Policia e Kosovës bëhet me “Civilna Zastita”

Qeveria e Kosovës njofton se, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, sot pasdite është arritur marrëveshja për integrimin e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile” (Civilna Zastita) në Policinë e Kosovës. “Mbrojtja Civile” vepronte si një strukturë paralele serbe e sigurisë në veri të Kosovës, shkruan Telegrafi.

Ministrja për Dialogun Edita Tahiri, e cila ka udhëhequr negociatat për këtë çështje, ka deklaruar se “arritja e kësaj marrëveshje mes tre palëve, Kosovës, Serbisë dhe BE-së, e cila është përmbyllur sot pasdite ka një rëndësi të madhe”.

“Marrëveshja i jep fund strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘Mbrojtja civile’ dhe mundëson integrimin e ish-pjesëtareve të saj në institucionet e Republikës së Kosovës. Procesi i bisedimeve ka qenë gjatë dhe i mundimshëm për gati dy vjet, ndërsa në periudhën e fundit shkurt-mars të këtij viti negociatat janë zhvilluar në mënyrë bilaterale, mes BE-së dhe të dy shteteve dhe fundi ishte i suksesshëm, rezultoi me marrëveshje të nënshkruar nga tre palët”, ka thënë Tahiri.

“Marrëveshja në fjalë parasheh procesin e zhbërjes së kësaj strukture paramilitare dhe procesin e integrimit të individëve në institucionet civile të shtetit të Kosovës, specifikon obligimet e palëve dhe afatet kohore të zbatimit. Marrëveshja parasheh mbylljen e të gjitha objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga kjo strukturë ilegale në komunat veriore të Kosovës dhe dorëzimin e tyre institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo marrëveshje duhet të zbatohet deri më 1 shtator 2015”, tha Tahiri.

Ministrja Tahiri me këtë rast ka falënderuar Bashkimin Evropian për një punë të suksesshme për ndërmjetësimin e kësaj marrëveshjeje si dhe SHBA-të për mbështetje dhe angazhim në këtë proces.

“Civilna Zastita” (Mbrojtja Civile) vepronte si një strukturë paralele e sigurisë në veri të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button