Shkëndija ndërpret bashkëpunimin me Koznikun

Ndarja ka ardhur si pasojë e ecurisë dhe rezultateve të fundit të skuadrës që nuk janë në paralele të njëjtë me ambiciet, investimet dhe fondin e futbollistëve që posedon Shkëndija. Pankina i besohet Jeton Beqirit.

Shkëndija dhe Ardian Kozniku kanë arritur marrëveshje të dyanshme për ndërprerjen e bashkëpunimit dhe prej të premten gjakovari nuk është më trajner i Shkëndijës, ndërsa në vazhdim të sezonit pankina i është besuar ndihmësit të deritashëm, Jeton Beqirit. Ndarja me Koznikun ka ardhur si pasojë e ecurisë dhe rezultateve të fundit të skuadrës që nuk janë në paralele të njëjtë me ambiciet, investimet dhe fondin e futbollistëve që posedon Shkëndija. Pas humbjes së fundit në duelin lokal me Teteksin kryesia nuk ka dashur të sjellë vendime të përshpejtuara, duke i dhënë vetes, por edhe trajnerit kohë të mjaftueshme për të analizuar situatën. Në kushte të tilla të dyja palët kanë arritur në një pikë sipas së cilës ndarja në këtë moment është e paevitueshme dhe në interes të të dyja palëve. Kryesia e KF Shkëndija me këtë rast falenderon Ardian Koznikun për kontributin e dhënë në skuadër gjatë periudhës që lëmë pas, ndërsa i dëshirojnë gjithë të mirat në vazhdim të jetës personale dhe profesionale.

Në kohë të njejtë duke analizuar detalisht situatën e krijuar, kryesia ka vendosur që pankinën në vazhdim të sezonit t’ia besojë Jeton Beqirit. Duke ditur se deri në fund te sezonit kanë mbetur edhe 11-të ndeshje çdo opsion tjetër për postin e trajnerit do të ishte i rrezikshëm, ndërsa Beqriri përveç punës me ekipin e parë, këtë sezon drejton skuadrën B të Shkëndijës me të cilën për momentin është lider i tabelës. Ndihmësi i deritashëm i Ardian Koznikut, por edhe trajnerëve paraprak Roy Ferençina dhe Shpëtim Duro, njef më mirë se cilido trajner tjetër situatën momentale dhe vlerësohet si njeriu i duhur për të udhëhequr ekipin. Beqiri ka besim të madh te drejtuesit e klubit, të cilët bogovinasin e angazhuan në janar të vitit 2014, duke e lidhur me kontratë afatgjate dhe pa varshmëri me fatin e kryetrajnerëve. Për Beqirin kjo nuk do të jetë hera e parë që do të drejtojë si kryetrajner një skuadër, pasi paraprakisht sukseset e arritura me ekipe si Drita dhe Gostivari ishin arsyet që Shkëndija ta ofrojë në rradhët e saj. Debutimi i Beqirit si trajner i parë i Shkëndijës do të jetë në ndeshjen e xhiros së 22-të në transfertën me Sileksin në Kratovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button