Depresioni, sulm paniku dhe probleme dashurie shkaqet për tragjedinë e Gjermanuings

Policia gjermane kontrolloi banesat e pilotit gjerman që mendohet se shkaktoi rrëzimin e avionit të linjës Gjermanuings në Alpet franceze duke vrarë veten dhe 149 personat e tjerë në bord. Sipas zyrës së prokurorit gjerman, piloti po merrte mjekim për probleme shëndetësore që nuk ia kishte bërë të ditura kompanisë, ndërsa para tragjedisë me siguri ka pasur probleme në lidhjen me të dashurën e tij.

Policia kontrolloi sot dy banesat që përdorte 27 vjeçari Andreas Lubic kur nuk ishte me shërbim: një apartament në Dyzeldorf dhe banesën e prindërve në Montabaur. Policia tha se ka marrë një numër objektesh si prova materiale.

Dje, prokurori francez Bris Robin tha në një konferencë për shtyp se me sa duket Lubic kishte rrëzuar avionin pasi kishte lënë jashtë kabinës së komandimit pilotin kryesor.

Prokurori tha se regjistrimet nga kutia e zezë e avionit tregojnë se Lubic kishte çaktivizuar sistemin automatik të drejtimit të avionit duke e detyruar vetë avionin të zbriste gradualisht për tetë minuta, me një shpejtësi 700 km/orë.

Zyrtarët thonë se Lubic nuk ishte në ndonjë listë të të dyshuarve për aktivitet terrorist. Media gjermane njofton se ai kishte marrë pushime në të kaluarën me arsyetimin se ndjehej i stresuar si dhe për probleme depresioni.

Matias Gebauer, korrespondent për të përditshmen gjermane Der Shpigel citoi sot shokë shkolle të Lubicit, sipas të cilëve ai ishte shkëputur për gjashtë muaj gjatë kursit si pilot në 2009, pasi ndjehej i lodhur psikologjikisht. Këto njoftime gjejnë jehonë edhe në një artikull nga gazeta gjermane Bild, e cila njofton se Lubic mund të ketë qenë duke marrë kura kundër depresionit.

Zyrtarët e kompanisë Lufthansa nuk i kanë konfirmuar këto njoftime, megjithëse Shefi ekzekutiv, Karsten Spohr ka thenë se nuk ka si ta dijë nëse problemet shëndetësore ishin shkaktare për shkëputjen e pilotit nga kursi përgatitor, pasi ligjet gjermane të privatësisë nuk lejojnë që hollësi të tilla të bëhen publike. Spohr ka shprehur shok nga përfundimet e prokurorit që piloti Lubic e shkaktoi qëllimisht rrëzimin e avionit. Ai tha se analizat mjekësore të Lubicit tregonin se ai ishte 100 për qind i aftë për të kryer rolin e pilotit.

Prokurori Robin tha se regjistrimet në kabinën e pilotit tregojnë se udhëtarët nuk ishin në dijeni të trajektores së frikshme që po ndiqte avioni, deri në momentet e fundit para rrëzimit kur dëgjohen britma.

Robin shton se regjistrimet tregojnë gjithashtu se piloti kryesor, i cili kishte dalë për të shkuar në banjo, i ra disa herë derës që piloti Lubic ta lejonte të kthehej në kabinë, por trokitjet e tij pasohen gjithmonë me heshtje. E vetmja zhurmë që dëgjohet në kabinë është frymëmarrja e pilotit Lubiic

“Nuk është frymëmarrje e vështirësuar, thjesht frymëmarrje e qetë,” thotë prokurori duke shtuar se nuk është zbuluar ndonjë lidhje mes këtij akti dhe ndonjë synimi terrorist.

Fluturimi 9525 ishte nisur nga Barcelona për në Dzseldorf me 144 pasagjerë dhe gjashtë pjesëtarë të ekuipazhit, kur u rrëzua 100 kilometra në veri të qytetit francez Nisë. Nga avioni nuk u dërguan sinjale rreziku gjatë zbritjes vdekjeprurëse.

Personat në bord ishin nga 18 vende, 72 prej të cilëve gjermanë dhe të paktën 35 spanjollë./MIA/

Lajme të ngjashme

Back to top button