Me asnjë dokument nuk mund ta vërtetosh se je shqiptar! Hapsirë për manipulime!

Në asnjë nga dokumentet personale dhe shtetërore të Maqedonisë, nuk ka një rubrikë në të cilën shkruhet kombësia e qytetarit. Një gjë e tillë në Maqedoni është problem serioz pasi që të drejtat e pakicave, në këtë rast të shqiptarëve kushtimisht thënë varen po nga nacionaliteti tyre.

Sipas juristit Osman Kadriu një rubrikë e tillë duhet të ekziston e sidomos në Maqedoni, pasi është një shtet multietnik dhe nevojitet të vërtetohet nacionaliteti për çështje të ndryshme.

“Çështja e përcaktimit të nacionalitetit në dokumentacionet identifikuese dhe personale është mjaftë e nevojshme sidomos në Maqedoni. Më herët e kishim një procedurë të tillë kurse tani që disa vite është hequr ky opsion, duke e bërë që kombësia të deklarohet dhe jo të vërtetohet”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai shtoi se një lëshim i tillë i konvenon bllokut maqedonas pasi që në këtë mënyrë nuk mund të bëhen statistika me përqindjen e popujve të tjerë që jetojnë në Maqedoni.

“Unë mendoj se kjo është bërë me qëllim dhe se i konvenon shumë bllokut maqedonas një vendim i tillë pasi që në dokumente shkruhet vetëm shtetësia dhe jo kombësia, dhe kështu fshihet numri i shqiptarëve, turqve romëve dhe popujve tjerë që jetojnë në Maqedoni. Kjo shkon në favor të maqedonasve duke pasur parasysh se populli i tyre është në rënie kurse shqiptarët si dhe romët janë në rritje në bazë të lindjeve.”, tha Kadriu.

Kadriu gjithashtu nuk përjashtoi mundësinë që gjatë deklarimit dhe jo vërtetimit të kombësisë mund të ndodhin manipulime të shumta, si dhe të keqpërdoret edhe Marrëveshja e Ohrit. Sipas tij këtu u mohohet e drejta e qytetarëve për tu pajisur me dokumentacion i cili iu takon me të drejtë.

“Është e vërtetë që nuk ka ligj as akt juridik i cili mundëson marrjen e një dokumenti në të cilin vërtetohet kombësia shqiptare. Mirëpo kërkesa për marrjen e të dhënave nga libri amzë nuk duhet t’i mohohet askujt. Aty shkruan nacionaliteti dhe ky dokument shërben edhe si vërtetim për punësim në administratën shtetërore konform realizimit të Marrëveshjes së Ohrit. Jam i bindur se një shtet multietnk si është Maqedonia duhet të ketë një dokument shtetëror në të cilin vërtetohet kombësia, sepse për të deklaruar kombësinë mund të bëhen manipulime të shumta, si maqedonas, turk apo romë të deklarohen si shqiptarë për të shfrytëzuar dhe keqpërdorur Marrëveshja e Ohrit, dhe këto raste duhet të përcillen me shumë seriozitet dhe sigurisht të sanksionohen”, tha Kadriu.

Nga ana tjetër Avokati i Populit, Ixhet Memeti thekson se ashtu si feja, edhe nacionaliteti nuk vërtetohet por deklarohet, gjë që është praktikë e pothuajse të gjitha vendeve evropiane dhe perëndimore.

“Etniteti dhe feja nuk dëshmohen nga asnjë organ sepse atë nuk mund ta cakton shteti. Vetë individi vendos se si ndjehet dhe cilës përkatësi etnike i takon. Prandaj këto dy fusha nëse kërkohet vërtetim, bëhet deklarimi te noteri. Këto janë të drejta universale që praktikohen në vendet evropiane si dhe në ato perëndimore”, tha për Portalb, Memeti.

Ai shtoi se ende është numri i madh i qytetarëve qe nuk e deklarojnë përkatësinë e tyre etnike.

“Numri më i madh i parashtruesve të cilët e kanë deklaruar përkatësinë etnike janë : maqedonas 36,85 %, shqiptarë 14,56%, romë 3,09%, turq 1.88, maqedonas mysliman 1,28%, serbë 1.17%, boshnjakë 0,66% dhe vlleh 0,31% . ndërkaq 40,48 për qind e popullatës nuk ka deklaruar kombësinë”, theksoi Memeti.

Ndërkaq qytetarët shqiptarë ankohen se ofiqarët nuk u japin vërtetim me të dhënat e librit amzë në të cilën vërtetohet kombësia shqiptare, dokument ky i cili u nevojitet për nevojat e tyre personale.

 LEXO MË SHUMË

 Mosdeklarimi i kombësisë, hapësirë për manipulim dhe diskriminim

 Juristët: shkelen të drejtat e njeriut në Maqedoni

 Ministria e Drejtësisë fshin nacionalitetin nga vërtetimi i të dhënave të Librit Amzë

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Bile, bile as libreza e shèndetèsise nuk eshte ne
    shqip ! Dokument shume shume personal…

Back to top button