Pse po harrohet demonstrata e 28 marsit 1989, në Zhur?!   

Politikat me anime regjionale apo më mirë të themi krahinore janë politika të dëmshme për vendin tonë. Kush e harron historinë, ajo ka gjasë të iu përsëritet thuhet jo rrallëherë. Me vetëdije apo me qasje injorante ndodh që datat e rëndësishme të konsiderohen si dorë e dytë, për arsye se në ato ngjarje nuk kanë qenë pjesëmarrëse personat që tani kanë një vend në udhëheqësi. A thua ndoshta pse vallë krahina e Lumës apo konkretisht Zhuri nuk kanë njerëz që qojnë peshë në udhëheqje institucionale, lihen anash në çdo manifestim kulturor e historik. S’të dhemb aq shumë mosgatishmëria për pjesëmarrje në ngjarjet kulturore-sportive, sa të dhemb injorimi total i institucioneve tona karshi datës së 28 Marsit 1989.

Mos të harrojmë, gisht në këtë ngjarje të lënë në harresë, kanë edhe vet mediat. Shohim që për ngjarje tejet jo të rëndësishme apo edhe në disa raste kur kemi lajme degjeneruese iu kushtohet rëndësi me proklamime të papara, bile edhe duke i sponsorizuar. Harrojnë të gjithë mediat e institucionet, që kjo demonstratë ishte ngjarja kryesore kundrejt suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe ndaj ndalesës se përdorimit të gjuhës shqipe në vend, këtë gjuhë që tani e përdorin lirshëm nëpër institucione e gazetarët thurin artikuj pompoz.

Vullneti i popullit, me gjithë të rinj e pleq, marshuan drejt qendrës kryesore në fshat duke dalë në rezistencë kundrejt planeve e operacioneve kolaboracioniste  serbe. I gjithë Zhuri digjej në flakë. Dhuna dhe represioni i qarqeve barabare serbo-sllave nuk mungoi, duke u munduar që ti përpij të gjallë gjithë ata njerëz që morën pjesë në këtë revansh protestues, e që cilësohej si kryengritja më masovike e fundviteve të 80-ta.

Edhe pse shumë persona u arrestuan, u morën në biseda informative, e u torturuan, por sistemi i egër serbo-komunist e pa që edhe nëse do duhej ta angazhonte të gjithë arsenalin e saj propagandistues dhe gjenocidal me nuanca fashiste, ëndrra për të frymuar shqip, në frymën e të parëve, nuk do të shuhej. Ishte një fshat i tërë në shërbim të atdheut.  Stafi i shkollës me gjithë nxënësit, sado të rinj në moshë që ishin, bojkotuan mësimin dhe pa pikë frike, si trima që i lindi kjo trevë, përdorën parullat për Kosovën Republikë.
Untitled

Si pasojë, përveç dhjetëra të plagosurve, atë ditë të kobshme për shqiptarët, por që padyshim mbetet ngjarja kryesore për kërkimin e të drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe dhe ruajtjes së autonomisë së vendit, ranë në altarin e lirisë për tu bërë simbol i rezistencës për çështjen kombëtare : Xhymshit , Gjylbear dhe Hajrim Badallaj. Makineria serbe shkeli qdo gjë që iu dilte para, saqë nuk kursyen as fëmijë, ku Hajrim Badallaj ishte vetëm nxënës i klasës së gjashtë. Familja Badallaj vërtet humbi tre bijë të tyre, mirëpo e vazhdoi historinë e dëshmorëve të rënë nga gjiri i vet. Gjaku i tyre u bë amanet për liri dhe pavarësi.

Në mesin e të gjithë atyre ngjarjeve, mos të harrojmë që kishte edhe asi shqiptarë me “letra”, e që gjaku iu ishte bërë ujë, saqë thoshin se Kosova nuk ka humbur asgjë nga suprimimi i autonomisë së saj. Shteti i egër e fashist serb e dinte se shuarja e një populli fillon nga ndalimi i arsimimit. Pas këtyre ngjarjeve, jeta arsimore nëpër shtëpi-shkolla vazhdoi pa reshtur, duke dalur breza të rinjë, e duke i paraprirë edhe hapjes së shoqatës humanitare por tejet me karakter kombëtar si në Zhur ashtu edhe gjithandej Kosovës, shoqata “Nëna Terezë”.

Vërtet shteti serb asokohe ua morri elementin kryesor të shtetit, autonominë, por ama ua rriti ambicien për shkollim në gjuhën e të parëve me një atdhedashuri të madhe.

Mitizimi i ngjarjeve nuk i shërben askujt, sidomos këtyre datave faktike, por desha që t’ua rikujtojë disave nga brezi më i vjetër që e kanë harruar shpejt këtë ngjarje dhe e kanë hedhur lehtë pas krahësh. Ka vite që është lënë anash, saqë në këtë datë përveç banorëve të lokalitetit të Zhurit, asnjë përfaqësues nga institucionet lokale, qeveritare dhe parlamentare nuk vizitohet. E potencova qëllimisht institucionin qeveritar dhe parlamentar, pasi që kjo datë përkujtimore ka vlera kombëtare, e mos të themi historike.

Gjithsesi, të gjithë ne që sot frymojmë lirshëm shqip, kemi një detyrim madhor ndaj veprës së te rënëve në këtë demonstratë dhe gjithë pjesëmarrësve të kësaj demonstrate, pasi qe ata u bënë frymëzim për brezat e rinj dhe gjithë rininë studentore. Nderimi apo jo i kësaj date teke fundit nuk qon shumë peshë, pasi që emrat e tyre janë shkruar me shkronja të arta në ballinën e shkollës së Zhurit “Dëshmorët e Zhurit”, ku sot me krenari e mban emrin e pishtarëve të gjuhës dhe vet identitetit shqiptarë: Xhymshit, Gjylbear dhe Hajrim Badallaj. Hallall iu qoftë gjiri i nënës, pasi qe këta u betuan se do jenë armik i çdo lloj tiranie që iu vërsulej kombit..

Lajme të ngjashme

Back to top button