Cila ka qenë gënjeshtra më e madhe që e kemi ngrënë ndonjëherë?

T’i kthehemi esencës. Nuk dua të shkruaj për “bombat” sepse disponimin nuk e kam të tillë për të shkruar për një temë që është bërë mondane. Bile e mërzitshme, mirë, ndoshta jo e mërzitshme, por e përsëritur. E kuptuam që Zaev dhe shokët po mundohen të zbulojnë fytyrën e vërtetë të këtyre që po na qeverisin përpara popullit. Aq shumë po mundohen ta bëjnë këtë sa ndonjëherë më duken patetikë. E DIJMË, që janë të korruptuar, jemi gati të bindur që kanë vjedhur zgjedhjet, kemi dyshuar që luajnë me popullin si me marionetat… të gjitha i dijmë! Bile i dijmë për një kohë më të gjatë, edhe nuk jemi trembur të flasim e të shkruajmë për këtë, sepse e kemi ditur… ose kemi dyshuar, por prapseprapë e kemi folur, e kemi shkruar, e kemi komunikuar…

Nuk dua të flas për to sepse esenca jonë (e mizerjes sonë) është shumë më e gjërë sesa “bombat”. E thashë edhe javën e kaluar, bombat kanë fituar më shumë karakter argëtues sesa inercione me potencial për të shkaktuar ndryshime. E dhimbshme, por e vërtetë… Sot dua të flas për gënjeshtrën më të madhe të cilën na e kanë shërbyer politikanët e këtij vendi që nga pavarësia e deri më sot. Pa e zgjatur shumë – po na e fusin rëndë me këtë punën e mirëqenies, zhvillimit ekonomik, reformave. Dhe ne vazhdojmë e argëtohemi me mizerien tonë. Përsëri, e dhimbshme, por e vërtetë.

Nëse kthehemi pas në kohë, para më pak se një viti në fushatën zgjedhore gënjehej rëndë me shifra. Flitej për dhjetëra mijëra të punësuar në katër vitet e fundit (mbaj mend një moment kur BDI premtoi 50.000 punësime), për investime të shumta të huaja në vend; Premtimi i madh ishte që politika ekonomike e këtij vendi – njejtë si në vitet e kaluara të qeverisjes VMRO-BDI/PDSH do të ishte sërish e fokusuar në thithjen e investitorëve të huaj të cilëve do t’ju mundësoheshin të gjitha premisat për zhvillimin e biznesit sa më lirë, duke korruptuar në shumë mënyra kompanitë perëndimore që të vijnë e të hapin një fabrikë në vend. Në suaza të këtyre lëshimeve rroga minimale me ligj mbetet gati e pandryshueshme dhe e dyta më e ulta në Ballkan pas Kosovës (shteti më i ri i rajonit), koncesionet fiskale, operative dhe logjistike ndaj investitorëve të huaj kontratohen në katër sy, shpeshherë në afate shumë të gjata, dhe në forma të dëmshme për ekonominë e vendit e kështu me rradhë. Ndërkaq efektet reale të kësaj politike ekonomike janë të pakta, dhe shpeshherë negative. Ekonomia e vendit nuk rritet, përkundrazi ajo bie. Është në stagflacion – rritje të ulta të parëndësishme në krahasim me inflacionin në rritje dhe deficitet buxhetore që do të na hanë në vitet në viijm. Në vend që të na përmirësohet mirëqenia, neve ajo po na shkatërrohet. Pjesa më e madhe e popullit të këtij vendi është kthyer në mbijetues, sesa mirëjetues. Pjesa tjetër kanë ikur.

Rezultati i kësaj gënjeshtreje të madhe është katastrofal. Investimet nuk janë ato që janë pritur të jenë kur janë hartuar politikat reformatore të VMRO-së, përkundrazi jemi një ndër shtetet me nivelin më të ulët të investimeve të huaja direkte në Europë dhe rajon, më mirë vetëm se Bosnja dhe Kosova. Maqedonia është kthyer në një vend me një borxh shumë të madh publik, të cilin nuk din askush ta kuantifikojë, me prospekte distante për një zhvillim të mirëfilltë. Ndërkaq gënjeshtra e madhe vazhdon…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Cka jeni duke thene o njeri? Maqedonet jane duke ju trajtuar si palestineze ju shqiptaret e atjeshem, e ju shtireni kinse beni filozofi qe eshte krejt pa lidhje me realitetin!

    1. I nderuar, me duket nuk keni lidhje me realitetin ne Maqedoni, e as me pak per shqiptaret e shkrete qe nuk po e kuptojne se cka po ndodh ne vendin e tyre…. citoj autorin: “bombat kanë fituar më shumë karakter argëtues sesa inercione me potencial për të shkaktuar ndryshime. E dhimbshme, por e vërtetë…” dhe “vetëm reagimi i fuqishëm i popullit mund të jetë katalizator i zgjidhjes së tij”…. fatkeqsishte ne nuk kemi popull te tille…e ka deshmuar veten disa here me rradhe…
      Ndjej respekt te vecant per Z. Markun, i cili po mundohet shume qarte te na e spjegon situaten ketu ne Maqedoni.

Back to top button