nga drejtori sportiv Sabatini, por edhe nga portieri 38-vjecar De Sanctis, i cili ka qenë shok skuadre me sllovenin kur të dy luanin te Udineze.
Portieri aktual i Romës në mënyrë konfidenciale është shprehur se në Itali mund të jetë zëvendësues vetëm i Buffon dhe i Handanoviç, çka lë të kuptohet se bashkëjetesa mes të dyve te verdhekuqtë është krejtësisht e mundshme.

Për të arritur te Handanoviç, Roma mund të përfshijë në marrëveshje edhe kartonin e Mattia Destros, që në përfundim të sezonit do të përfundojë periudhën e huazimit te Milani. Roma duhet të veprojë me shpejtësi dhe këmbëngulje, sepse për Handanoviç ka interesim edhe nga Premier League, vecanërisht nga Manchester City.

Lajme të ngjashme

Back to top button