Letra e Putinit drejtuar amerikanëve

Ngjarjet e fundit që kanë të bëjnë me Sirinë më kanë nxitur të flas në mënyrë direkte me popullin amerikan dhe liderët e tyre politikë. Kjo është e rëndësishme të bëhet në një kohë komunikimi të pamjaftueshëm mes dy shoqërive tona.

Marrëdhëniet tona kanë kaluar faza të ndryshme. Qëndruam kundër njëri-tjetrit gjatë Luftës së Ftohtë. Por, ishim gjithashtu aleatë një herë e një kohë, dhe mposhtëm nazizmin së bashku. Më pas u krijua Organizata Universale Ndërkombëtare – Kombet e Bashkuara – në mënyrë që të parandalonin shkatërrime të ngjashme.

Themeluesit e Kombeve të Bashkuara kanë rënë dakord që vendimet që ndikojnë në luftë apo paqe duhet të merren me konsensus, dhe me pëlqimin e Amerikës vetoja nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit u mishërua në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Urtësia e thellë e kësaj ka përforcuar stabilitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare për dekada.
Asnjë nuk dëshiron që Kombet e Bashkuara të kenë të njëjtin fat me Ligën e Kombeve, e cila u zhbë ngase i mungonin levat reale. Kjo është e mundur nëse vendet me influencë anashkalojnë Kombet e Bashkuara dhe ndërmarrin veprime ushtarake pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit.

Sulmet e mundshme nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Sirisë, pavarësisht kundërshtimit të fortë të shumë shteteve dhe liderëve të mëdhenj fetarë dhe politikë, përfshirë Papën, do të rezultojnë në më shumë viktima të pafajshme dhe përshkallëzimin, me shumë gjasa edhe shtrirjen e konfliktit tej kufijve të Sirisë. Sulmet do të rrisnin dhunën dhe të ndërsenin një valë të re terrorizmi. Mund të minojnë përpjekjet shumëpalëshe për zgjedhjen e problemit bërthamor iranian dhe konfliktit izraelitopalestinez sidhe të destabilizonin më tej Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore. Sulmet mund të çekuilibrojnë të gjithë rendin dhe ligjet ndërkombëtare.

Siria nuk po përjeton një betejë për demokraci, por një konflikt të armatosur mes qeverisë dhe opozitës në një shtet multifetar. Ka pak kampione demokracie në Siri. Por ka më shumë se mjaftueshëm luftëtarë të Al-kaedës dhe ekstremistë të të gjitha vijave që luftojnë qeverinë.
Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara i ka përshkruar Al Nusran, Levantin etj, të cilat janë në krah të opozitës, si organizata terroriste. Konflikti i brendshëm, i nxitur nga armët me të cilat shtetet e huaja furnizojnë opozitën, është një nga më të përgjakshmit në botë.
Mercenarët nga vendet arabe që po luftojnë atje, dhe qindra militantë nga shtetet perëndimore e madje edhe nga Rusia, janë çështje shqetësimi të thellë. A nuk mund të kthehen ata në vendet tona me eksperiencën e fituar në Siri? Në fund të fundit, pasi luftuan në Libi, ekstremistët kaluan në Mali.

Kjo na kërcënon të gjithëve. 

Që në krye të herës, Rusia ka advokuar dialogun paqësor që mund t’u mundësonte Sirianëve të zhvillonin kompromisin për të ardhmen e tyre. Ne nuk po mbrojmë qeverinë siriane, por të drejtën ndërkombëtare. Ne duhet të përdorim Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe besojmë se ruajtja e ligjit dhe rendit në botën e sotme komplekse dhe turbulente është një ndër rrugët e pakta që nuk do të lejonin rrëshqitjen në kaos të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ligji është ende ligj, dhe ne duhet ta ndjekim na pëlqen ose jo. Sipas ligjeve ndërkombëtare, forca lejohet vetëm në vetë- mbrojtje ose me vendimin e Këshillit të Sigurimit. Gjithçka tjetër është e papranueshme sipas Kartës së Kombeve të bashkuara dhe do të përbënte agresion. 

Askush nuk dyshon që gazi helmues është përdorur në Siri. Por ekziston çdo arsye për të besuar se ai nuk është përdorur nga ushtria siriane, por nga forcat opozitare, për të provokuar ndërhyrjen e patronëve të tyre të fuqishëm nga jashtë, të cilët në këtë rast do të vendoseshin në krah të ekstremistëve. Raportet se militantët po përgatisin një tjetër sulm – kësaj radhe kundër Izraelit – nuk mund të injorohen.

