Mogherini: Të formohet Gjykata Speciale

Shefja e diplomacisë evropiane, Frederica Mogherini shpreson që Kuvendi i Kosovës do të ketë shumicën e nevojshme për të miratuar themelimin e Gjykatës Speciale.

“Uroj që Kuvendi të ketë 2/3 e votave, sepse së pari kjo është në linjë me zotimet e vitit të kaluar dhe një mënyrë e mirë për të ecur përpara. Do të doja që kjo të ndodhë”, ka thënë Mogherini, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Ndërsa Mustafa tha se Gjykata Speciale nuk është për të gjykuar luftën, por individët. “Kosova është e gatshme të ballafaqohet me kërkesën e themelimit të dhomave të veçanta të gjykatave, do të gjykohet secili individ që ka bërë ndonjë krim. Kosova nuk frikësohet nga e kaluara”, deklaroi kryeministri kosovar.

E para e diplomacisë evropiane dhe drejtuesja e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel ka thënë se energjia do të përqendrohet edhe në implementimin e marrëveshjeve të arritura, por edhe në diskutimin për marrëveshje të reja.

E pyetur nga “Koha.net” nëse njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë kusht i finales së dialogut të ndërsjellë dhe kusht për integrim të dy vendeve në Bashkimin Evropian, kryediplomatja evropiane nuk ka pasur përgjigje direkte, por e ka lidhur me frymën integruese të vendeve të Evropës.

“Kur jemi te kushti, kushtet për integrim në BE më shumë se çështje burokratike është çështje politike. BE është bashkim i vendeve që për shekuj kanë luftuar mes tyre. Takimi i djeshëm i ministrave të Jashtëm ka treguar se ka vend për bashkëpunim. Ndërkohë në Bruksel, kam parë dy kryeministrat duke u takuar më 9 shkurt, duke punuar së bashku, diferencat dhe vështirësitë janë evidente. Mirëpo, e shoh pozitiv dialogun”, është shprehur Mogherini./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button