Maqedonia pa regjistrim të popullatës, çfarë qëllime të errëta fshihen pas dështimit të tij?

Regjistrimi i popullsisë është një ndër proceset më të rëndësishme të një shteti, pa të cilin dukshëm nuk kemi shifra të sakta në rritjen e ekonomisë, devijon procesin e rregullt zgjedhor madje ndikon edhe në marrëdhëniet ndëretnike. Mungesa e realizimit të këtij procesi në Maqedoni  është duke shkaktuar probleme serioze në zhvillimin e mëtejshëm të vendit.
Jo zyrtarisht thuhet se arsyet pse u ndërpre i njëjti janë politike dhe fshehin qëllime të errëta, të cilat nuk u bënë asnjëherë publike.
Në pytejen e Portalbit drejtuar liderit të LSDM-së, Zoran Zaev në publikimin e “bombës” së 14, se a ka dosje të veçantë për regjistrimin ai paralajmëroi se do të publikohen edhe materialet që tregojnë se pse dështoi regjistrimi i popullsisë. Mbase kjo do të hedh dritë të saktë se çfarë ka ndodhur realisht.

Analistët shpjegojnë disa arsye të cilat mund të kenë quar deri në ndërprerjen e regjistrimit të popullsisë në vitin 2011 si dhe sërish theksojnë se ky proces është tejet i rëndësishëm për një shtet dhe ai duhet të realizohet.

Bexheti: Vet fakti i politizimit të skajshëm të ligjit të regjistrimit lë dyshime për ndërprerjen e këtij procesi

Abdylmenaf Bexheti i cili në 2011 dha dorëheqje nga funksioni i nënkryetarit të Komisionit Shtetëror për Regjistrim, shprehet për Portalb se theksi i komponentës etnike shqiptare është posaçërisht i veçantë në rastin e sistemit politiko-juridik të Maqedonisë sepse cenzusi numerik përcakton të drejtat bazike politike, sociale ekonomike, dhe bile edhe ato të njeriut.

“Regjistrimi i popullsisë, banesave dhe pasurisë është operacion më i rëndësishëm statistikor i një vendi që paraqet bazë elementare për të gjitha politikat publike nga planifikimi i ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, kulturës, dhe deri te të gjitha planifikimet e nevojave sociale. Theksi i komponentës etnike shqiptare është posaçërisht i veçantë në rastin e sistemit politiko-juridik të Maqedonisë sepse cenzusi numerik përcakton të drejtat bazike politike, sociale ekonomike, dhe bile edhe ato të njeriut!”, tha Bexheti.

Bexheti theksoi se dorëheqja e tij nuk shkaktoi prishjen dhe pamundësimin e realizimit të këtij operacioni të rëndësishëm, por deri aty erdhi për shkak të politizimit të skajshëm të ligjit të regjistrimit.

“Vet fakti i politizimit të skajshëm të ligjit të regjistrimit lë dyshime për ,,fshehjen,, e ndonjë faktori të rrezikshëm që lidhet me ketë. Ky proces u ndërpre edhe për shkak të përplasjeve politike rreth të drejtës së regjistrimit si qytetar të rregullt të vendit edhe shqiptarët që janë në punë të përkohshme jashtë vendit, që ky numër është mbi 250 mijë. Anashkalimi i kësaj mase, që mbase shkon në rreth 1/3 e popullatës së përgjithshme shqiptare është rrezik edhe për shembjen e kritereve dhe cenzuseve për të drejtat e realizuara edhe me luftë (në kryengritjen popullore të 2001-shit), posaçërisht aty ku ,,peni është tejet i hollë,, si qyteti i Shkupit (si i një rëndësie te jashtëzakonshme strategjike për shqiptaret) dhe ndjeshmëria e rezultateve (me organizimin territorial dhe regjistrimin e vitin 2002 kryeqyteti ka 20,7% shqiptar dhe imagjinoni sa afër është rrënimi i një rezultati për 1%). Do jetë mirë që Zaev ti publikon edhe këto përgjime në lidhje me regjistrimin-nëse jo për tjetër por për tu bind edhe ata që pa pasur informacione bazë rreth ligjit, sistemit dhe procesit të regjistrimit, me akuzonin se unë shkaktova prishjen dhe pamundësova realizimin e këtij operacioni të rëndësishëm” tha Bexheti.

