Kriza e Kosovës për përdorim të brendshëm

Javën e fundit në mes Maqedonisë dhe Kosovës po zhvillohet një krizë e vërtetë, fillimisht tregtare që më pas u bart edhe në planin politik. Gjithkush e ka të qartë se një zhvillim i këtillë i ngjarjeve, me masa protekcioniste, embargo, kundër-embargo e mbyllje kufijsh ekonomikisht dëmton të dyja palët, sidomos Maqedoninë e cila humb më tepër nga një situatë e këtillë. Prandaj shikuar nga aspekti i thjeshtë ekonomik është tejet e pakuptueshme se pse dy shtetet nuk mund të arrijnë një marrëveshje. Mirëpo shikuar politikisht marrëveshje nuk mund të ketë nëse këtë nuk e duan palët dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i krizës dhe problemit. Përderisa të dy vendet po humbin ekonomikisht, nga gjithë kjo krizë dikush po tenton të përfitojë politikisht. Gjykuar nga reagimi i “ekosistemit” të VMRO-së (pushteti, partia, me gjithë analistët dhe mediumet e kontrolluara nga ajo), në anën maqedonase kësaj krize duket se po ja sheh hajrin Gruevski, i cili nëpërmjet saj ngrit rejtingun e vet dhe partisë së tij për zgjedhjet e mundshme të parakohshme parlamentare.

Sipas përrallës me të cilin VMRO paraqitet para votuesve dhe fiton zgjedhjet shtatë vite me rradhë, populli maqedonas është viktimë e lojërave të fqinjëve dhe fuqive të mëdha, Maqedonia është përherë e rrezikuar nga të gjitha anët dhe e vetmja parti që mund t’u bëjë ballë këtyre forcave “armiqësore” është vetë VMRO-ja. Në këtë kontekst beteja që në thelb ishte tregtare, me kufizimin e importit të grurit dhe reciprocitetin kosovar për disa mallra maqedonase, pushtetit i erdhi si e mirëpritur. Së pari ajo sikur vërteton pjesën e parë të ekuacionit rrezik-shpëtim dhe “dëshmon” se Maqedonia në kufinjtë e vet ka vetëm armiq; përveç grekëve e bullgarëve tani edhe “kosovarët e këqinj”. Më pas, me vendosjen e taksave për qytetarët kosovarë që hyjnë në Maqedoni (masë që cenon lëvizjen e lirë të njerëzve dhe nuk ka të bëjë fare me reciprocitet apo marrëdhënie tregtare), u plotësua pjesa e dytë – se VMRO din si t’ua “tregojë vendin” këtyre armiqve. Në këtë drejtim është tejet domethënëse që në reagimin e tij të parë pas krizës kryeministri u shpreh se “Kosova ka marrë një vendim të drejtuar vetëm kundër nesh”, duke harruar të cekë se masa kosovare ishte një masë reciprociteti dhe detyrimisht nuk mund të vlente për shtete tjera. Në fakt interpretimi i këtillë i situatës nga Gruevski ishte sinjal se duhej të viheshin në lëvizje rrotat e maqinerisë propagandastike të partisë dhe të fillojë poentimi politik.

Ditëve në vijim u vunë në punë mediumet dhe portalet e pushtetit, së bashku me analistët e ekspertët proqeveritarë. Detyra e tyre, si përherë, ishte të dëshmojnë se Maqedonia edhe këtë herë rrezikohet nga një shtet fqinj me qëllime të errëta. E këtë rradhë detyra ishte më e lehtë, duke ditur se për Kosovën edhe ashtu ekzistojnë plot paragjykime në opinionin maqedonas. U tha se bëhet fjalë për gjysmë-shtet, për vend që nuk është pranuar nga OKB, se Maqedonia kishte bërë gabim me pranimin e pavarësisë së Kosovës, madje edhe se bëhej fjalë për ndikim të strukturave kriminele në vendimin e qeverisë së Kosovës. Duke “harruar” se në fakt Maqedonia ishte shteti i fundit i rajonit që pranoi Kosovën madje duke u fshehur pas skutave të Malit të Zi, se pranimi i Kosovës është dhe ishte direkt në interes të shtetit të Maqedonisë, se ky “gjysmë-shtet” pikërisht në ato momente po bënte bisedime me Serbinë në Bruksel me çka merr datë për fillim të stabilizim-asociimit me BE-në e shumëçka tjetër.

