Prej bombave apo prej Zaevit po frikoheni?

Në Maqedoni, kryetari i shtetit, kryeministri, drejtori i shërbimit të fshehtë, kryetari i kuvendit, ministri i financave dhe ministri i punëve të brendshme zyrtarisht e mbajnë vulën e VMRO-DPMNE-s. Këta janë alfa dhe omega në shtet dhe në shoqëri. Ç’duan bëjnë, ngaqë kanë mundësi dhe hiqen se askujt nuk kanë për t’i dhënë përgjegjësi. Janë një trup me disa gjymtyrë. Nuk pranuan gjymtyrë tjetër, ngaqë mund t’ia prishte rrugën qarkullimit të gjakut. Afërmendsh, që gjendja e përgjithshme kaq shumë do të rëndohej. Kjo lidhje e organeve më të rëndësishme të shtetit nuk është rastësi, as ndonjë mundësi që qytetarëve t’i shërbehet më me mirësi. Nuk ka më lehtë për një të pandehur kur ai njëherësh është gjykatës dhe avokatë. Nuk ka më keq kur njerëzit bashkëpunojnë në veprat kriminale, ngaqë krimi pastaj bëhet më i arrirë dhe më i vështirë për t’u shpartalluar. Nuk ka më qesharake sesa në vend të zagarit ta marrësh lepurin për gjah. Nuk ka punë më fëmijërore sesa ta ndërtosh godinën e qeverisë pikërisht në kohën kur pritet të rrëzohen qeveritarët prej asaj qeverie. Gjendja aq shumë u rëndua, saqë dikush patjetër duhej t’i dilte në ballë më konkretisht këtij vërshimi mbytës.

Secili në sajë të mundësive të veta punoi që kjo lemeri të merrte arrati. Sërish atyre që ishin zotuar se do ta shporrnin varfërinë barqet i gufonin dhe xhepat i gogësinin prej teprisë. Doli Zaevi me diçka të re. Me diçka që rriti gjasat e rrëzimit të kësaj lebetie. Doli ai dhe menjëherë pas tij dolën disa skutha për ta goditur atë që filloi ta godiste të keqen për të cilën qysh herët ramë dakord se i kishte shtrirë si kapadai këmbët nëpër dhomat dhe oborret tona. Habitshëm, askush nuk merrej me Zoran Zeavin derisa ai nuk merrej me problemet konkrete. Menduan se filluam të dashurohemi në Zaevin! Askush nuk filloi të dashurohet në Zoranin, kurse zorrët politike të Zoranit ishin një shpikje e kohës që në dukje vezullonin një logjikë dhe humor në këtë kohë të vëngërt. Askush nuk kishte menduar më mirë se Zorani rreth rrëzimit të kësaj dinastie tiranike. Më vjen inat, por nuk e kisha menduar një gjë të tillë, edhe pse shumë metoda kisha zier e përzier në kokën time se si mund të largohemi prej vargonjve që prodhuan dhimbje, izolim dhe prapambeturi. Madje unë do të doja që stërgjyshi im ta kishte shpikur motorin me avull, por ja që Xhemjs Vati nuk e kishte lënë. Pisi që kishte qenë Vati! Unë do të dëshiroja që Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi ta rrëzonin këtë të keqe, por ata lërë se një gjë të tillë nuk e jetësuan, por as që u përpoqën të paktën, me ndonjë përjashtim të vogël të deputetëve opozitarë, të cilët nuk heshtën, edhe pse ngjanin me ata që flisnin shumë mirë, por të cilëve ia kishin ndalur mikrofonat, apo me ata që shkruanin tejet mirë, por të cilëve ia kishin hequr ngjyrat prej penave. Ata nuk e rrëzuan, as që dhanë shenja në horizontin e turbullt se mund ta rrëzojnë këtë qeveri që çdo ditë e më tepër po i rrëzon dhe shtrinë për tokë qytetarët e saj. Këtë qeveri që në vend se t’i dëgjojë qytetarët, ajo i përgjon ata së bashku edhe me qeveritarët, për t’i dhënë kështu kuptim të plotë fjalës peng, përdorim dhe hipotekë. Pas gjithë kësaj katrahure doli Zaevi e nuk doli Zaimi, edhe pse unë do të doja që ky i fundit t’i jepte kuptim praktik kërkesës për mirëqenie. Unë nuk e di nëse do ta rrëzojë ai qeverinë, sepse fundja qeveria një ditë do të rrëzohet prej vetë shumësisë së punëve të liga, por ajo që është për t’u vlerësuar në këtë rast është përpjekja për t’i dhënë dhe thënë fund natës së gjatë e të mbushur me përplot akrobacione djajsh.