Deralla: Mos regjistrimi i popullsisë lehtëson manipulimet në zgjedhje

Kryetari  i Organizatës joqeveritare “Civil”, Xhabir Deralla thotë për Portalb, se realizimi i regjistrimit të popullsisë është një proces mjaft i rëndësishëm për një vend si Maqedonia, pasi ai ndikon shumë në marrëdhëniet ndëretnike në vend.

“Regjistrimi i popullatës në një shtet është një proces shumë i rëndësishëm për vetë funksionimin e saj, sidomos për një vend si Maqedonia, ku një proces i tillë ndikon edhe në marrëdhëniet ndëretnike në vend. Një shtet multietnik nëse është demokratik nuk ka nevojë që një proces i tillë të rregullojë apo definojë marrëdhëniet ndëretnike, mirëpo Maqedonia ka nevojë”, tha Deralla.

Ai shtoi se ka informacione se ndërprerja e këtij procesi është bërë për shkak se në Maqedoni nuk ka më shumë se 1.6 ose 1.7 milion banor kurse në lista zgjedhore ka 1.8 milion votues.

“Në mënyrë jo oficiale ne kemi informacione për ndërprerjen e procesit të regjistrimit të popullatës, dhe ajo është se mundon popullata në Maqedoni. Sipas të informacioneve që kemi neve, gjatë regjistrimi është vërejtur një rënie e madhe e popullatës, ku për momentin kap numrin e 1.6 apo 1.7 milion. Këtë e tregon vetë fakti që regjistrimi ishte pothuajse gati kur u ndërpre dhe këto informacione i ruan pushteti sepse nuk i konvenon që të bëhet pastrimi i listës zgjedhore në të cilën janë 1.8 milionë votues. Po të realizohej regjistrimi po të kishim pastrimin e listës zgjedhore dhe nuk do të bëheshin kaq manipulime në zgjedhje”, tha Deralla.

Sipas Derallës tani për momentin nuk mund të realizohet një proces i tillë për arsye se pothuajse gjithçka është e politizuar dhe nuk do të ishte një regjistrim i drejtë dhe i saktë.

“Për momentin nuk mendoj se mund të realizohet një proces i tillë, duke pasur parasysh situatën në vend, ku po na del se pothuajse gjithçka është politizuar, nuk mendoj se do të kishte hapësirë për një regjistrim të lirë dhe të drejtë, por mendoj se do të bëheshin edhe aty manipulime të shumta. Andaj duhet të presim që të pastrohen politizimet, por edhe më pas do të na duhen monitorues serioz dhe neutral të cilët do të vëzhgonin regjistrimin duke mos lënë kështu hapësirë për manipulime”, tha Deralla.

Imeri: Ndërprerja e regjistrimit të popullsisë mes tjera e degradon edhe pozitën ndërkombëtare të shtetit

Adërdita Haxhijahja Imeri tha se regjistrimi i popullatës është operacion jo vetëm statistikor por edhe zhvillimor.

“Regjistrimi i popullatës është operacion jo vetëm statistikor por edhe zhvillimor sepse në bazë të të dhënave nga regjistrimi shteti planifikon politika zhvillimore ne fushën e : Ekonomisë, Arsimit, Punësimit, Mbrojtjes dhe përfshirjes Sociale, etj. Nëse nuk kemi te dhëna (numra) relevante atëherë te gjitha politikat të cilat janë të zhvilluara dhe realizuara mbas 2012 nuk janë reale dhe gjasat janë qe te mos jenë të suksesshme.

Sa i përket popullatës shqiptare, kjo d.m.th me pak investime në zona ku janë shqiptarë (në fushat e me larte përmendura po edhe infrastrukture), më pak apo aspak kyçje në masa aktive për punësim, po edhe pa mundësi për planifikimin e trendëve zhvillimore ( çka do të na duhet si shtet për 10 vite te ardhshme..sepse nuk dimë se çka kemi tani)”, tha për Portalb, Imeri.

Ajo theksoi se ndërprerja e këtij procesi mes tjera e degradon pozitën ndërkombëtare të shtetit dhe kapacitetin e tij demokratik para institucioneve ndërkombëtare.

