Dhimbja e aktorit për mikun e tij

Kur një mik ndërron  jetë, e gjithë pjesa e jetës në të cilën ai ka qenë prezent zgjohet dhe trazohet ashtu siç trazohet deti nga erërat e fuqishme. Kështu më ndodhi dhe mua pas lajmit për vdekjen e mikut tim të fëmijërisë Nuriman Bejtulit, Nuro-s. Ky lajm, për të qenë më tronditës, më erdhi nga numri i celularit të tij, sikur ta kishte përgatitur ai vetë. M’u desh kohë për t’u bindur se ai nuk mund të më lajmëronte për vdekjen e vet, edhe pse në mesazh ishte e shënuar që e dërgojnë të afërmit e tij. Më pas lajmin ma konfirmoi edhe Izaimi, dhe iu dorëzova erës së  furishme që filloi simfoninë e saj brenda shpirtit tim duke trazuar çdo skutë të kujtesës e duke ngjallur çdo çast e përjetim që ishte e lidhur me Nurimanin.  
Nuro e thërrisnim unë dhe Izaimi. Ne ishim treshja e Gjimnazit të Tetovës, jo vetëm treshja që në gara në basketboll ua prishnim hesapet shumë tresheve te tjera, por ishim të pandashëm, si musketarët. Ne ishim si tre musketarët të cilëve herë pas here u  bashkëngjitej edhe ndonjë D’Artanjan, por për pak kohë, pasi Nuro me ndjeshmërinë e vet (natyrë qelqi) e plotësonte edhe dimensionin e D’Artanjanit. Gjëja e parë që m’u kujtua pas lajmit të hidhur ishte poezia që Nuro e shkroi kur ishim në vitin e tretë në Gjimnaz dhe duke gërmuar në kujtesën time arrita ta kthej përveç dy vargjeve, të cilat nuk i kujtoj dot:    
Çka të bëj me vargun tim?
U linde me rrezet e para të diellit
dhe papritmas hyre në shpirtin tim
kur unë ëndërroja me vegime
dhe kur kënga ishte vetëm kënga ime….
…………………………………..
…………………………………..
Por tani që të dashurova,
Çka të bëj me vargun tim?
Këto vargje Nuro i shkroi në kohën kur profesori ynë Muhidin Hadri na kishte hapur disa dyer të magjisë së artit dhe letërsisë. Kështu, gjersa unë përpëlitesha me dramat e Shekspirit dhe Çehovit, Nuro filloi të shkruaje, poezi të shkurtëra. “Poezia duhet të jetë e shkurt dhe e qartë, diçka si koncentrat i mendimit”, më tha derisa unë po i lexoja vargjet që sapo i kujtova.  
Te nesermen, pa lejen e tij, ia dorezova poezinë prof Ibrahimit që e udhëhiqte klubin letrar dhe ai e ekspozoi në gazetën e murit të gjimnazit. Nuro nuk u hidhërua, kurse prof Ibrahimi e takoi dhe i kërkoi të ndiqte orët e grupit letrar, i bindur se brenda Nuros gjendej një poet shumë i veçantë. Kështu filloi të mbushej fletorja e Nuros me vargje të mrekullueshme. Në fletën e fundit të fletores ishte poezia më e shkurtër të cilën edhe tani e kujtoj dhe nuk do ta harroj asnjëherë:  
Dashuria jonë!
E lexoj vargun e parë me të cilin të dashurova,
Dhe syve s’u besoj,
Shkronjat shndërrohen në kufomëngrënës,
Që marrin pjesën e fundit të dashurisë sonë!

Prej nga kjo ndjenjë? E pyeta. 
Nuk e di, më tha i ngrysur, thjesht më dolën këto vargje. Por ama janë vargje të bukura, apo?, më pyeti. 
Si vargje janë OK, i thash, por nuk më pëlqen gjendja që shtjellojnë vargjet. Në të vërtetë, vargjet e tij i përjetova si një kob, pasi e njihja Nuron dhe shpirtin e tij fisnik, dashurine e tij me përmasa kalorsiake. Nuro gjithçka përjetonte thellë, “Onjeginçe”, sic shprehej vete. I tillë ishte Nuro, ai nuk pranonte gjëra që kanë afat përdorimi. Unë jam njëri me “NJ” të madhe, thoshte, pra; 
një jetë, 
një dashuri, 
një…! 
Fletoren e tij me perla e fshehu. 
– E kam djegur, më thoshte sa herë që e pyesja me idenë për t’i botuar. Dhe vazhdoi të jetojë “Onjeginçe” deri në frymën e fundit.
Prehu i qetë miku ynë! Humbës jemi ne që të njihnim dhe e dinim thellësinë e përjetimeve që kishte shpirti yt i bardhë. Zoti të mëshiroftë.    
Do të të kujtojmë sa të kemi frymën.  
Refet Abazi dhe Izaim Rexha  

Lajme të ngjashme

Back to top button