Arbër Kolonja: jeta është një ëndërr, zgjohu dhe preke atë (Intervistë)

Arbëri është ylli jonë që na përfaqëson në të gjithë botën. Punimet dhe idetë që ai i prodhon janë mahnitëse. Ne duhet të jemi falemnderues që Arbëri është nga Maqedonia. Ai flet për artin, kulturën, rininë, startup-et dhe të ardhmen. Lexojeni dhe shpërndajeni këtë intervistë për të motivuar edhe tjerët!

Intervistoi:  Venhar Ramadani 

Arbër, ju punoni për Media Group Österreich dhe disa vende tjera si artist i lirë. Cilat janë ata vende?
A.KOLONJA: Po bëhen gati një vit që punoj në Media Group Österreich e cila është më në zë në Austri ku punoj në dy pozicione, atë të grafikës dhe editimit të fotografisë profesionale. Punë këto të cilat publikohen në gazetën e përditshme si dhe në revistat javore e mujore si për shembull revistat e njohura të modes Madonna, Stylebook dhe shumë zhanre te tjera. Njëkohësisht punoj si dizajner grafik i pavarur për kompani të ndryshme, autor, dhe shumë klient nga Maqedonia, Austria dhe Zvicra. Jam aktiv edhe si freelancer në rrjete të ndryshme të artit siç janë : Threadless, Designcrowd, 99Designs, society6 dhe te tjera.

A do të ishte kjo ide një dimenzion i ri në promovimin e të rinjëve kreativ dhe a mendoni se ia vlen të sillet në Maqedoni?
A.KOLONJA: Besoj se është shumë interesante të jesh aktiv nëpër këto lloj fusha sepse aty njëkohësisht e teston dhe e krahason veten dhe aftësitë e tua krijuese me artistët e tjerë. Por në Maqedoni nuk e besoj se do të funksionoj siç duhet në të vërtet për faktin që pagesat bëhen me një system i cili tek ne nuk është ende në funksion.

Keni marrë pjesë në shumë gara ndërkombëtare. Pyetja jonë është, a mund të paragjykohet një i ri nga Ballkani për arsye të ndryshme dhe si pasojë e kësaj të mos shpërblehet me asnjë vend në konkurrim?
A.KOLONJA:
Ndryshe nga Ballkani, perëndimi gjithmonë është në kërkim të kualitetit dhe idesë së re. Në Ballkan, në plan të parë është paragjykimi ndërsa kualiteti shpeshherë as që mirret parasysh. Kështuqë duke u nisur nga vetja me një numër të konsiderueshëm çmimesh dhe ekspozitash, rezulton se perëndimi të bën vlerësim meritues pa asnjë paragjykim. 

Ju jeni zgjedhur si student i vitit 2011 nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Cili është sekreti i të qenit më i miri?
A.KOLONJA:
Pesimizmi thuajse nuk egziston tek unë, mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme, gjithmonë i kam bërë presion vetes (NUK KAM KOHË!), kjo më ka bërë më të ekuilibruar dhe më ambicioz duke analizuar çdo gjë dhe duke punuar shumë për tju arsyetuar vetes dhe kohës, sepse koha është e pamëshirshme.

Keni marrë pjesë në Migration to Europe: Can it Work for Development? në Pragë, Republika Çeke në vitin 2011. Për t’u ndërlidhur me këtë, çka mendoni për migrimin e shqiptarëve?
A.KOLONJA: Slogani i Posterit tim në këtë konkurs ka qënë : “Jeta është një ëndërr, zgjohu dhe preke ëndrrën” i cili u përzgjodh ndër posterat më të mirë të konkursit që u ri-ekspozuan edhe në Komisionin Europian në Bruksel me ftesë nga Štefan Füle. Migracioni është një temë diskutabile dhe komplekse se si rrjedhojë e kujt faktori mund të migrohet. Por unë jam dakord me migracionin që është frytdhënës për vendin tonë, e jo ti kthejm shpinën dhe të asimilohemi në vende tjera.

Keni fituar vendin e parë në konkursin ndërkombëtar ”Nelson Mandela the Liberty Pigeon”. Si ndjeheni me këtë fakt?
A.KOLONJA:
Ndihem shumë i privilegjuar dhe krenar për shumë arsye, një ndër to është fakti që lash një gjurmë shqiptari në ikonën e paqes siç është Nelson Mandela. Kjo do to thotë shumë për mua dhe për ne sepse arti është ambasadori më i mirë dhe më i sinqert i një populli. 

Konkursin ”Nelson Mandela the Liberty Pigeon” e keni fituar me posterin e Mandelës dhe nën të e keni sloganin Hate Waves are Calmed Down-Valët e urrejtjes u qetësuan. Si duhet ta kuptojnë këtë slogan të rinjtë shqiptar në Balkan?
A.KOLONJA:
Kam lexuar për jetën dhe veprimtarin e Nelson Mandelës dhe arrita deri diku ta përmbledh dhe të prezantoj ne formë vizuale konteporane. Të gjith posterin e krijova me valë të bardha dhe të zeza që simbolizojn racën e bardhë dhe të zezë e të cilat përfundojnë në harmoni nën sloganin “Valët e urrejtjes u qetësuan“.  Ky është një mesazh sensibilizues që duhet të vlej edhe tek ne. 

