Kush zhveshet më shumë?!

Bombat po renditen njëra mbi tjetrën, por assesi të plasin. A thua vallë pse?

Më mundon kjo pyetje dhe sado që e shoshis mendjen nuk mundem ta definoj: a është normale që këto skandale që zbulohen nga bombat të mos kenë efekt më “bombastik”. Në mungesë të reaksioneve bombastike, a do të të jenë ato shkaku i fillimit të një procesi të gjatë të demokratizimit të vendit, apo thjesht nuk janë të vetëmjaftueshme për të inicuar ndryshim, dhe efekti i tyre nuk është ai i prituri ngase skandale të tilla do të ishte dashur të shembin jo vetëm qeverinë e tashme por edhe themelet e një shteti të tërë. Kur e mendon që skandale shumë më të vogla dhe më pak serioze kanë gjunjëzuar qeveri dhe presidentë të vendeve shumë më të mëdhaja dhe më të fuqishme sesa Maqedonia, atëherë e vetmja arsye që është e logjikshme është që liderët tanë janë të vecantë, janë specialë. Ajo që i bën ata të vecantë është forma e pushtetit dhe stili i qeverisjes që ata kanë instaluar në vend. Formë dhe stil të cilat mbajnë të ngulfatur një shoqëri të tërë. Qeverisje e cila me anë të frikës dhe imponimit, arrin të mbajë shurdh veshët dhe duart kryq të një populli i cili i vuajtur nga gjendja e tij anemike, nuk arrin dot të ngrihet përpara dilemave dhe sfidave me të cilat po përballet. Një populli i cili me vetë iniciativë mbyt lirinë e vet. Një popull që me indolencën e vet rrezikon të ardhmen e brezit të ri.

Ndërkaq “bombat” si pasojë e kësaj indolence po marrin trajtën e një teme zbavitëse me të cilën të merremi derisa pijmë kafen e mëngjesit. Të etur për debat të vërtetë ku do të diskutoheshin cështjet themelore funksionale të një shteti, si politikat ekonomike dhe sociale, cështjet ndëretnike, gjyqësori, efikasiteti i administratës, ju gëzohemi diskurseve të urrejtjes ndërpartiake dhe “bombave” të shpeshta sikur të ishte në to shpëtimi. Ndërkaq aq jemi të përqëndruar në problemet politike të këtij vendi sa harrojmë të diskutojmë cështjet e rëndësishme – ato që i përmenda më lartë. Sepse edhe sikur bombat të plasin me fuqinë e tyre më të madhe, edhe sikur kjo qeveri të bjerrë dhe në vend të saj të instalohet një qeveri e përkohshme a kalimtare a quajeni si të doni, duhet të mendojmë se cilën faze kalimtare do të kërkojmë nëpërmjet kësaj qeverie të ardhshme: cilat do të jenë zgjidhjet të cilat ajo do t’i ofrojë për të demokratizuar vendin dhe për ta bërë Maqedoninë më të jetueshme.

Në këtë argëtim diktohet psikologjia e këtij vendi, e këtij populli. Diktohet ajo që nuk jemi të aftë të luftojmë për krijimin e një shteti më të mirë për të gjithë. Sikur të ishte dhënë kjo shansë në një vend tjetër, sikur të ishte bërë një zhveshje e këtillë rrënjësore e sistemit qeverisës diku tjetër, jam i sigurtë që populli i atij vendi do të kishte kapur këtë moment për të rindërtuar dhe mbindërtuar sistemin në mënyrën më të mirë të mundshme me qëllimin e vetëm që të parandalojë një krizë të ardhshme demokracie në vendin e vet. Fatkeqësisht mangësitë tona si shoqëri janë të përhershme. “Bombat” janë thjesht vetëm edhe një shembull i kësaj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button