Është alarmues fakti që ndërhyrja ushtarake në konfliktet e brendshme të shteteve të huaja është bërë e zakonshme për Shtetet e Bashkuara. A është kjo në interesin afat-gjatë të Amerikës? Dyshoj. Miliona anekënd botës gjithnjë e më shumë e shikojnë Amerikë jo si model demokracie por si një shtet që mbështetet vetëm tek forca , duke meremetuar koalicionet nën sloganin “Ti je ose me ne ose kundër nesh”.

Por forca ka rezultuar inefektive dhe e kotë. Afganistani nuk po gjen qetësi, dhe asnjë nuk mund të thotë se çdo të ndodhë pas tërheqjes së forcave ndërkombëtare. Libia është e ndarë në fise dhe klane. Në Irak lufta civile vazhdon, me dhjetëra të vrarë çdo ditë. Në shtetet e Bashkuara shumë heqin paralele mes Irakut dhe Sirisë, dhe pyesin se pse qeveria e tyre kërkon të përsërisë gabimet e bëra së fundmi.

Pa marrë parasysh sa në precize janë sulmet dhe sa të sofistikuara armët, viktimat civile janë të pashmangshme, përfshirë të moshuarit dhe fëmijët, të cilët sulmet mendohet t’i mbrojnë. Bota reagon duke pyetur: nëse nuk mund të mbështeteni tek ligji ndërkombëtar, atëherë ju duhet të gjeni rrugë të tjera për të garantuar sigurinë. Kësodore një numër gjithnjë e më i madh shtetesh kërkojnë të krijojnë armë shkatërrimi në masë. Është logjike: nëse e ke bombën, asnjë nuk të prek.

Ne duhet të forcojmë mospërhapjen, kur në realitet kjo po gërryhet. Duhet t’i japim fund përdorimit të gjuhës së forcës dhe të kthehemi në rrugën e zgjidhjeve diplomatike e politike. Ditët e kaluara është shfaqur një mundësi e re për të shmangur veprimet ushtarake. Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe të gjithë anëtarët e komunitetit ndërkombëtar duhet të përfitojnë nga gatishmëria e qeverisë siriane për të vendosur arsenalin e saj bërthamor nën kontrollin ndërkombëtar e për t’i shkatërruar përfundimisht. Sipas deklaratave të Presidentit Obama, Shtetet e Bashkuara e shikojnë këtë si alternativë ndaj ndërhyrjeve ushtarake. Unë e mirëpres interesin e Presidentit Obama për vazhdimin e dialogut me Rusinë për Sirinë. Duhet të punojmë bashkë për ta mbajtur gjallë këtë shpresë, sikundër ramë dakord në takimin e G8-ës në Lough Eme në Irlandën e Veriut në Qershor, dhe ta kthejmë diskutimin tek negociatat.

Nëse do të mund ta shmangim përdorimin e forcës në Siri, do të përmirësojmë atmosferën në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe do të forcojmë besimin e ndërsjelltë. Ky do të ishte suksesi ynë i përbashkët dhe do të hapte rrugën e bashkëpunimit në çështje të tjera vendimtare. Puna dhe marrëdhënia ime personale me Presidentin Obama karakterizohet nga besimi në rritje. E vlerësoj këtë. E studiova me kujdes fjalimin e tij mbajtur para kombit të martën. Nuk do të pajtohesha me frazat e përdorura për veçantinë amerikane, ku theksoi se politika e Shteteve të Bashkuara është “ajo që e bën Amerikën të ndryshme. Është ajo që na bën të veçantë”.

Është jashtëzakonisht e rrezikshme të nxisësh popullin ta shikojë veten si të veçantë, cilidoqoftë motivi. Ka shtete të mëdha dhe të vogla, të pasura dhe të varfra, nga ato me tradita të gjata demokratike dhe nga ata që ende kërkojnë rrugën drejtë saj. Politikat e tyre ndryshojnë, gjithashtu. Ne jemi të gjithë të ndryshëm, por kur kërkojmë bekimin e Zotit, nuk duhet të harrojmë se Zoti na krijoi të barabartë.

Vladimir V. Putin është President i Rusisë

Lajme të ngjashme

Back to top button