Erdh pranvera moj, çel partia moj…

Mbajtja e kongresit të PDSH-së organizuar nga Lëvizja për reforma brenda PDSH-së këtë të e shtunë përkoi me ditën e parë të pranverës, 21 mars. Me atë përkim ndodhi që të jetë edhe lulëzim i shpresës për konsolidimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve të Maqedonisë.

Një tjetër përkim ishte edhe ajo se mu atë ditë një parti rome bëri protestë para Qeverisë ku mes tjerash protestonte edhe ndaj emërtimeve fyese për romët që qytetarët i dëgjojnë nga gojët e disa funksionarëve këto ditë përgjatë revelimit të bisedave të tyre të incizuara në kuadër të projektit opozitar “E vërteta për Maqedoninë. E ndonëse në ato incizime ka shumë raste edhe të fyrjeve dhe poshtërimit të shqiptarëve, shqiptarët mu atë ditë mund të jenë ndier keq që ende askush nuk ka protestuar për këto fyerje të bëra ndaj tyre. Kështu që konsolidimi i një partie politike opozitare mu atë ditë jep një mundësi të mirë që të merret hak dhe reagohet politikisht për ofendimet e bëra ndaj shqiptarëve.

Shpresë tjetër që mund të lulëzon si në pranverë është edhe fakti se me këtë konsolidim politik shqiptar në Maqedoni mund të hapet një shteg për dalje prej qorrsokakut të mospërfaqësimit politik ku, siç vërtetohet edhe nga shumë incizime tani, shqiptarët ishin futur edhe nëpërmjet partive të veta politike BDI dhe PDSH.

Me këtë pra mund të hapet një shteg prej ku shqiptarët do mund t’ia dalin të përmirësojnë përfaqësimin e vet politik dhe bile edhe të nxjerrin vendin nga qorrsokaku i madh i ngecjes së proceseve integruese evro-atlantike. Duke iu mundësuar kështu votuesve shqiptarë në ciklin e ardhshëm zgjedhor të kenë zgjedhje për të votuar dikë tjetër pos binomit që aq vite vetëm se ka qenë bashkëpunëtor i një regjimi që ka uzurpuar shtetin dhe institucionet.

Kjo njëkohësisht do ishte mundësi që shqiptarët cilësisht të rikthejnë vlerën e votës së tyre. Në mënyrë që të mos votojnë më vetëm për argatë dhe nëpunës, por të votojnë politikisht për zhvillim dhe aplikim të politikave. Duke iu dhënë prej tani mundësia që në të ardhmen të zgjedhin përfaqësues politik që do artikulojnë kërkesat e tyre politike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button