91% e shqiptarëve pro BE’së

Nëse nesër do të zhvillohej një referendum mbi anëtarësimin e Shqipërisë në BE, 91% e shqiptarëve do të votonin pro këtij anëtarësimi.

Ky është përfundimi i një studimi të publikuar të premten në Tiranë mbi: Perspektivën evropiane e Shqipërisë, të ndërmarrë nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur (Soros).

“Studimi kombëtar mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë–Perceptime dhe Realitete”, i kryer në maj–tetor 2014 u prezantua sot në ambientet e qendrës së BE në Tiranë, në praninë edhe të ministres së Integrimit Klajda Gjosha.

Ministrja tha se ky është një nga studimet më të mira dhe bën që ta shohim më me objektivitet të ardhmen në BE dhe informimin e qytetarëve.

“Ajo çka është e rëndësishme dhe që unë e ndiej çdo ditë në punën time është që në çdo takim me ndërkombëtarët unë pyetem: sa për qind e qytetarëve shqiptarë e duan Evropën: Dhe t’ju them të vërtetën me shumë krenari, dhe këtë e nënvizoj them se 87% e qytetarëve e shqiptarëve janë pro BE-së, janë pro procesit të Shqipërisë drejt BE-së, janë pro procesit të Shqipërisë drejt BE-së”, ka thënë ajo, përcjell KP.

Ndërsa Romana Vlahutin, Ambasadore e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, u shpreh se një nga pyetjet më të rëndësishme që BE bën është se si t’u shpjegojmë qytetarëve shqiptarë se për çfarë shërben BE-ja.

Vlahutin e konsideroi përgjegjësi të madhe faktin se pothuajse të gjithë shqiptarët besojnë te BE më shumë se te çdo institucion tjetër.

Midis gjetjeve të shumta; studimi tregon se 77% e shqiptarëve mendojnë se integrimi i Shqipërisë në BE është i rëndësishëm. Gjithashtu 92% mendojnë se Shqipëria do të përfitojë shumë nga të qenit anëtar në BE.

Ndërkohë sektorët që shqiptarët mendojnë se do të përmirësohen më tepër nga aderimi në BE janë arsimi, ekonomia, mjedisi, eksporti produkteve dhe mirëqeverisja. 53% e shqiptarëve mendojnë se vendi është gati t’i bashkohet BE, ndërsa 69% shprehen se BE duhet të na pranojë si anëtar, megjithëse Shqipëria nuk është ende gati.

Ndërkohë sa i përket pritshmërive për të ardhmen, problemet kryesore me të cilat po përballen shqiptarët sot janë papunësia 45%, krimi 31%, gjendja ekonomike e vendit 30%. Por 71% e shqiptarëve presin që gjendja ekonomike e vendit të jetë më e mirë në 12 muajt e ardhshëm. Kjo është shifra më e lartë në Evropë duke lënë pas nivelet e optimizmit në Mal i Zi 47.2%, Islandë 43.2% dhe Suedi 40.7%. Ndërsa, sa i takon perceptimit për korrupsionin, 87% e shqiptarëve mendojnë se korrupsioni në Shqipëri është më i përhapur se në vendet e tjera evropiane.

Ndërsa 92% mendojnë se korrupsioni është problemi kryesor i vendit.

Prezantimi i rezultateve të botimit të këtij studimi, u ndoq nga një numër i madh përfaqësuesish të Ambasadave të vendeve anëtare të BE –së në Shqipëri dhe përfaqësues të Institucioneve Shqiptare. Gjithashtu të ftuarit në panel zhvilluan një sesion pyetje – përgjigje me të pranishmit.

Lajme të ngjashme

Back to top button