Shtohet alarmi për korrupsionin masiv të Gruevskit, drejtësia në sfidë!

“Bomba” e 14 e liderit të opozitës Zoran Zaev shpalosi dimensionin e korrupsionit në shkallë të lartë të qeverisë e cila tashmë po kalon perceptimin real të çdo qytetari duke e bërë gjendjen më alarmante, vlerësojnë analistët.

Disa vlerësojnë se motivet e afarizmit joformal të institucioneve dhe bartësve të pushtetit rrjedhin nga etja e madhe për fitime ndërkohë që disa tjerë vlerësojnë se kjo etje për fitime në kuriz të qytetarëve është mani e një shtrese drejtuesish të cilët kanë për qëllim interesin personal dhe klanor pa qenë të vetëdijshëm për pasojat.

Korrupsioni masiv i qeverisë shton alarmin

Ish anëtari në Komisionin për Antikorrupsion, Mexhait Pollozhani thotë për Portalb se “Bomba” e 14 e Zaevit që nxjerr në sipërfaqe korrupsionin masiv të qeverisë shton alarmin duke ndikuar shumë negativisht në opinion sepse është në pyetje interesi i përgjithshëm i shoqërisë dhe qytetarët nuk mund te jenë indiferent.

“Mënyra se si paraqiten të dhënat fletë për atë se sillen të gjitha strukturat me shtetin. Mendoj se duhet të dalin ende gjëra. Gjendja është alarmante sepse flet për drejtuesit të cilët nuk janë të pjekur për të udhëhequr shtetin”, thotë Pollozhani.

Sipas tij për këto keqpërdorime me pushtetin duhet të vendosin organet përkatëse dhe përcjellja e situatës nga ana e tyre është shumë e rëndësishme.

Bartësit e pushtetit anashkalojnë autoritetin ligjor

“Institucionet dhe bartësit e pushtetit duke e shfrytëzuar situatën, shpesh nuk hezitojnë të thyejnë normat e etikës dhe të anashkalojnë autoritetin ligjor për tu pasuruar në mënyrë jo të ndershme. Korrupsioni paraqet proces të krijimit të fitimit, me pak punë me shumë rrezik, në raste të shumta me pak kohë dhe duke i anashkaluar normat ligjore pozitive. Korrupsioni është aktivitet i kundërt me principet e funksionimit të shtetit juridik dhe sundimit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut, prandaj organet e shtetit në të gjitha frontet duhet të bëjë luftë me të gjitha këto sulme kriminale ndaj shoqërisë”, thotë Izet Zeqiri.

Sipas tij nëse analizojmë korrupsionin në hierarkinë e funksionit të institucioneve të shtetit do të shohin se korrupsion kemi në të gjitha nivelet e organizmit të institucioneve shtetërore në nivelin e lartë në nivelin e mesëm dhe në nivelin e ulët.

“Në nivelin e lartë ka elemente koruptive te bartësit e funksioneve të këtij niveli të cilët kanë autoritet zyrtar dhe autorizime dhe vendosin për çështje strategjike dhe projekte nga programi qeveritare dhe të cilët mundë të drejtpërdrejtë ndikojnë në marrjen e vendimeve. Në nivelin e mesën nënkupton eshalonin e dytë, tretë dhe të katërt të hierarkisë shtetërore, pjesa e madhe e funksionarëve si në pushtetin qendror po ashtu edhe në atë lokal kanë kompetenca vendosëse duke filluar nga dhënia e lejeve, kontratave, furnizimeve publike, koncesioneve, dokumenteve të doganimit, licencave, të drejtë e pensionit invalidor dhe të ngjashme. Shumica e kësaj shtrese për interesa materiale dhe motive tjera e keqpërdorin funksionin dhe pozitën”, thotë Izet Zeqiri.

Institucionet të fillojnë hetimin për korrupsionin e qeverisë

Sipas ish anëtarit të Komisionit për Antikorrupsion Arif Musa, pas publikimit të materialeve të djeshme institucionet duhet që të fillojnë hetimin.

“Së pari Prokuroria duhet të procedojë pas publikimeve të opozitës. Në kushtet kur provizionet e tilla dhe keqpërdorimet nëse Prokuroria në një kohë të arsyeshme që e ka në dispozicion sipas kodit penal nuk ndërmerr asgjë atëherë Komisioni për antikorrupsion duhet të inkuadrohet dhe duhet të pyes Prokurorinë se pse deri më tani nuk ka hetim”, thotë Musa./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button