NËNA PLAKË

Bie borë në fshatin N, në malësi. Fjollat e borës bien ngadalë si yje të bardha, duke mbuluar peizazhin e vrugtë.

Natë. Nuk dëgjohet gjë e gjallë.

Vetëm nëna plakë, e veshur me tesha të traditës sonë shqiptare qëndron pranë dritares së vogël e me kornizë të vjetruar dhe i shikon fjollat si bien. Shumë, shumë fjolla era e veriut i drejton drejt dritares së nënës plakë…

Koftori është fikur që moti sepse kërcuna e vetme u dogj. Dru të tjera nuk ka sonte.

Nëna plakë është e mërzitur. Dikur ka qenë e lumtur, kur pranë saj ishin dy djemtë, vajza, burri. Asokohe njëri priste dru, tjetri bënte punë rreth bagëtisë, i treti kujdesej për shtëpinë dhe në fund të gjithë mblidheshin rreth sofrës. Nëna ishte e lumtur kur i shihte të gjithë anëtarët e familjes të buzëqeshur e të kënaqur. I dëgjonte të rënat e lugëve në sofër të cilat asaj i vinin si një ritëm përrallor, një muzikë e cila i këndonte harmonisë së familjes.

Tash ajo është vetëm. Njëri djalë i ka shkuar në Kanada, ku është martuar me një filipinase, tjetrin e ka në Zvicër  të martuar me gjermane. Vajzat – njërën në Danimarkë, tjetrën në Norvegji, kurse burri i saj që e kaloi jetën duke ngritur të lartë oxhakun e kullës – vdiq nga malli për fëmijët, për nipërit e mbesat. Vdiq para dy vjetësh nga sikleti, sepse nuk merrej vesh me nipër e mbesa në skajp. I shihte, gëzohej kur i shihte të rritur, u fliste shqip, kurse ata i buzëqeshnin dhe ia kthenin në një gjuhë të huaj, të largët, të pakuptueshme. Pastaj ata, nipër e mbesa, nuk rrinin gjatë kohë para kompjuterit, sepse mërziteshin. Një zot e di si e përjetonin gjyshin e tyre. Kurse plaku dilte jashtë pas bisedave të shkurtra, e merrte sëpatën ose çfarë do almiseje tjetër dhe ikte prej shtëpie. Kishte mall për nipër e mbesa. Tjetër është kur i ke pranë si zogj, e tjetër është skajpi. Skajpi vetëm ta shton mallëngjimin e pikëllimin. Shkonte malit përpjetë ose malit teposhtë. Jo që kishte ndonjë punë,  por shkonte ngase sytë i kishte të mbushur me lot e nuk kishte qejf që plaka e tij ta shihte të tillë. Se burrat nuk qajnë.

Një ditë ndërkaq nuk u përmbajt. Sa e pa të mbesën e porsalindur,  Renatën, nga Kanadaja, s’i frenoi dot lotët. Renata? Ishte si një zogëz foshnja. E bukur shumë. Por plakut nuk i pëlqeu emri. Ia kujtonte natën e errët. Ai kishte dëshirë kjo mbesë t’i quhej Dritë. I rrodhën dy pika lot. Nëna plakë u bë sikur nuk e pa. Megjithatë këta lot ishin edhe lot gëzimi sepse mori një lajm të mirë. U bë gjysh për kush e di të satën herë. U ul pranë dritares dhe shikonte kah dera e madhe. Borë, borë dhe koha që mezi lëvizte. Pastaj, pa pritë e pa kujtue ndjeu një dhembje të fortë, thuajse ia ngulte thikën në shpinë një dorë e panjohur. I djersitur, u shtri në shilte pranë dritares dhe i lypi plakës një gotë ujë. Kur u kthye plaka, e gjet të shoqin pa frymë. Kot e thirri me emër disa herë të shoqin e mbështetur pranë dritares… Nënës plakë iu bë se kishte mbetur pa frymë duke u munduar ta thërrasë të mbesën me emrin e largët.

Dhembja për njeriun me të cilin e kishte kaluar thuajse një gjysmë shekulli bashkë, në një anë dhe mungesa e fëmijëve, nga ana tjetër e bënë që nëna plakë t’i griste teshat e shtatit nga pikëllimi. Pastaj e vajtoi gjatë plakun e saj.

Në dritën e zbehtë të poçit elektrik, ajo e shikonte të shoqin të heshtur, të verdhë – dyllë.

Njëherë s’e dëgjoi telefonin celular, herën tjetër e dëgjoi, por s’kishte mundësi të flasë për shkak se e rehatonte shtatin e pajetë të plakut në shilten pranë dritares. Se plaku në të gjallë të tij më së shumti rrinte pranë dritares duke pritur të hapet dera e madhe. Ku ta dish mund ta befasonte ndonjëri nga djemtë, nga vajzat… Nipat e mbesat… Ndërkohë, plaka qante pa zë mbi kokën e plakut, kurse telefoni nuk pushonte së rëni.

Dikur, e përlotur nëna e ngriti telefonin dhe me zë të përvajshëm tha:

“Alo”!

“Oj nanë shtatë-tetë herë po ju thërras… Pse s’më xhexhni?

Në vend të përgjigjes – vaj!

“Oj nanë xhi ka nodhë?… Jam F,  djali jot pi Kanade… Si asht baba?”

“F. i nanës, baba…”, tha me një zë të mekur nëna dhe përsëri ia dha vajit.

“Oj nanë, xhi ka nodhë? Xhi ka baba?”

“U paça juve nana”!…

Pastaj nuk pushuan telefonatat. Njëra pas tjetrës.

Dikur drita e mëngjesit filloi të përvidhej e të futej në dhomën e nënës plakë. Jashtë fjollat dukeshin sikur bien të rënda dhe duke mbuluar çdo gjë jepnin përshtypjen se ishte një kohë kur pikëllimi e mbulon botën. Nëna e shikoi oborrin, kopshtin dhe iu duk se çdo gjë rreth shtëpisë së saj po jep shpirt. U mundua t’i sjellë zërat e nipave e të mbesave duke lozur në oborr e duke bërë dordolecë me këngë shqipe, mirëpo rreth saj përhapej një heshtje mortore.

Binte borë. Kurse nëna doli te fqinjët, po ashtu pleq të vetmuar, ta japë kumtin e zi.

Peizazhin me borë nëna e shihte të vrugtë, ndërsa lagjja rënkonte nën heshtjen e thellë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button