Ndërprerja e regjistrimit është problematike ne disa nivele ( manipulative), se pari e degradon pozitën ndërkombëtare të shtetit dhe kapacitetin e tij demokratik para institucioneve ndërkombëtare (mos respektimi i rezolutës së Kombeve të Bashkuara). Së dyti, nëse nuk i kemi të dhëna për situatën e tanishme, nuk mundemi të gjykojmë se sa politikat zhvillimore të ndërmarra në periudhën 2002-2012 kanë qenë apo nuk kanë qenë te suksesshme. Gjë kjo që i mundëson qeverisjes aktuale një situate komode. Dhe e treta, partitë politike shqiptare , anëtare të qeverisë së tanishme, të cilët “luftojnë” dhe ”  lobojnë” për integrimin e RM në Bashkimin Evropian , me mos angazhimin e tyre (në qeveri) për realizimin e regjistrimit, në mënyrë të drejtërsëdrejtë NUK e plotësojnë rregullativën e BE (763/2008). Parashtrohet pyetja se sa të sinqerta janë deklaratat e partive politike shqiptare për integrime Euro-Atlantike. Si duket shumë pak sepse me regjistrimin e mirëfilltë do të dalin në pah: Numri i madh i shqiptarëve të cilët janë shpërngulur për shkaqe ekonomike, kjo si rezultat i politikave te gabuara apo jo favore për popullatën Shqiptare” shtoi Imeri.

Haziri: Regjistrimi i popullatës është një çështje e ndjeshme politike e cila do të nxis tensione sa herë që të përmendet

Lulzim Haziri, drejtor programesh në ‘Asociacionin për Iniciativa Demokratike’ (ADI) tha se në Maqedoni, regjistrimi i popullsisë nuk është çështje statistikore, zhvillimore apo analitike, por është një çështje e ndjeshme politike.

“Regjistrimi i popullsisë dhe amvisërive është i rëndësishëm për shkak të planifikimit të zhvillimit të shtetit në të gjitha segmente, nga ekonomia e deri te zgjedhjet. Por, në Maqedoni, regjistrimi i popullsisë nuk është çështje statistikore, zhvillimore apo analitike, por është një çështje e ndjeshme politike e cila do të nxis tensione sa herë që të përmendet dhe sa herë që të realizohet, nga shkaku se numrat përdoren për tu krijuar ndasitë e jo tërësia. Kaq jemi ne, kaq jeni ju! Ne forcohemi, ju dobësoheni! Nisur nga ky qëndrim konfliktuoz dhe nga brishtësia e koalicioneve qeverisëse të bazuara në ruajtjen e këtyre koalicioneve për interesa partiake, regjistrimi i popullsisë përherë do të jetë më tepërnjë detyrim nga jashtë, se sa nevojë nga brenda”, tha për Portalb, Haziri.

Ai shtoi se në shtyrjen e regjistrimit ndikon edhe migrimi i  vazhdueshëm legal dhe  ilegal i popullatës nga vendi.

“Besoj se manipulimi është evident nga shkaku se nuk shoh vullnet politik për ta zbatuar atë pas dështimit të tij në vitin 2011. Në shtyrjen e regjistrimit ndikon edhe migrimi i  vazhdueshëm legal dhe  ilegal i popullatës nga vendi, kryesisht i asaj shqiptare, por tash së fundi edhe e asaj maqedonase, si dhe një numër i konsiderueshëm i bashkësisë etnike rome e cila nuk posedon dokumente identifikimi. Besoj se ky është një nga shkaqet, por jo më i rëndësishmi! Edhe raportet e rregullta të Entit statistikor rreth natalitetit dhe mortalitetit të pjesëtarëve të bashkësive të ndryshme etnike janë një indikatorë i rëndësishëm që shtyjnë politikën që ta “harrojë” regjistrimin! Shkaku kryesor i ndërprerjes së regjistrimit besoj se është mungesa e besimit të ndërsjellë mes maqedonasve dhe shqiptarëve në drejtim të funksionimit të shtetit”, shtoi Haziri.

 LEXO MË SHUMË:

 Regjistrimi i popullatës nuk duhet të mohon apo garanton të drejtat e shqiptarëve

 Pa regjistrim të popullatës, manipulohen zgjedhjet

Loja etnike dhe migrimi bllokojnë regjistrimin

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ligji i ri qe duan ta sjellin per letèrnjftimet dhe pasaportat do tè diskualifikoj nje numer tè madh te popullatès sonè dhe me pastaj ta realizojne rregjistrimin….

Back to top button