Gjithçka që servoi pra partia në pushtet nëpërmjet këtyre mediumeve e ekspertëve proqeveritarë ishte e privuar nga çfarëdo lloj racionaliteti politik apo ekonomik dhe ishte vetëm në funksion të ngritjes së tensioneve dhe ringjalljes së frymës nacionaliste në vend. E kjo pushtetit i duhej mu tani, kur po bëhet gjithnjë e më e qartë se beteja me Greqinë për emrin është fare e humbur. Por pasi në fund të fundit pushteti nuk ka si t’i hakmerret Greqisë apo “armiqve” nga Perëndimi, ai tentoi të “tregojë muskuj” diku tjetër. Se kjo, dhe jo zgjedhja e krizës, janë qëllimi i vërtetë i pushtetit më së miri dëshmon fakti se nuk pati as edhe një ide apo propozim të vetëm se si të tejkalohet situata, por vetëm e vetëm se çfarë masash tjera mund të merren kundër Kosovës.

Nga ky lloj diskursi, nga këto palo analiza dhe palo ide, asnjëra nuk ka vlerë për t’u eksportuar, cituar dhe trajtuar në ndonjë medium diku jashtë shtetit. Për më tepër pushteti kontrollon mediumet në vend, por nuk mund t’ua imponojë këtë përrallë dhe këtë qasje ndaj problemit mediumeve jashtë vendit. Këto mendime pra ndëgjohen vetëm në vend, gjë që e bën fare të qartë se i gjithë ky diskurs është përgatitur për konsum të brendshëm, e që do të thotë se është për poentim politik dhe jo në drejtim të zgjidhjes së krizës. Ai është vetëm një pjesë, një detaj shtesë, në përrallën e madhe për “ujqit” që duan t’a gëlltitin Maqedoninë dhe të cilët mund t’i ndalojë vetëm partia në pushtet. Ai poashtu shërben për defokusim të opinionit dhe për të shmangur vëmendjen nga problemet tjera të vendit. Kush e mban mend më komisionin për krizën e 24-shit, a pyet më dikush se kush do të marrë përgjegjësi për ato ngjarje, a kujdeset më dikush për raportin që duhet të vijë nga BE-ja?

E qëllimi përfundimtar i gjithë kësaj pune natyrisht janë zgjedhjet parlamentare. Në një kolumnë të mëparshme pata thënë se VMRO nuk do të ndalet me punën e komisionit të 24-shit dhe se me çdo kusht do të kërkojë të bëhen zgjedhje të parakohshme, më së voni deri në mars të vitit të ardhshëm. Prandaj edhe kriza tregtare me Kosovën ndoshta shihet më mirë si tentim për të shkaktuar krizë më të madhe (domosdo etnike) që do të çonte në zgjedhje të parakohshme dhe njëkohësisht si mundësi për VMRO-në për të bërë fushatë parazgjedhore. Në gjithë këtë mes mbetet i paqartë roli i partive shqiptare, të cilat as nuk kanë shprehur as edhe një qëndrim të vetëm për këtë problem. A janë ato deri në atë masë të frikësuara nga VMRO-ja sa s’guxojnë të hapin gojën (BDI), apo kalkulojnë të koalicionojnë me të më vonë e andaj nuk ja prishin qefin (PDSH)? Temë kjo e veçantë për ndonjë kolumnë të ardhshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes ndërmjet tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button