Kafeja e hidhur dhe diplomati modest

Shkupi shqiptar kohëve të fundit, me sa duket, po ringjallet kulturalisht. Ardhja e universiteteve, libraritë, promovime, debate, ligjërata publike, të gjitha këto i japin një frymë pjesës tonë të kryeqytetit. Ndër aktivitetet e zhvilluara ditëve të ftohta të marsit ishte edhe një ekspozitë e organizuar nga FOCIC në Çifte Hamam, “Tolerancë-mirëkuptim-bashkekzistencë”, që shpalosi mesazhe për interaktivitet mes kulturave e qytetërimeve. Atë mbrëmje, profesor Muhiqi foli për diadën ideologjike Orienti-Oksident, për Grinviçin dhe lindjesinë e një pjese të mirë të Europës, për Maqedoninë multikulturale, përshkruar si kërthizë e botës. Ky event tuboi njerëz të shumtë, përfaqësues nga presidenca e shtetit, klerikë, OJF, intelektualë e të rinj e të interesuar për kulturën. Dhe nga një gjendje e sfilatës kulturore, bashkë me një mik-profesor kaluam në një lokal për të kryer një ritual të destresimit, të asaj që sociologjikisht quhet kohë e lirë, pra u ulëm për të pirë nga një kafe. Gjendja e tretë, deprimuese. Pas ca kohë, u shfaq një fëmijë simpatik diku në të tetë-nëntat me një kuti çokollatash, që më shtyri të kujtoj atë që para disa ditësh e pata pjesë të leksionit të etikës. Një familjeje fëmija mund t’i sigurojë një buxhet minimal, por një gjë e tillë a është etike, duke e pasur parash botën e virgjër fëmijërore që në atë kohë duhet të bëjë detyrat e shtëpisë e të gatitet për të nesërmen shkollore, të mendojë për lojën e kënaqësitë e pranverës së jetës. Çuni nga njëra anë më bëri të deprimohesha, nga ana tjetër nxori para meje nj fotografi të një trimi të madh që sfidon veten dhe shoqërinë, duke treguar se ai është i gatshëm të dinamizojë veten, të fitojë dhe t’u japë sinjal një pjese të rinistëve që destinacion parësor i kanë kafiteritë ku vrasin kohën tërë ditën, pa kurrfarë aktiviteti produktiv. Kjo pamje të bën të pezmatohesh me shoqërinë, me shtetin që nuk përkujdeset për familjet dhe brezat. Shtet social. Me 20.7 denarë për kokë qytetari që i përket kategorisë vulnerabël të rastit social. Atë ndejë, kafesë sado që i qitja sheqer, më dukej e hidhur, nga kjo pamje trazuese. Nga ana tjetër ngushëllojë veten: Fëmija në fjalë, me gjasë do jetë qytetari i vyeshëm i së ardhmes, shqiptari që kafshatën do e fitojë nga djersa e vet, në mënyrë të ndershme dhe etike. Ndoshta afaristi i të nesërmes. Një shok që punon në një nga top 200 kompanitë e Maqedonisë, shqiptare, më tregonte një ditë se me pronarin dikur i numëronin çokollatat e shitura një nga një, ndërsa sot i numërojnë maunët që hyjnë e dalin.

Se megjithatë gjithçka nuk është deprimuese në mesin tonë, vërtetohem nga një ish-ambasador që ndonëse i kamur, para meje i shkyen biletat e përdorura të autobusit urban. Menjëherë instinktivisht më kujtohet se njeriu është ai i kuloareve diplomatike, i tepihëve të kuq, lozhave të veçanta, i kollareve dhe kostumeve të detyrueshme, i makinave të zeza. Një herë absurd, më pas arsye. Logjika e shqiptarit dhe ballkanasit ordiner thotë se njeriu që ngjitet himallajeve të jetës, nuk duhet të bjerë poshtë te grigja. Pse? Sepse, ka qenë VIP dhe duhet ta ruajë imazhin e vet. Përkundrazi, modestia është tipar i njerëzve të mëdhenj. Kujtoni një president aktual si ai i Uruguajit, Hose Mujica, i cili nuk ka pallat, jeton në një shtëpi-fermë me një dhomë gjumi, që s’ndiqet nga autokolona, që bart rroba e këpucë të përdorura shumë, që me librezën shëndetësore në dorë pret radhë në spital bashkë me gjithë qytetarët e vet, që jeton një “jetë të matur”, “një shembull i asketizmit” (The Guardian), që pjesën më të madhe të rrogës e dhuron për qëllime sociale, që planifikon të adoptojë fëmijë të cilëve do t’ua mësojë agrikulturën, që fluturon me avion të klasës ekonomike, që vozit një Beetle të vjetër. E kanë cilësuar si presidenti më i varfër në botë ndërsa ai përgjigjet se nuk është më i varfëri, se më i varfëri është ai që lufton për të mbijetuar. Sipas tij “Bota ka nevojë për revolucion. Kjo nuk do të thotë vrasje dhe dhunë. Revolucioni ndodh atëherë kur e ndryshoni mënyrën e të menduarit!” Ç’të thuash për presidentë e mbretër me pallate ëndrrash, për mondanizmin putinian prej 20 pallateve dhe vilave, prej 58 fluturakeve dhe 4 jahtave, 700 veturave, për orët prej 400 mijë funtash, gjithë kjo në një vlerë totale prej 1.6 miliardë dollarë? Po për princezën saudiane Maha es-Sudejri që prenotoi katin 41-dhomësh të hotelit përisine Shangri-la, me 60 shërbëtorë për gjashtë muaj duke bërë një faturë prej 7 milionë dollarësh, për vendet ku policia vozit “BMW M6”, “Lamborghini Aventador” dhe “Bugatti Veyron”, për avionët e sheikëve të praruar me ar, për gold ATM-të (bankomate për transaksione të arit)!

Shembull i mirë i ngjashëm me këtë të Mujicës është edhe ai i disa deputetëvë bullgarë që për një kohë kishin vendosur të bënin një eksperiment me porosi etike, të jetonin në katund me pagën minimale të qytetarit ordiner, me mundësitë konsumuese të shportës minimaliste, duke u munduar të kapin muajin tjetër me frigorifer jo shumë të fryrë, me kushte financiare të kufizuara, por me fatura të paguara, dhe prapë të ngopur e të lumtur. Kjo e fundit ndofta duket si shou, por ama është një akt autentik i empatisë.

Si qëndron puna tek ne? I kemi Mujicat tanë ose kemi persona që me të marrë mandatin abstragohen nga qytetari? Para disa viteve më ka ndodhur që në autobus urban të takoj kryetarin e Parlamentit, ish-ambasadorin e të Maqedonisë në SHBA, tanimë të ndjerin Ljupço Jordanovski, me qeskë supermarketi në dorë, dhe ta them të drejtën më ra gjynaf. Te ne shqiptarët, i bëra 43 dhe nuk kam parë një deputet a politikan tonin të vijë në mesin e popullit, në Sarajin tonë dhe të bisedojë me katundarin e të qajë hall me të. Vetëm skenat zgjedhore edhe atë nga distanca janë vendtakimi me votuesit. Vah! Nevoja për profil të ri të liderëve, qeveritarëve shqiptarë, që e dinë se vijnë nga populli, që janë një me popullin dhe që vërtet punojnë për të, është akute!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button