Keni marrë gjithashtu edhe vendin e parë në dizajnimin e maicave për 100 vjetorin e pavarsisë së Shqipërisë. A mendoni se në Maqedoni dhe në Ballkan shteti dhe shoqëria dine ti vlersojnë artistët?A.KOLONJA: Deri tani janë më shumë se 20 ekspozita ndërkombëtare që kam marr pjesë si finalist dhe disa çmime, por çmimi i 100 vjetorit të pavarësisë është shumë i veçantë sepse arrita të ilustroj Himnin tonë Kombëtar duke e kthyer çdo fjalë në ikonë ku çdo ikonë përfaqësonte disa nga vyrtytet dhe kodet tona të krenarisë siç janë: Besa, Flamuri, Gj.K.Skënderbeu, 2 qeleshet e bardha toske dhe gege, Bashkimi, Liria, Harta e Shqipërisë Etnike. E gjithë kjo në një formë bashkëkohore për tua imponuar të rinjëve që ti duan simbolet dhe kodet tona të shenjta dhe të mos i humbim siç jemi duke bërë…
Sa i përket Artit dhe vlerësimit  në Maqedoni dhe Ballkan , thuajse nuk janë prezente organet kompetente për këtë fushë, edhe kur janë, shpesh herë bëjnë gabim duke u munduar ta bëjnë Artist dikënd. Arti nuk do fjalë ta etiketosh veten si “Artist“  me gjëra demode, është përgjegjësi, do punë dhe sakrificë.

Si e komentoni gjendjen e medias në Maqedoni? Si mund të rinjët të zhvillohen nëpërmjet programeve televizive?
A.KOLONJA:
Mund të veçohen shumë pak emisione që janë në një nivel më të lart, kurse për televizionet në përgjithsi janë njëlloj perveç logove që nuk premtojnë asnjë shpresë për ndryshim , por si TV lokal ose lagjesh. Çdo ditë shohim të ashtuquajtur VIP– a të cilët nuk e kanë sensin se çfar nënkupton ajo, por na bastardojnë  edhe gjuhën bashkë me gazetarët që i prezantojnë këto nivele të ulta përfaqësuese. Ky është mjerim që vazhdon çdo ditë dhe për një relaksim të shikuesve nga e gjithë kjo situate irritimi vijojnë serialet që vetëm TV tona dinë se ku i gjejnë…  Pra, asgjë e re vetëm ripërsëritje pa kontrast ndërmjet.

Si inspiroheni kur dizajnoni diçka? Ku dhe si duhet të inspirohet rinia?
A.KOLONJA:
Mvarësisht nga koncepti se për çfarë duhej krijuar. Unë jam tip që më intereson të di çdo gjë nga të gjitha fushat si art, muzikë, letërsi, shkencë, astronomi dhe shumë të tjera ku ka shumë për tu inspiruar për ata që duan të inspirohen. Kurse për krijim dhe shije jam shumë i thjesht, e dua më të mirën.

Në Maqedoni pa punësia është mbi 35%. Kush është fajtori dhe cila duhet të jetë zgjidhja e të rinjëve?
A.KOLONJA:
Në Maqedoni njihet ky fenomen dhe kjo ndodh për shumë arsye, por përgjegjesitë duhet të ndahen, Ne të gjith jemi fajtor dhe të gjith vazhdojmë të ankohemi duke akuzuar politikën sepse duam të gjejmë një armik për tja lënë fajin. Politikanët tonë nuk besoj se duan ta fundosin popullin e tyre, është politika sllave ajo që na diskriminon vazhdimisht. Dhe kjo mund të rregullohet nëse u largohemi kafeneve, të bëhemi nji dhe të fillojmë të veprojmë në të mirë të shoqërisë edhe jo të rrijm në gjum që pasojat të bëhen kronike.

Çfarë do të ndodh me të ardhmen tuaj? A keni ndonjë plan se çka do të bëni?
A.KOLONJA:
Që një vjet e gjysëm jetoj në Vjenë të Austrisë ku punoj, veproj dhe e avansoj veten njëkohësisht. Ky ritem do të vazhdoj më tej besoj. Synimi im ka qënë dhe do të mbetet gjithmon të hec bashkë me kohën dhe të lë gjurmë në të si Arbër dhe më shumë si shqiptar. Dhe ndihem i gëzuar qe kjo po realizohet duke figuruar në krye të listës nëpër festivalet më prestigjioze të Artit. Kjo ma ëmbëlson sadopak borxhin që kam ndaj familjes dhe vendit tim që nuk shlyhet kurrë, por unë do të vazhdoj ta bëj të njejtën .

A janë startup-et zgjidhje për të zbutur papunësinë e të rinjëve?
A.KOLONJA: Jam përkrahës i çdo nismë të re e cila është në tendencë që rrjedhimisht tenton në sukses. Kështuqë mendoj se çdo startup mund të jetë shpeshherë edhe zgjidhja e pesimizmit, gjendje në të cilen ka rënë shoqëria jonë.

Cili është filmi dhe libri juaj i preferuar?
A.KOLONJA:
Janë shumë, por do veçoja disa: Modigliani, Gladiatori. Pastaj ne verzion film dhe liber i veçoj Angels and Demons dhe Kodi i Da Vinçit.

­­

 Kjo intervistë është bërë nga vizione.info dhe Portalb.mk i ka të gjitha të drejtat e publikimit të intervistës, sipas marrëveshje së arritur mes palëve. Për më shumë intervista, ndjekni VIZIONE në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme

Back to top button