Pozita e opozita shqiptare pa oferta

A dini çka, vëllezër, të gjithë janë bërë sy e vesh në këtë spektakël të madh të estradës politike të këtij vendi të vogël dhe presin “bomba” e “shpërthime populiste”.  Nuk është punë e thjeshtë, kjo. Nuk është për të thënë “hajt se bëhet mirë”. Se, në këtë spektakël politik bëhen përpjekje të ndryshme, derdhet energji e madhe për të sjellë vendime për të ardhmen e vendit dhe për caktimin e rregullave të reja të ushtrimit të demokracisë dhe të lirisë, nga njëra anë dhe për ruajtjen e statuskuosë, nga ana tjetër. Është një moment vendimtar: do të kemi demokraci të mirëfilltë dhe liri për të gjithë njësoj, apo do të vazhdohet me të vjetrën që mbahet si model i suksesshëm i zhvillimit. Do si do të gjithë shpresojnë se e ardhmja e shpejtë do tësjellë një pozitë më të mirë në këtë shoqëri. Pëveç politikanëve shqiptarë! Vetëm ata, si gjithherë, e presin Godonë! Deri më tash nuk na thanë konkretisht se cila është oferta e tyre për të ardhmen tonë.

Në këtë kazan politik që vlon, fare, fare nuk flitet për pozitën e shqiptarëve në këtë vend, për ndryshimet e tilla politike e kushtetutare të cilat shqiptarin me gjuhën shqipe, me historinë shqiptare dhe me trashëgiminë e tërësishme shqiptare do ta bënin të barabartë me të gjitha vlerat që i gëzojnë maqedonasit. Askush nga politikanët tonë (se politikanët maqedonas ende nuk janë të gatshëm për këtë) nuk e tha qartazi se është koha e fundit që ky vend të organizohet sipas modeleve që i ka Finlanda, ose Belgjika, ose Zvicra. Në vend të kësaj më shumë dëgjojmë polemika ndërpartiake, përmes të cilave mbrohen interesat personale të disa lojtarëve të partive. Kështu popullit i hidhet pluhur syve se demek, diçka po bëjmë. Në fakt drama politike zhvillohet midis dy taborëve politikë maqedonas, kurse faktori politik shqiptar është anashkaluar tërësisht, thuajse nuk ka ndonjë peshë për zgjidhjen e problemeve të shumta, të cilat askush nuk mund t’i mohojë. Faktori politik shqiptar ecën në këto çaste me sy të mbyllur me shami dhe me bastun që të mos shkelë diku, në interesin personal të ndonjë ministri, të ndonjë funksionari partiak, të ndonjë mujshari. Nuk çan kryet kush për interesat e popullit dhe për këtë moment historik kur mund të avancohet pozita e shqiptarëve nga qytetarë të rendit të dytë në qytetarë të barabartë dhe të respektuar, siç duhet të jetë në këtë shtet dynacional. Ky faktor nuk po dëshmon se është dikush në politikën e këtij vendi.

Në këto çaste ne kemi nevojë për shpresa për fëmijët tonë, për oferta reale, për zgjidhje humane. Përkundrazi ligji i fundit për letërnjoftime i fundos këto shpresa. Rinia jonë e papunë që kërkon çarje jashtë vatrës së vet, shumë lehtë mund të dëbohet jashtë me këtë ligj i cili u soll falë neglizhencës së deputetëve tanë.

A do të ndërmarrin ndonjë hap, a do t’i kenë ofertat e veta partitë politike, përfshirë këtu edhe ndonjë dorëheqje, mbetet të shihet. Po të sosë punë një veprim i tillë duhet ndërmarrë edhe ky hap. Pse jo? Se, më së paku çon peshë në kandar dorëheqja e partisë nga pushteti, dhe, edhe më pak dorëheqja e ministrave nga qeveria. Kjo, madje fare nuk është e dhembshme, sepse rrallë ndonjëri nga ministrat shqiptarë ka lënë ndonjë gjurmë në historinë e këtij vendi. Janë ndërruar ministër pas ministri, po çështja jonë shqiptare ka mbetur në nivelin e qytetarit të rendit të dytë, kurse gjuha shqipe nuk u bë se nuk u bë gjuhë zyrtare. Prandaj nuk është ndonjë dëm të shkojnë këta të sotmit. As ata vetë nuk dëmtohen, sepse i kanë zgjidhur mirë problemet e tyre personale. Madje do ta kenë më mirë sepse do të rehatohen nën strehën e tyre të anonimitetit, si shumica e ministrave të tjerë që kaluan nëpër kolltukët e ministrive të Qeverisë së Maqedonisë dhe shkuan në botën e harresës.

Në këto çaste pritet guxim intelektual nga të gjithë, priten oferta, pritet shpresë se do të vijë dita e pritur njëzet e sa vjet, se do të na e kthejnë dinjitetin, se nuk do të jemi “shiptari”, por qytetarë të nderuar të vendit, me emër e me respekt. Duhet të argumentohet mirë para të gjithë botës se barabarësia kombëtare dhe barabarësia e plotë e gjuhëve, barabarësi ekonomike midis shqiptarëve nuk është handikap për këtë vend të molisur, por është një energji pozitive që mund ta çojë vendin me hapa të shpejtë përpara. Dhe se pa të ky shtet nuk mund të funksionojë.

Zëri i popullit tonë herë do kur do të ngrihet dhe do ta tregojë kahen e zhvillimit të gjërave, sepse kazani politik vlon. Besoj se do të vijnë protagonistë të arsyeshëm në politikë që do të kenë guxim t’i lexojnë kërkesat e popullit dhe do të dinë të gjejnë zgjidhje.

Me përpjekjet e guximshme, me vetiniciativë për t’i zgjidhur problemet tona, ne do ta fitojmë edhe besimin e faktorit ndërkombëtar, që gjithsesi na duhet, por të cilin e kemi lënë të habitur nga neglizhenca dhe mungesa e iniciativës.

Ne s’e kemi hallin që të jemi sehirxhinj në këtë rrëmujë. Duhet t’i japim ofertat tona për të mirën e të gjithëve. Dhe, të jemi të vendosur t’i mbrojmë interesat tona, pa i rrezikuar interesat e të tjerëve.

Duhet ta themi më: ne jemi më së keqi këtu!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button