Pikërisht në këtë kohë nuk ia vlen të sulmohet Zaevi, edhe pse është për t’u habitur me ata që pikërisht tani po e sulmojnë! Përse pikërisht në këtë kohë aq zëshëm po e sulmojnë, madje gëzimet e atyre të cilët presin që kjo natë e errët dhe e acartë të merr fund, nuk e di se përse po i trajtësojnë në admirim për LSDM-n? Kjo assesi nuk mbanë, pos që shihet një lloj sulmi duke pasur për qëllim mbrojtjen. Nuk ka nevojë që të besohet Zaevi. Mjafton zëri i pashkëputur i protagonistëve të përgjimeve. Fundja fjalori që përdoret përgjatë këtyre bisedave nuk është kushedi i veçantë prej atij që jemi mësuar ta dëgjojmë përditë. Unë nuk do të kisha besuar nëse fjala vjen, z. Xhaferi do të fliste aq bukur dhe bindshëm për shkencën e astronomisë, apo që z. Bexheti të fliste aq rrjedhshëm dhe pa gabime në gjuhën shqipe. Fundja, as për bisedën e z. Thaçit me Mijallkovin nuk u habita, ngaqë këta të dy kanë pasur takime paraprake krejt haptas. Mbase nuk besoj që ka njeri që vetëm si pasojë e publikimit të përgjimeve do ta ndryshojë mendim rreth liderëve shqiptarë dhe atyre maqedonas. Assesi! Unë pres që këto përgjime ta çojnë në këmbë faktorin ndërkombëtar për keqpërdorimin e financave publike, borxhin e jashtëm, krimin ekonomik përgjatë tenderëve, fryrjen e faturave, keqpërdorimin e votës së qytetarit, emërimet partiake në prokurori dhe në gjyqësi, si dhe piketimi i mundshëm i gjurmëve të atyre që realisht e kanë kryer aktin monstruoz të vrasjes së pesë të rinjve të pafajshëm, kryerës të cilët po ashtu në mënyrë djallëzore krijuan edhe rastin “Monstra” për t’u shoqëruar pastaj edhe me disa të pafajshëm tjerë kjo rrjedhë trishtuese.

Saktësia e këtyre përgjimeve pritet të vërtetohet, edhe pse fshati që shihet nuk do kallauz, thotë populli. Sidoqoftë, le të vërtetohen dhe vetëm pastaj do të mund t’i shohim bulëzat e para të këtyre bombave. Sërish, Zaevi nuk meriton as të latohet e të lartësohet. As të besohet. Mjafton të jemi vetë dëshmitarë të atyre gjërave që paraprakisht i dinim. Thjesht, ai po e bën një punë që është detyrë morale e çdo qytetari dhe një obligim juridik që i takon çdo opozitarit. Përskaj kësaj, nuk ka nevojë që pikërisht tani të sulmohet Zaevi, as ata që prej vështirësive të shumta po i gëzohen bombave të tij, por të nxitet, kërkohet e të përkrahet që bombat t’i mbushë edhe më tepër me barut.

Gjithsesi, askush nuk e mohon se në këtë shtet shumëçka nuk është në rregull, ndaj edhe efekti i bombave nuk do të jetë sjellje e ndonjë risie, por vetëm vërtetim faktik i gjendjes të cilën shumëkush e di, por ja që i mungon aftësia dhe mundësia për ta argumentuar atë që e di. Vallë, kush thotë se në këtë shtet nuk gëlon krimi ekonomik? Kush mund ta mohojë pasinqeritetin e liderëve shqiptarë ndaj popullit të tyre dhe në anën tjetër çiltërsinë e tyre ndaj të pushtetshmëve? Po të ishin tradhtar ndaj tyre dhe besnik ndaj popullit nuk do të ishte gjendja jonë kaq shumë e rënduar. Vërtet, ata që pikërisht në këtë kohë merren me Zaevin, nëse paska bërë apo nuk paska bërë ndonjë të mirë për shqiptarët, janë për t’u dhimbsur, ngaqë me çdo çmim duan ta mbrojnë atë që nuk ia vlen dhe ta anatemojnë një ngritje pluhuri të mundshëm prej të cilit mund ta kemi ndonjë dobi. Askush nuk humb nëse për shkak të këtyre bombave rrëzohet qeveria. E kam fjalën, asnjë kriminel nuk humb. Po edhe nëse nuk rrëzohet, sërish jemi në të njëjtin pellg të mbushur me moçal. Nuk humbim as nuk fitojmë, edhe pse ka shpresa për t’i dhënë fund këtij tmerri. Çka nëse bëhet shkaktar Zaevi që rasti “Monstra” të zbardhet dhe të pafajshmit të lirohen prej burgut? Ku do të mbesin pastaj ata që panevojshëm e kundërshtonin Zaevin, pikërisht në një kohë kur më së paku duhej sulmuar? Me të drejtë kishte thënë Sami Frashri: “Nuk ka fjalë më të keqe sesa fjala e mirë e thënë në një vend dhe kohë të gabuar”!

Lajme të ngjashme

Back to top button